Tavë elbasani - Tavë kosi nga zonja Albana

20 Nëntor 2023, 12:14

Tavë Elbasani - Tavë kosi

Përbërësit:

  • 500 gr mish
  • 2 lgj gjalpë
  • 2-3 vezë
  • 3 gota kos
  • 2 lgj miell
  • 1 lgj oriz
  • 1-2 gota ujë
  • Lëng mishi
  • Kripë

Përgatitja:

Ndajmë mishin në racione, e vendosim në tepsi, hedhim përsipër pak gjalpë dhe e vendosim në furrë. Herë pas here i hedhim nga pak ujë që të mos thahet. Pasi të piqet, e heqim nga furra. Në një tenxhere me gjalpë kaurdisim pak miell derisa të zverdhet, por jo të skuqet, shtojmë lëngun e mishit të pjekur holluar me ujë, e përziejmë dhe e lëmë të vlojë derisa të krijohet një salcë e trashë. E heqim nga zjarri, e lëmë të ftohet dhe pastaj shtojmë kosin, vezët, kripën dhe e përziejmë mirë. Në tavë hedhim pak oriz gjysmë të zier, radhisim thelat e mishit, sipër hedhim masën e përgatitur, pak gjalpë dhe e vendosim të piqet në furrë derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë. Nëse tavën e kosit e gatuajmë me mish dashi e vendosim të ziejë më parë për 10-15 minuta.