Receta e ditës - Makarona furre me proshutë dhe qofte me thjerrza / Pjesa e parë

4 Dhjetor 2019, 11:37

Makarona furre me proshutë

Përbërësit:

400 gr makarona Stella

5 lugë gjelle parmixhan i grirë

250 gr proshutë coto

Beshameli:

60 gr gjalp

60 gr miell

600 ml qumësht

Arrëmoskat

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim beshamelin. Shkrijmë gjalpin dhe shtojmë miellin. Sapo mielli të ziejë në gjalp, e shuajmë me qumësht të ngrohtë duke e përzierë vazhdimisht me tel dore derisa beshameli të lidhet (të trashet). Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe arrëmoskat.

Në një tenxhere me ujë të valuar  kemi shtuar makaronat, ndërkohë i lëmë të ziejnë 3 minuta më pak se koha e duhur për zierje.

Kullojmë makaronat dhe i vendosim në një tas, u shtojmë beshamelin, 2 lugë gjelle djathë parmixhan dhe i përziejmë mirë së bashku. Shtojmë dhe proshutën të prerë në kubikë të vegjël, i përziejmë dhe më pas i shtojmë në një tepsi të lyer me pak gjalp.

Djathin e mbetur e shpërndajmë në të gjithë sipërfaqen sipër makaronave. Vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius, për 20-25 minuta.