Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar katër drejtorë rajonalë të Hipotekave dhe dy të ALUIZNI-it, gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë ku është analizuar puna e drejtorive rajonale.
Burime për Shqiptarja.com thanë se kreu i qeverisë ka evidentuar performancën e dobët të drejtorëve, ndryshe nga sa kishte kërkuar ai në takimet e mëparshme me krerët e Hipotekës dhe ALUIZNI-t, për t'i shërbyer me korrektesë qytetarëve dhe zbatuar ligjin. Rama e ka konsideruar të tepërt qëndrimin e tyre në detyrë kur sipas tij rezultatet nuk janë optimiste, ka mosrealizim plani dhe gjithashtu performancë të dobët. Rama ka shkarkuar Besnik Cenkon dhe Irma Shtinin për zonën e Tiranës.
Shqiptarja.com ka mësuar se mes të shkarkuarve janë edhe krerët e Hipotekave të Sarandës Jonida Abduli, Pogradecit Majlind Shira, Malësisë së Madhe Fatmir Shpellaj dhe Devollit Valbona Beshi, ndërsa drejtuesit e tjerë të larguar nuk bëhen të ditur. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama shkarkoi kreun e Hipotekës së Krujës, Edmond Daci, vetëm tre muaj pasi ishte emëruar në këtë detyrë. Daci u zgjodh në krye të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Krujë, 3 muaj më parë pas një konkursi të hapur.
'Furtunë' te Hipoteka dhe ALUIZNI, Rama shkarkon 6 drejtorë për performancë të dobët, ja emrat
Komento