"Verorja", fuqia magjike që sjell shëndet në Ditën e Verës

13 Mars 2019, 17:44

Sot zakonet e vjetra me verore rreth dorës, i mbajnë mend vetëm gjyshet, të cilat brez pas brezi i kanë trashëguar nga stërgjyshërit të cilët ende kur s’kishte lindur krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër perënditë e luleve, të shelgjeve të zogjve shtegtarë etj. Ata paralajmëronin shkrirjen e borës, dhe buzëqeshjen e verës, kur zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t'u falen perëndive që sillnin këto mirësia. Dhe ashtu leu festa që e quajmë Ditë e Verës.

Filli dyngjyrësh që vendoset në ditën e parë ose të trembëdhjetë të marsit është një prej simboleve më përfaqësuese të ditës së verës. Verorja, ose siç njihet ndryshe edhe si verojka, sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe është një lloj byzylyku i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës.Cikli i festave të pranverës, i cili bie më 1 mars - sipas kalendarit të vjetër ose më 14 mars-sipas kalendarit të ri, festohet në të njëjtën ditë si te shqiptarët, maqedonasit ashtu edhe te popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë.

 “Verorja klasike” që u vihej të vegjëlve "për shëndet" në festat pranverore ka qenë praktikuar nga shqiptarët, grekët, maqedonasit, bullgarët, rumunët por edhe nga turqit e Maqedonisë.Për popujt e Ballkanit sot verorja është para se gjithash traditë dhe një urim simbolik për shëndet dhe fat të mirë. Por dikur veroren e kanë konsideruar si amulet i cili mbron njerëzit, bagëtinë dhe shtëpinë nga “fuqitë e këqija” të dimrit.Përveç fijeve me ngjyra në të mund të përfshihen edhe elementë të tjerë si monedha, nyje, pjesë nga degët e thanës etj.

Muajin mars të vegjël e të mëdhenj i sheh që mbajnë nëpër duar veroret të cilat tradicionalisht i bëjnë nënat ose gjyshet, por në disa treva, veroret i mbajnë edhe njerëzit edhe kafshët. Ato lidhen në pemë të ndryshme, në stallë dhe kotec, apo në sende të përditshme si: tezgjah, djep e në dy dorëzat e derës.Veroret përgatiten para lindjes së diellit që të neutralizohet fuqia, sepse besohej se nga një marsi fillonte që dielli ishte më i fortë.

Vendosja e verores karakterizohet dhe me një dëshirë e cila pritet të plotësohet gjatë verës. Për sa i përket heqjes së saj treva të ndryshme kanë tradita të ndryshme. Pothuaj te të gjithë popujt e Ballkanit varret në një trëndafil dhe rri tërë natën. Një pjesë e heqin dallëndydhen sapo shohin dallëndyshen e parë e më pas e vendosin atë në pemën më të lartë në mënyrë që zogjtë ta marrin dhe të ndërtojnë fole. Nëse zogjtë e marrin, atëherë kjo do të thotë që dëshira e menduar është plotësuar.  Kur vinin dallëndyshet e para, atyre iu këndoheshin edhe vargje me të cilat shpreheshin urime për shëndet, gëzim e lumturi si

                     “dallëndyshke, veshkëlushke,

                     nai verojkat, shpirmi n’det

                     sillmë bukë dhe shëndet!”

 Një tjetër traditë thotë se vajzat e reja që e mbajnë veroren, dhe dallendyshet i marrin për fole do të martohen brenda vitit. Kështu qe kur shihnin se verorja nuk ishte ato ja nisnin me pergatitjen e pajes.

Verorja tashmë është bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCOs Vendimi për ta bërë pjesë në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit u mor në 6 dhjetorin e vitit që kaloi në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Shpëtimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Verorja u pranua në listën e përzgjedhur të trashëgimisë jomateriale UNESCO! Dosja u depozitua nga Rumania bashkë me tri shtete të tjera: Bullgaria, Maqedonia dhe Republika e Moldavisë – në të cilat kjo traditë e pranverës ekziston me disa ndryshime në formë, por që ka të njëjtën frymë.