Si po ndikon te njerëzit Koronavirusi, e ftuar psikologia Manjola Baçi

11 Mars 2020, 12:59

Ndërkohë që numri i personave të prekur me koronavirus po rritet, bëhet gjithnjë thirrje për ruajtje të qetësisë dhe mos panikosje të popullsisë.

Frika e njerëzve vihet re veçanërisht te rreziku i mungesës së ushqimeve edhe pse autoritetet kanë vendosur që lëvizja e mallrave të mos pezullohet.

E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, psikologia Manjola Baçi ka folur për efektet psikologjike që kjo gjendje po shkakton te njerëzit duke bërë thirrje për ruajtje të qetësisë. Ajo  është shprehur se vetëkantinimi  dhe kufizimi i lëvizjeve të panevojshme është një masë e domosdoshme dhe njerëzit duhet të respektojnë këshillat që autoritetet shtetërore po bëjnë.

“Shoqërisë sonë po i ndodh diçka. Në momentin që bëjmë thirrje për të qëndruar në shtëpi, për t’u mbyllur për disa kohë, u duket si imponim si detyrim. Por është një detyrim pozitiv, për të mirën e secilit. Duhet ta kthejmë situatën nga secili prej nesh. Nuk është detyrim i imponuar në mënyrë negative, por është për ta trajtuar situatën ashtu si i takon. Sepse duhet të kemi në ndërgjegje që jemi duke u riskuar. I them popullit të keni kujdes në të gjitha rregullat që jep shteti ynë, që janë këshilla botërore, mos e shikoni si dicka imponuese, që po bën trysni në aspektin psikologjik, por po merren masa që neve na takon si shtet. Ne kemi turp të tregojmë që jemi të edukuar, ndërkohë që e kemi aftësinë të jemi të edukuar. Ndërgjegja për t’u kujdesur për veten duhet të jetë më e madhe. Në momentin që na thonë që të qëndroni në shtëpi, qëndroni. Është për të mirën tonë, është efektive” shprehet në “Rreze Dielli” psikologia Manjola Baçi.