POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Kokainë nga Holanda në Itali/ Goditet banda në Milano, arrestohen 9 shqiptarë, grupi mesazhe të koduara me ‘Berluskoni-in’

Shkatërrohet një grup kriminal i trafikut të kokainës në Milano. Nga 11 të arrestuar 9 prej tyre janë shqiptarë dhe 2 italianë. Ky grup merrej me trafik kokaine në Evropën Veriore dhe kryesisht në pjesën e Italisë veriore. Hetimet e kryera nga Sektori i Kontrollit të drogës të Milanos, në koordinim me Prokurorinë Publike, kanë filluar në fund të vitit 2015 dhe ndihmoi për të identifikuar dy grupe të ndryshme kriminale që importuan sasi të mëdha të kokainës nga Holanda, duke përdorur makina të pajisura me ndarje sekrete për fshehjen e lëndës narkotike.

Hetimet e drejtuara nga prokurori i Milanos, Luigi Luzi, sollën edhe sekuestrimin e 40 kg kokaine të pastër, me një vlerë prej 4 milionë eurosh. “Lënda ishte shpeshherë shumë e pastër, deri në 92%”, është shprehur prokurori italian. Kokaina e prodhuar në Amerikën Jugore, dërgohej drejt Amsterdamit dhe nga aty transportohej me kamion drejt Italisë. Trafikantët ishin banues në Milano, Breshia, Bergamo dhe në periferi të këtyre tre qyteteve.

Sipas medias italiane “Corriere.it”, Grupi i parë i trafikantëve është identifikuar në Turro të Milanos, ku shqiptarët janë takuar në barin me emrin ‘Vitaminat’. Gjatë disa takimeve u bë i mundur identifikimi i tre drejtuesve të grupit që organizuan importimin e kokainës nga Holanda në Itali përmes një korrieri italian. Më 1 shkurt 2016 grupi i parë organizoi importin e 5 kg kokainë nga Holanda në Milano. Nga hetimet u vërejt se ka pasur pajisje sekrete në makinë. Grupi i dytë i trafikantëve, gjithmonë formuar nga shqiptarët, ka vepruar në Bresso Cusano Milanino, në veri të Milanos, ku kokaina e importuar nga Holanda u ruajt në depo. Ky grup fillimisht ka përdorur korrier droge me shtetësi italiane.

Në një fazë të dytë ata kanë punësuar një shofer kamioni shqiptar, duke përfituar nga rrugët që bënte ai nga Holanda në Itali, e kanë përfshirë atë në këtë aferë. Pas hetimeve, fillimisht u arrestuan 5 vetë. Përvec 11 arrestimëve është bërë edhe sekuestrimi i 16 kilogramë hashash, 2.5 kg kokainë dhe 7000 euro cash. Në hetime është vënë re se trafikantët në disa raste kanë pasur mesazhe të koduara. Ata kanë përdorur në mesazhe fjalën “Berluskoni”. Emri i ish-kryeministrit italian është përdorur për faktin se është një “fjalë” e cila ka 10 shkronja. Kështu, B ata i thoshin të parit person, me E i drejtoheshin të dytit, e kështu me radhë. Hetuesit zbuluan dhe ç’montuan kështu këtë grup kriminal të trafikut të lëndëve narkotike nga Holanda në Milano.

d.ba./ke.mu.
Komento