Receta e pare: Pulë pikante me speca dhe kos
Përbërësit:
500 gr mish pule
3 qepë
3 thelpinj hudhër
2 speca të kuq
1 spec jeshil
400 ml lëng pule
Marinimi i pulës:
1 lç kumin
lëkura e 1 limoni
1 lç piper i kuq
1 lk piper djegës
Kripë, piper i zi
1 ½ lgj ujë
2 lgj vaj ulliri
Salca me kos:
350 ml kos
1 ½ lgj miell
2 lgj pure domate
Kripë, piper i zi
250 gr domate qershi
Përgatitja:
Si fillim përgatisim salcën për marinimin e pulës. Në një tas të vogël përziejmë kumel, piper të kuq, piper djegës, kripë, piper të zi, ujë dhe vaj ulliri. I përziejmë së bashku duke formuar një salcë. Në fund shtojmë lëkurën e limonit të grirë hollë. E përziejmë mirë dhe me këtë masë lyejmë mishin e pulës të cilin e kemi larë dhe tharë më parë. Pasi e lyjemë mishin nga të gjitha anët e mbulojmë me celefon dhe e lemë në frigorifer të marinohet për minimalisht 2 orë. Ndërkohë në një tigan të madh me 3 lugë vaj ulliri kaurdisim qepën të prerë në kubikë. Sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë hudhrat të prera imët i trazojmë dhe vendosim copat e mishit sa të kapen pak me qëllim që të fiksohet marinimi. I largojmë më pas dhe i vendosim në një pjatë të rrinë të ngrohta. Ndërkohë vazhdojmë përsëri me kaurdisjen e qepës duke shtuar specat të prera në copa mesatare. Sapo specat të ulin pak volumin shtojmë mishin e pulës në tigan së bashku me lëngun e pulës. Vendosim kapakun dhe e lemë 5-10 minuta derisa përbërësit të marrin një vale të lehtë. Më pas e vendosim pulën me speca në një tavë dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 20 minuta. Ndërkohë përziejmë kosin me dy lugë pure domate, 1 ½ lugë miell, kripë dhe piper të zi. E rrahim mirë derisa të formohet një krem dhe pas 20 minutave nga pjekja e pulës e shtojmë në tavë duke e përhapur mire. Vendosim dhe domatet qershi dhe e lemë mishin e pulës me speca dhe kos përsëri në furrë për 10 minuta të tjera.