Vera është e mahnitshme, ditë të gjata, netë të ngrohta por dhe shumë “mysafirë të paftuar” si mushkonjat. Por, a ka një mënyrë për t’i shmangur ato dhe për të shpëtuar nga pickimet e padëshirueshme?
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin “Rreze Dielli”, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja tregoi disa mënyra sesi të shpëtojmë njëherë e mirë nga mushkonjat. Së pari shprehet Merja, pickimet e mushkonjave përveç se të bezdisshme mund të transmetojnë dhe infektojnë viruse të ndryshëm, në rast se një mushkonjë ka pickuar një person me hepatit ekziston mundësia që nëse pickon dhe një individ tjetër t’a infektojë atë.
Bima e rigonit është një nga bimët më të mira që vijnë në ndihmë për largimin e mushkonjave por dhe të insekteve të tjera, pasi aroma ngacmuese e gjetheve të rigonit paralizon instiktin nuhatës të insekteve. Gjithashtu degët e domateve janë shumë efikase në largimin e mushkonjave. Specialisti Merja tregoi dhe disa mënyra efikase të përdorimit të bimëve të ndryshme dhe vajrave të tyre esencial për të lyer fëmijët dhe të rriturit. Përpos këshillave, në fund të bisedës treguam sesi të realizojmë pa kosto një “çark” për mushkonjat, shumë efikase për shtëpitë me oborr apo në plazh.