Sot është një ditë e veçantë dhe e mbushur me domethënie për besimtarët myslimanë në mbarë botën, festa e Fitër Bajramit. Pas një muaji të gjatë agjërimi, sakrifice dhe përkushtimi shpirtëror, kjo ditë vjen si një moment gëzimi, paqeje dhe reflektimi të thellë. Bajrami nuk është thjesht një festë, por një ndalesë për të kuptuar më mirë veten, për të forcuar lidhjen me Zotin dhe për të rikthyer vlerat më të pastra njerëzore si falja, dashuria dhe solidariteti. Në këtë diskutim do të ndalemi te kuptimi dhe mesazhi i vërtetë i kësaj feste: çfarë përfaqëson ajo për besimtarin pas një muaji agjërimi, si ndikon në formimin shpirtëror të individit dhe në marrëdhëniet me të tjerët. A arrijmë ne të jemi më të mirë, më të duruar dhe më të kuptueshëm, apo ende mbartim paragjykime ndaj njëri-tjetrit për mënyrën si e praktikojmë besimin?
Fitër Bajrami është një ditë faljeje, dashurie dhe afërsie, por mbi të gjitha është një ndjenjë e brendshme, një paqe që lind në zemër dhe reflektohet në çdo veprim. Sot, në këtë bisedë në “Rreze Dielli”, do të trajtojmë besimin në kohët moderne dhe rrugëtimin personal të secilit drejt Zotit. Mesazhe të rëndësishme vijnë edhe nga figura të njohura: Hoxhë Shpëtim Seranaj e cilëson këtë ditë si kulmin e një muaji sakrifice, duke apeluar që ndryshimi i përjetuar të mos mbetet i përkohshëm. Ndërsa gazetarja Jona Kaso ndan përvojën e saj personale, nga vendimi për të vendosur shaminë deri te udhëtimi i saj në Mekë, një eksperiencë që ajo e përshkruan si thellësisht transformuese dhe thelbësore për çdo besimtar.





















