Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Brokoli me qumësht, kos dhe vezë / Supë me mish, kos dhe lëpjetë / Qofte me presh, djathë dhe nenexhik.
I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” gazetari dhe fotografi i botës së egër Arian Mavriqi. Që nga fëmijëria Ariani u dha pas botës së egër dhe fotografisë. Këtij pasioni vështirë se i gjen vend në qytetet plot me ndërtesa të egra pasi kjo egërsi nuk është e njëjtë me llojin e asaj që Ariani e kërkon me aq përkushtim. ”Ne jemi dokumentues të kafshëve më të veçanta që syri i njeriut nuk mund t’i shohi në jetën e përditshme, si kaprolli, dreri i egër, apo shpendët më të veçanta që gjenden në malet tona”shprehet ai. Një moment tjetër i rëndësishëm në karrierën e Arianit është dhe kur Kompania gjigande Microsoft, i bëri një koment fotos së gazetarit, pasi kjo e fundit kishte një ngjashmëri mbresëlënëse me logon që përdor aktualisht windows si simbol të saj në faqen e parë.
Nga Firenze me Lulzim Vulashi, shkodrani furrtar me profesion i cili u bë i njohur, pasi dhuronte bukën falas për të gjithë gratë që nuk kishin mundësi t’a blinin. E mban mend shumë mirë ç’ka hequr kur shkeli për herë të parë në tokën Italiane, e tani që punët i shkojnë mirë, mendon të ndihmojë të tjerët. I gjithë qyteti e njeh për nismën e bukur dhe tashmë e identifikojnë lehtësisht ne dyqanin e tij “Pane, amore e fantasia”. Lulzim Vulashi është i njohur në Firenze, përveç të tjerave dhe për hapjen e shisheve të shampanjës me shpatë... Dyqani i tij është bërë shumë viral dhe frekuentohet nga shumë turistë që vizitojnë qytetin magjik të Firenzes, por edhe nga shumë VIP-a shqiptarë.
Studenti më i vjetër i diplomuar në Shqipëri, 77-vjeçari Destan Dangëllia. Pengu më i madh i jetës së tij ka qenë studimi dhe dija, por i pamundur ai gjeti mundësinë që Universitetin t’a niste vetëm në moshën 65-vjeçare. “Për shkak të kushteve dhe mohimit që më bënë në atë kohë, para viteve ‘90 nuk munda të diplomohesha, por kjo ëndërr nuk u shua kurrë brenda meje” kështu e nis rrëfimin Destan Dangëllia. Më pas studenti që pret vetëm të marr diplomën foli dhe për historinë e dashurisë me bashkëshorten, një dashuri që nga rrëfimi i Destanit, ka nisur që në klasë të tretë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.