Të zhdukura që më 1 janar/ Gjenden në një hotel në Përmet 2 të miturat nga Tirana: Ikëm me dëshirë

5 Janar 2021, 16:35

Dy të miturat e zhdukura që prej 1 janarit, pasi ishin larguar nga shtëpitë e tyre në Tiranë pa lënë asnjë gjurmë, janë gjetur ditën e sotme në një hotel në Përmet.

Të miturat M. H dhe K. A, të moshës 16-vjeçare, shoqe me njëra-tjetrën, janë parë në shoqërinë e një burri rreth moshës 40-45 vjeç. Nga Tirana drejt Përmetit kanë ikur me furgon dhe më pas kanë shkuar në hotel.

Gazetari i Report TV, Sokol Dema raporton se dy vajzat, kanë deklaruar se janë larguar nga banesat pasi prindërit e tyre nuk silleshin mirë me ta. Vajzat kanë thënë se janë larguar me dëshirë. Sipas tyre, nuk ka patur persona të tjerë që t'i kenë detyruar për të ikur.

Nëna e njëres prej vajzave, Aida ka marrë në telefon ditën e djeshme në emisionin “Pa Gjurmë” që po transmetohej live në Report Tv ka bërë apel që ta ndihmojnë të gjejnë vajzën dhe të njoftojnë policinë.

Ajo fillimisht hodhi dyshime se vajza e saj mund të jetë gënjyer dhe rrëmbyer me qëllim trafikimin. Me lot në sy, kërkoi që kushdo që ka dijeni për vendndodhjen e tyre të lajmërojë, ndërsa kërkoi që të përdorej dhe fotoja e saj për të rënë në gjurmë të vajzave sa më parë.

Të miturat kanë lajmëruar prindërit se do të shkonin në banesën respektive të njëra-tjetrës për të uruar Vitin e Ri, dhe kjo ka qenë dhe biseda e fundit me to. Më pas vajzat kanë fikur telefonat, ndërsa prindërit kanë vënë re mungesën e disa parave, kartës së identitetit dhe disa veshjeve, duke lënë të dyshohet se ata janë larguar me dëshirë nga banesat e tyre. Pasi kanë humbur çdo kontakt me to prindërit bënë denoncimin në polici në komisariatin numër 1.