POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Dëmi financiar/ 42 pedagogë në Gjirokastër u paguan pa u diplomuar

Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër

Administrata e Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër ka shpërdoruar paratë e studentëve me anë të pagesave të padrejta për pedagogët, për udhëzime në Qipro, për dieta dhe shpenzime të tjera abuzive. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi auditimin financiar në Universitetin “Eqrem Çabej”Gjirokastër, për periudhën 2010-2012, 42 persona pjesë e personelit akademik, kanë përfituar pagesa të padrejta për titull shkencor, pa mbaruar procesin e diplomimit.

“Shuma si përfitim e padrejtë nga 39 persona është në vlerën prej 12,382,340 lekë dhe shuma për 3 persona është në vlerën 387,737 lekë përfituar nga kryerja e pagesave për titull shkencor të akorduar pa mbaruar procesi i diplomimit. Në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 467, datë 18.07.2007 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin shkencor e pedagogjik , të personelit akademik” si dhe në kundërshtim me ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar neni 5, neni 6, janë paguar punonjës akademik për vitet 2009, 2010, 2011,2012 pa u pajisur me dokumentin zyrtar diplomë për titullin e fituar, dokumenti nuk është i akorduar dhe nuk është i regjistruar në Regjistrin Shtetëror të diplomave në MASH për 39 punonjësit akademik”, thuhet në raport.

Kontrolli i Lartë i Shtetit nga auditimi i kryer në Universitetin “ Eqrem Çabej” në Gjirokastër konstatoi se nuk interpretohen drejt dhe për rrjedhojë nuk zbatohen me korrektësi udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mbi realizimin e kohës së punës për punonjësit akademik kryesisht për kohën e orëve suplementare duke përfshirë në këto orë, orët part-time që duhen të miratohen për t’u paguar, referuar akteve në fuqi.

( Kliko këtu ) për Raportin e plotë të Auditit të KLSH 2010 - 2012 në Universitetin e Gjirokastrës

Udhëtime dhe dieta  
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 47 persona nga Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë udhëtuar brenda dhe jashtë vendit me paratë e studentëve, në mënyrë të padrejtë. Një grup pedagogësh dhe studentësh të këtij universiteti kanë shkuar në në Universitetin e Qipros me ftesë jo origjinale, ndërkohë që këto shpenzime referuar një marrëveshje të mëvonshme rezulton se ishin përballuar nga pala ftuese, dhe ku vetë Rektori ka qenë pjesë e grupit.

“Shuma si përfitim i pa drejtë nga 16 persona është në vlerën prej 773,390 lekë përfituar si pjesëmarrës në aktivitetin në Qipro si “Dieta për pjesëmarrësit në Qipro” (aktualisht shpenzime transporti). Kjo shumë është përcaktuar si detyrim referuar konstatimit se dokumentacioni bashkëlidhur urdhër shpenzimin nr. 169, datë 13.07.2009 (në bankën “Raiffeisen Bankë”) në shumën 354,345 lekë dhe urdhër pagesën nr. 36, datë 15.07.2009 në shumën prej 419,045 lekë, është dokumentacion jo i mbështetur sipas kërkesave të ligjit nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 6942, datë 25.12.1984 “Për ruajtjen dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale dhe monetare”.

Shuma si përfitim i pa drejtë nga 31 persona është në vlerën prej 1,011,300 lekë përfituar nga kryerja e pagesave për dieta brenda vendit. Kjo shumë është përcaktuar si detyrim referuar konstatimit, se janë paguar, bazuar në urdhër shpenzimet dhe dokumentacionit bashkëlidhur shpenzimit, dieta për ditët jo zyrtare të punës (të shtuna dhe të diela) në kundërshtim me VKM nr. 997 datë 10.12.2010 pika I”, konstaton KLSH.

Pagesa të tjera
KLSH ka konstatuar shkelje me kosto financiare edhe sa i takon pesave për punë të pedagogëve jashtë normales. “Shuma si përfitim në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi i 19,731 orëve është në vlerën gjithsej prej 18,817,746 lekë nga punonjësit akademik për kohë jashtë kohës normale të punës për funksione administrative, ku përfitimi sipas viteve objekt auditimi është: Për vitin 2010 janë paguar 27 punonjës akademik për shumën totale 6,281 orë dhe vleftën 6.013.917 lekë.

Për vitin 2011 janë paguar 24 punonjës akademik për shumën totale 8,360 orë dhe vleftën 7,876,635 lekë. Për 6 mujorin e parë të vitit 2012 janë paguar 26 punonjës akademik për shumën totale 5,090 orë dhe vleftën 4,927,194 lekë. Kjo shumë është përcaktuar si detyrim, referuar konstatimit se këto pagesa janë kryer në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 748, datë 11.06.2009 “ Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve akademik të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë”, të ndryshuar, neni 10”, thuhet në raport.

Abuzime të tjera sipas raportit të KLSH

  1. Në Universitetin “Eqrem Çabej” nuk ka kontrata pune të konfirmuara si për punonjësit efektiv të miratuar me vendime të Këshillit të Ministrave për çdo vit buxhetor, ashtu dhe kontrata një vjeçare për personelin akademik të punësuar për nevoja të realizimit të programeve mësimore, veprime që bien në kundërshtim me ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995, “ Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar dhe Statusin e Universitetit “ Eqrem Çabej”.
  2. Nuk janë mbajtur kontributi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, referuar kufirit maksimal të përcaktuar për pagën mujore, për personelin akademik të jashtëm dhe për personelin akademik të brendshëm, veprim që bie në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1114, datë 30.07.2008 “ Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr. 7703, datë 11.05.93 “ Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
  3. Nga auditimi i dokumentacionit justifikues të shpenzimit për shërbimet brenda vendit, rezultoi se ky nuk është i plotë në referencë të aktit nënligjor përkatës. Për të gjithë periudhën objekt auditimi mungon autorizimi i titullarit të institucionit që përcakton kohën e zgjatjes së shërbimit dhe qëllimin e tij, veprim që bie në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 997 , datë 10.12.210,
  4. Në administrimin e dosjeve të tenderëve të zhvilluar për vitet 2010, 2011 dhe 6 mujori I vitit 2012, kishte mungesa të theksuara në dokumentacionin fizik dhe inventari nuk ishte bërë konform kërkesave nenit 12, pika 2, të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar si dhe Ligjit nr. 9154, datë 06.11.2003“Për Arkivat”,
  5. Në të gjitha dosjet e tenderëve mungonte procesverbali i miratimit të dokumenteve standarde të tenderit (DST), veprim ky në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 të ndryshuar, kreu V, pika 2/a,b , si dhe me Manualin e prokurimit publik “Udhëzuesit e procedurave të prokurimit publik” pika 2.3, dhe 2,5.
  6. Mungonin kopje të botimit në Buletinin e Njoftimeve të APP mbi shpalljen e tenderit dhe fituesin, në kundërshtim me Manualin e prokurimit publik, pika 3.1” Njoftimi kontratës”.
  7. Referuar konstatimit se nuk është dokumentuar konsumi i karburantit për kaldajën, duke mos dokumentuar ndezjen e sajë, nga përgjegjësi i sektorit të shërbimeve (çdo ditë dhe monitorimi të konfirmohej me mbajtjen e një proces verbali ditor) si dhe nuk kishte një grafik të miratuar për ndezjen e kaldajës nga strukturat menaxhuese të universitetit.

d.ba./
Komento