Tavë me lakër me beshamel nga zonja Albana

5 Tetor 2023, 12:11

Tavë me lakër me beshamel

Përbërësit:

  • 800 gr lakër e bardhë
  • 300 gr presh
  • 2-3 karrota
  • 1 qepë
  • 100 gr oriz
  • 400 gr mish i grirë
  • Nenexhik
  • Kripë, piper

Për beshamelin:

  • 500 ml qumësht
  • 100 gr gjalpë
  • 2 kokrra vezë
  • 100 gr miell
  • Arrë moskat

Përgatitja:

Fillimisht grijmë lakrën në fije jo shumë të holla, grijmë karrotën ndërsa preshin e presim imët rrathë-rrathë. I vendosim perimet në një tenxhere me 2 lugë vaj ulliri, 2-3 lugë ujë dhe pak kripë. I lemë të zbuten në zjarr të ngadaltë mbuluar me kapak duke i trazuar herë pas here. Në një tigan kaurdisim qepën me pak me vaj ulliri derisa të skuqet dhe pastaj hedhim mishin e grirë. Vazhdojmë kaurdisjen për pak minuta, më pas hedhim ujë të ngrohtë, orizin dhe i lemë të ziejnë. Rregullojmë shijen me kripë dhe erëza.

Në një tavë të lyer me vaj ulliri vendosim gjysmën e lakrave duke e hapur në të gjithë tavën. Sipër hedhim mishin e grirë dhe orizin duke e hapur edhe këtë në gjithë sipërfaqen e lakrës. Shtrojmë pjesën tjetrës të lakrës dhe në fund vendosim beshamelin të cilin e përgatisim duke kaurdisur miellin me gjalpin, e shuajmë me qumështin dhe sapo kremi të marrë valë shtojmë vezët me pak arrë moskat. E vendosim tavën me lakër në furrë të nxehtë në temperaturën 200 gradë për 30 minuta.