Herion Mustafaraj, djali çapkën i filmit ‘Beni ecën vetë’ në një rrëfim nostalgjie dje dhe sot... pasionet e tij të veçanta, jeta dhe familja si dhe projekti i fundit si regjisor me filmin ‘The shot- Çkrepja’.
Herion Mustafaraj është një personazh shumë i dashur për publikun shqiptar. Të gjithë e njohim si Beni, pasi ka lënë gjurmë në memorien tonë si djali çamarrok në filmin e famshëm shqiptar “Beni ecën vetë”, por karriera artistike e aktorit Herion Mustafaraj është e shtrirë në kinematografinë dhe teatrin shqiptar para dhe pas viteve `90. Për Herionin ëndrra Hollivudjane u bë realitet pas shumë angazhimeve në Teatrin Amerikan si aktor në Boston, New York e Los Angeles. Edhe pse prej shumë vitesh e ndan jetën mes Amerikës dhe Tiranës, ai nuk i ka munguar skenës shqiptare me projekte të ndryshme shumë të suksesshme.
"The Shot" ose "Çkrepja" është filmi i parë për Herionin si Regjisor. Ai është krenar të sjellë në ekranin e kinemasë një histori shqiptare të viteve 1900. Një histori Fotografie! Shqipëria e viteve 1900 përballë 2 koncepteve të një fjale të vetme "Çkrepja", gishti që shkrep këmbëzën e pushkës dhe ai që shkrep aparatin fotografik. I pari të merr jetën, i dyti të jep një kujtim të përjetshëm.