Tavë dheu me mëlçi
Përbërësit:
- 3 lgj gjizë
- 3 lgj vaj ulliri
- 300 gr mëlçi
- 300 ml lëng mishi me copëza
- 1 lgj piper i kuq
- 1 lgj miell misri
- 1 kokërr qepë
- 6 thelpinj hudhër
- 1 lgj salcë domate
- 1 lgj gjalpë
- 1 tufë majdanoz
- Kripë, piper i zi
- Piper djegës
Përgatitja:
Mëlçitë pasi i kemi larë mirë i presim në kubikë të vegjël. Në një tenxhere vendosim pak mish viçi të ziejë për të përftuar buljonin. Në një tigan kaurdisim mëlçitë për pak minuta, më pas i largojmë mëlçitë dhe në po atë yndyrë kaurdisim një qepë të grirë imët. E ndihmojmë zbutjen e qepës me pak kripë dhe piper. Sapo qepa të bëhet transparente shtojmë lëngun e mishit dhe salcën e domates dhe e lemë në temperaturë të ulët për rreth 20 minuta. Në një enë tjetër tresim gjalpin dhe kaurdisim miellin e misrit derisa të marrë ngjyrë. Më pas shtojmë gjizën, piperin e kuq, piperin djegës dhe thelpinjtë e hudhrës. Vazhdojmë kaurdisjen duke e trazuar derisa masa të bëhet e njëtrajtshme. Gjizën e kaurdisur me miellin e shtojmë tek qepa së bashku me mëlçitë. E spërkasim gatimin me majdanoz të grirë dhe e lemë të marrë valë. Në momentin që yndyra do të dalë lartë do të thotë që është gati për t’a vendosur në furrë. Në furrën e nxehur kemi vendosur tavën e baltës. Hedhim tek tava e dheut fërgesën me mëlçi dhe e vendosim në furrë për rreth 20 minuta.