Shifra të larta me COVID/ Institucionet neglizhojnë masat, tunelet e dezinfektimit s'punojnë!

1 Mars 2021, 13:02

TIRANË- Në një kohë kur numri i të infektuarve ka arritur në shifra rekord, duket se qytetarët dhe institucionet nuk janë aspak të ndërgjegjësuar për të respektuar masat.

Report Tv me gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta është zhvendosur në ambientet e GJKKO në Tiranë. Pamjet janë me të vërtetë shqetësuese. Qytetarët të grumbulluar, në duke mos respektuar distancën. Ajo që është më alarmante është se vetë institucionet janë në shkelje të masave, kjo pasi tuneli i dezinfektimit është vetëm "për bukuri", pasi nuk punon. Kjo gjë u pasqyrua 'live' edhe nga Report Tv.

Edhe maska, një mjet i domosdoshëm në mbrojtjen ndaj COVID, shërben më tepër si aksesor, pasi pjesa më e madhe e qytetarëve e mban te pjesa e mjekrës. Ka edhe nga ata që nuk e kanë vendosur fare.

Theksojmë se në ndryshim nga fillimi i pandemisë, në institucion nuk është një person i cili bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat, por janë lënë krejtësisht të lirë në shkelje të çdo rregulli të mundshëm. Neglizhenca e institucioneve për të vënë rregull, por edhe indiferentizmi i qytetarëve, po shndërrohet në një rrezik shumë serioz, ku çdo ditë e më shumë po reflektohen në bilance të rënduara. Vendi ynë ka njohur shifra shumë të larta me COVID, ku kulmi ka arritur në muajin shkurt. Ditën e djeshme, janë regjistruar 21 humbje jete dhe 952 raste të reja me COVID.