POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ndalimi i kafes në orarin e punës dhe masat për plehrat, Sandër Lleshi sqaron dy urdhrat e parë: Ja përse i mora

Sandër Lleshi

TIRANE-Ministria e Brendshme ka reaguar pas publikimit në media të dy urdhrave të parë të Sandër Lleshit pas komandimit në krye të këtij dikasteri.

Ministria sqaron se urdhri administrativ për punonjësit e administratës lidhet me nevojën për një performancë më të lartë dhe imazhin e duhur publik, ndërsa përsa i përket urdhrit të dytë theksohet se ‘synon parandalimi i fenomenit të djegieve në vend-depozitimet e mbetjeve’.

Urdhri i parë lidhej me ndalimin e frekuentimit të kafeneve apo restoranteve përveçse në raste festash apo fatkeqësish familjare, apo vetëm me lejen e eprorit për punonjësit. 

Ndërsa në urdhrin e dytë Lleshi kërkon nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë që të merren masa urgjente për të marrë në dorë kontrollin e situatës për djegien e mbeturinave.

Nga dita e martë Ministria e Brendshme drejtohet nga Sandër Lleshi, por si i komanduar nga kryeministri Rama. Lëvizja e Ramës për ta emëruar zv/ ministër dhe më pas për ta komanduar erdhi si pasojë e refuzimit të Presidentit Meta për ta dekretuar pa asnjë arsye.

REAGIMI I PLOTË I MINISTRISË SË BRENDSHME
Ministria e Brendshme vlerëson të nevojshme të sqarojë se urdhri administrativ për punonjësit e administratës së Ministrisë së Brendshme, punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të varësisë, lidhet me nevojën për një performancë më të lartë dhe imazhin e duhur publik.

Urdhri i Zv.Ministrit të Brendshëm për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit synon parandalimin e fenomenit të djegieve në vend-depozitimet e mbetjeve. Kjo për t’i i dhënë fund një praktike absurde dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit është e vendosur për të marrë masa të forta ndaj kujtdo shkelësi, autoriteteve vendore, atyre të Mjedisit dhe subjekteve apo individëve të tjerë, që me veprime apo mos-veprime shkaktojnë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Ditët e fundit një problematikë e shtuar lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura apo pranë qendrave të banuara është konstatuar në qarqet Durrës, Vlorë, Kukës, Tiranë e Dibër.

Në këto kushte strukturat vendore të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit, duke ushtruar patrullime shtesë në këto zona dhe duke punuar ngushtësisht me strukturat përgjegjëse në Prefektura, Bashki, si dhe me ato të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për ta zgjidhur përfundimisht këtë problematikë.

Ora 16:19
Lleshi dha urdhër për djegien e mbeturinave, zjarrfikësja dhe policia e Shtetit nisin punën (Foto)

Pas urdhërit që ministri i Brendshëm i komanduar, Sandër Lleshi dha për vënien nën kontroll të situatës me mbetjet urbane në Tiranë, kanë ardhur edhe rezultatet e para.

Në disa foto të shpërndarë nga Ministria e Brendshme, shihet se ka nisur fikja e zjarreve ku po digjen mbeturinat dhe se në këto vatra ndodhen forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë.

d.ba./l.q.
Komento