Në studion e emisionit “Rreze Dielli” me psikologen Aurela Agalliu dhe stomatologen Enkeleda Zhupa u ndalëm në një problematikë që haset shumë shpesh siç është ngrënia e thonjve.
Onikofagjia ose ngrënia e thonjve, çfarë fshihet pas këtij vesi, cilat janë dëmet në organizëm tek personat që kanë këtë varësi dhe si mund ta ndalojmë? Pse disa njerëz hanë thonjtë, a është i trashëgueshëm ky problem dhe çfarë sëmundjesh na shkakton?
Ngrënia e thonjve konsiderohet si një shprehi e keqe dhe formë e varësisë. Pavarësisht pasojave potenciale të shëndetit, mbi 30% e njerëzve e bëjnë këtë gjë. Arsyet kryesore se përse njerëzit hanë thonjtë janë më së shumti psikologjike si ndjenja e të relaksuarit, ngrënia e thonjve mund të sjell komfort gjatë situatave stresuese, ose edhe mund t’ju qetësojë gjatë procesit të angazhimit në një detyrë të vështirë. Gjithashtu edhe ata që irritohen ose zemërohen shpesh kanë tendenca të qetësohen nga ngrënia e thonjve. Ngrënia e thonjve përveç aspektit estetik shkakton dhe probleme të tjera shëndetësore, nga prishja e dhëmbëve, dëmtimi i nofullës por dhe infeksionet bakteriale. Të ftuarat në studion e “Rreze Dielli” tregojnë disa hapa sesi mund ta largojmë këtë ves.