"Prokurori", sjell aktorin hollivudian në Tiranë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit

2 Tetor, 14:38

Episodi i parë i serialit të shumëpritur shqiptar “Prokurori” vjen nga 10 tetori në kinematë e Tiranës, me regji të Fatmir Dogës. Subjekti i filmit të zhanrit aksion/dramë merr shkas nga ngjarjet e jetës sonë të përditshme, me fokus reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t'u përballur me krimin e organizuar dhe politikanët e korruptuar. Por e veçanta e “Prokurorit” është pjesëmarrja për herë të parë në një produksion shqiptar të aktorit të madh hollivudian, Danny Glover, i cili njihet për publikun shqiptar për rolet e tij legjendare në filma si Arma vdekjeprurëse (me Mel Gibson), The Color Purple , Predator 2, etj. Në serial, Danny Glover luan rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, i cili mbështet reformën në drejtësi dhe ndihmon në zbatimin e saj. Në studion e “Rreze Dielli”, regjisori Fatmir Doga, do të rrëfejë më shumë për këtë produksion kaq aktual në ditët e sotme dhe që pritet të ketë shumë sukses.