Qofte me salcë me nerden, poetja Adelina Pali tregon recetën plot shije të gjyshes së saj

28 Dhjetor 2023, 11:32

Tavë me qofte me nerden

Përbërësit:

  • 300 gr mish i grirë viçi
  • 1 qepë e grirë në rende
  • 15 gr oriz
  • 1 kokërr vezë
  • 30 gr miell gruri
  • 10 gr miell misri
  • 10 gr sheqer
  • Pak nerden kumbulle
  • Salcë domatesh
  • Vaj lule dielli
  • Nenexhik
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Në një tas vendosim mishin e grirë, pak kripë, qepën e grirë në rende, nenexhikun, orizin, një lugë miell dhe një vezë. I përziejmë mirë, e punojmë për disa minuta, e mbulojmë dhe e lëmë 30 minuta të qetësohet në mënyrë që të lidhet mishi me përbërësit e tjerë dhe të marrë aromën e duhur.

Pasi janë qetësuar marrim një tigan, hedhim vaj rreth 1 filxhan kafeje dhe bëjmë qoftet, të cilat nuk i pudrosim me miell, por i skuqim direkt. Pasi të fillojnë skuqjen ulim pak flakën në mënyrë që të ziejnë nga brenda dhe të skuqen shumë dhe mos të shpërbëhen. I heqim nga zjarri, marrim tavën e vendosim mbi zjarr me 1 litër ujë, shtojmë piper dhe yndyrën që skuqëm qoftet të kulluar me një kullesë. Vendosim kapakun, e lëmë të nxehet uji pak, më pas shtojmë 1 lugë nerden, pak kripë dhe 1/2 lugë salcë domate. Neutralizojmë shijen me pak sheqer dhe përziejmë miellin e grurit dhe të misrit me pak nga lëngu dhe e hedhim brenda. E mbulojmë derisa të marrë valë e të lidhet lëngu dhe me pas shtojmë qoftet. E lëmë salcën me qofte të gatuhet për rreth 30 minuta derisa salca të lidhet plotësisht.