Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministri kroat Andrej Plenkoviç deklaroi se shfaqja e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën nxit tensionet dhe e quajti pozitive tërheqjen.
Shqipëria për herë të parë në të paktën këto 10 vite të fundit ka vendosur të mos linjëzohet me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së që ishte deklaratë që pasonte takimin mes dy liderëve Kosovë e Serbi e që për arsye proceduriale duhej të bëhej publike në kohën që ndodhën zhvillime dramatike e krejtësisht të papranueshme. Ne shprehëm pamundësinë tonë për të mbështetur deklaratën.
Ne konsiderojmë se të dyja, vrasja e një efektivi të policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i veshur ushtarakisht në Kosovë dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe të dënueshme në të gjitha nivelet. Ky është qëndrimi ynë.
Shpallja e zisë kombëtare duke heroizuar disa persona që ishin të përfshirë në vrasjen e një efektivi policie e të veshur ushtarakisht me uniforma jo shtetërore ishte diçka po kaq e rëndë sa vetë i parapriu. Në këtë pikë jemi shumë të keqardhur që e çon pas procesin e normalizimit. Jemi të bindur se e vetmja rrugë është dialogu dhe padiskutim jo shfaqjet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën që nxisin vetëm tensione e rrisin frymën e dasive.
Pozitive që ushtrua serbe po zbrapset por është negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë interesave afatgjata apo këtij momenti kur rajoni duhej të jetë i bashkuar në BE"