E vërteta na duhet neve, jo Taulant Ballës

E vërteta na duhet neve, jo Taulant Ballës

Pinoku, simbol i genjeshtrës

Andi Bushati kapi një aspekt të rëndësishëm mbrëmë në debatin e organizuar nga Ylli Rakipi, në përpjekje për të kuptuar më mirë ngjarjen që përfshiu ish komisarin Emiljano Nuhu dhe vajzën e re nga Nikla, Xhisiela Maloku. Përse ish-komisari, sa ishte në Shqipëri deligjitimoi institucionet dhe preferoi të denonconte faktet e tij të rënda te ish-kryeministri Berisha e më pas në media, ndërsa tani, që është në komoditetin dhe sigurinë e azilantit në Zvicër, kur i kërkohen fakte, i bëhen pyetje për të shkuar tek e vërteta e rëndë, ai hesht duke thënë se “do t’i drejtohet institucioneve”? Carlo Bollino i bëri një tjetër pyetje ish-komisarit: Përse në denoncimin e tij të parë për kërcënim, apo gjatë kalimit të informacionit ish-kryeministrit Berisha, Nuhu harroi të shkruante faktin e rëndë të presioneve me armë, sipas tij, të Taulant Ballës dhe kryebashkiakut të Krujës? Përse u shtua më vonë prej tij dhe opozitës ky version i tyre?

Edhe këtë herë, të gjithë ne jemi të përfshirë në një situatë gjigande vorbulle e mjegulle, nga e cila kërkojmë të dalim vetëm përmes të vërtetës. Por e vërteta duhet kërkuar. Në të njëjtën kohë ndodh një tjetër çudi: Të njëjtët gazetarë që me ashpërsi dhe vendosmëri “gozhduan” Xhisielën se përse nuk e pohon para kamerave që është dhunuar e djegur barbarisht nga ish i fejuari i saj, Rexhep Rraja, sot në pranga, djali i deputetit të PS, shqetësohen nëse të tjerë gazetarë përpiqen të kuptojnë këtë tjetër ngjarje që nëse rezulton e vërtetë, do të prekte e dhunonte një vend të tërë, idealet, familjet, ëndrrat e një populli për drejtësi e shtet: A ishte i pranishëm atë natë, me pistoletë në kokën e institucioneve, kreu i grupit të PS Taulant Balla dhe kreu i Bashkisë së Krujës, në përpjekje për të fshehur dhunën, arrogancën dhe idiotësinë e djalit të deputetit socialist?

Kush kërkon të zbardhet ky aspekt i rëndë i ngjarjes, i hedhur në publik përmes ish-komisarit, opozitës dhe ndjekësve të saj të bërë përherë e më agresivë dhe gjykues në rrjetet sociale, kërkon të krijojë një alibi për Taulant Ballën dhe të tijët? Aspak.

Nëse deri tani, me gjithë kontradiktat e vajzës, kemi një hap konkret nga drejtësia për të ndaluar dhe gjykuar djalin-dhunues, ngjarja e dytë tepër e rëndësishme është sqarimi dhe transparenca mbi përfshirjen apo jo të pushtetit në varrosjen e të vërtetës. Por këtu duket se ata që e mbështetën, besuan, shpërndanë me shpejtësinë e erës versionin e Nuhut, bezdisen, nëse dikush kërkon të shohë më mirë e të kuptojë më qartë. “Ti nuk i beson Nuhut? Ti mbron pushtetin!” Por pyetjet dikush, pa asnjë kompleks e me profesionalizëm duhet t’i bëjë e për ato pyetje pritet ende një përgjigje.

Dikush nuk e beson fare që Taulant Balla të ketë shkuar në ato anë, “s’ishte e nevojshme” thonë sikur ajo që tha ish-komisari të jetë një kapriço e hedhur sa për të përfituar azil. Por pas bombës së hedhur, duhet të shohim qartë pasojat dhe viktimat e saj: A është i drejtë dhe i sinqertë Emiljano Nuhu ashtu si dhe Xhisiela? A është ai i shtyrë të sajojë për përfitime ekonomike dhe politike apo thotë të vërtetën? A kemi njerëz dhe struktura shtetërore që kanë nisur të distancohen e ta dënojnë edhe moralisht kriminalitetin apo jemi rrethuar ende njerëz që flirtojnë dhe e miklojnë atë?

Skrupoloziteti në zbadhjen e plotë të kësaj ngjarjeje na ndihmon të gjithëve të shohim mirë në fytyrë ata që thonë të vërtetën, por edhe të dallojmë njëherë e përgjithmonë gënjeshtarët e manipulatorët.

Askush nuk ka pse të mërzitet nëse i bëhen pyetje ish-komisarit Nuhu se përse në denoncimin e tij të parë harroi të shkruante e të përmendte emrat e titullarëve të lartë të strukturave politike e të shtetit dhe përse i shtoi më vonë, ai, ish-kryeministri Berisha, disa gazetarë... Askush nuk ka pse të mërzitet pse Xhisiela këmbëngul dhe thotë se ç’tha komisari ishin gënjeshtra dhe ç’thotë ajo për ish-të fejuarin e saj ishin “hakmarrje për xhelozi”. Janë të gjitha dëshmi që ndihmojnë të vërtetën që ende e plotë, në dritë të diellit, nuk ka dalë.

Askush nuk duhet të mërzitet për çdo pyetje që bëhet për të dalë në dritë ngjarja; deri më tani kemi faktet se Xhisiela është dhunuar dhe përndjekur nga ish i fejuari, pavarësisht asaj që vajza mohon; deri tani nuk kemi ende provat e ngjarjes që na prek të gjithëve dhe që na i tha ish-komisar Nuhu. Presim pikërisht këto.

Mbi këtë vërtetë asnjë nga ne nuk duhet të bëjë asnjë skonto, nuk duhet të kundërsulmojë e të hedhë tjetër tym për depistim  (një gazetar shqetësohej që të verifikohej se me ç’makinë kishte dalë nga Shqipëria Nuhu!!!). Ishte apo jo Taulant Balla në komisariat për të bërë presion, nuk ndihmon Taulantin. Ai, si Xhisiela, e di vetë të vërtetën në ishte apo s’ishte atë natë. Drejtësia mbi këtë rast na ndihmon të gjithëve për të kuptuar nëse ka apo jo shpresë të ribëjmë Shqipërinë, apo, ta konsiderojmë edhe këtë herë, si një përpjekje të disave, të mërzitur pa masë për privilegjet dhe kohët e arta kur në pushtet kishim PD-LSI, qajnë për atë kohë dhe punojnë që të rivijë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Foden 'gjahtar', Manchester City mposht 0-4 Brighton dhe kërcënon Arsenalin

GOLAT/ Foden 'gjahtar', Manchester City mposht 0-4 Brighton dhe kërcënon Arsenalin