Dëshmitë në UEFA, Skënderbeu: Mohuam akuzat, drejtësi presim vetëm në CAS

Dëshmitë në UEFA, Skënderbeu: Mohuam akuzat, drejtësi presim vetëm në CAS

Skenderbeu

Klubi i Skënderbeut ka reaguar pas seancës së sotme që është zhvilluar në komisionin e apelit pranë UEFA-s, lidhur me dënimin disiplinor me përjashtim për një periudhë 10 vjeçare nga kompeticionet europiane dhe masën disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro.

Seanca ka zgjatur 6 orë. Përveç presidentit Ardjan Takaj, ka dëshmuar edhe Sabien Lilaj, i cili ishte i kërkuar nga vetë anëtarët e Komisionit të Apelit.

Gjithashtu, me anë të një video-konference nga Korça, ka folur edhe futbollisti afrikan Bakari Nimaga, i cili nuk ka udhëtuar në Zvicër për shkak të dokumentacionit. 

Në seancë janë pyetur edhe ish-kapiteni Bledi Shkëmbi (tani trajner i Lirisë së Prizrenit), ish-mesfushori kosovar Bernard Berisha (luan me Akhmat Grozny në Rusi), si dhe Liridon Latifi (Akadema Pushkash në Hungari), të tre protagonistë vite më parë me Skënderbeun në grupet e Europa League.

Në përfundim të seancës, klubi i Skënderbeut përmes një deklarate për mediat thekson se nuk presin drejtësi nga apeli në UEFA, por nga CAS. Komisioni i Apelit pritet të japë vendimin pas një jave nga kjo seancë dëgjimore, por dënimi prej 10 vitesh nga kupat e Evropës dhe gjoba prej 1 milion euro nuk besohet se do të hiqen apo reduktohen.

Bëhet fjalë për një gjykim që bëhet brenda UEFA-s nga dy komisione të të njëjtit organ dhe në bazë të precedentëve, Komisioni i Apelit nuk ka përmbysur një vendim të dhënë më parë nga Komisioni i Disiplinës apo i Etikës së UEFA-s.

Mundësitë për klubin korçar janë për në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të Lozanës, ku drejtuesit e Skënderbeut do të kërkojnë pafajësinë, e premtuar kjo edhe nga avokatët që po merren me këtë çështje.

Sot, më datë 26.04.2018, është zhvilluar seanca dëgjimore në komisionin e apelit pranë UEFA-s, lidhur me dënimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit ‘Skënderbeu’ me përjashtim për një periudhë 10 vjeçare nga kompeticionet europiane dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro nga komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s.

Përfaqësuesit tanë ligjorë, kanë argumentuar sërish para trupave gjykuese të UEFA-s mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s.

Në seancën e zhvilluar sot në Lozanë, para panelit kanë dëshmuar pjesatarë të stafit drejtues, lojtarë aktualë dhe ish lojtarë të Skënderbeut, të cilët kanë mohuar kategorikisht akuzat e ngritura nga inspektorët e UEFA-s.

Duke marrë në konsideratë egzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organeve gjykuese, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ rikonfirmon edhe njëherë mosbesimin për drejtësi në këtë fazë fillestare të procesit dhe shprehim edhe njëherë bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultatet e pritura në CAS, (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv).

Deklaratë e klubit të Skënderbeut

 

/er.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm