I njohur nga të gjithë shqiptarët si “Daja” i Ezelit, aktori i njohur turk Tuncel Kurtiz ka ndërruar jetë në moshën 77 vjeçare ditën e djeshme në Turqi. Lajmi është bërë publik nga mediat turke e po ashtu edhe në “uikipedia” ku është shënuar dita e vdekjes së aktorit. Ndërkohë në rrjetet sociale në Shqipëri kanë vërshuar statuse dhe postime për këtë lajm të keq.

Fansat shqiptar të këtij seriali e kanë pritur me trishtim vdekjen e aktorit, ndërsa kanë postuar edhe thënie të tij nga seriali “Ezel”. i lindur në vitin 1936 në Izmit të provincës Kocaeli,  Kurtiz gjatë karrierës ka punuar si skenarist, aktor dhe regjizor. Gjatë karrierës, ka fituar çmime të ndryshme si aktor dhe si skenarist. Një nga rolet më të rëndësishme ka qenë ai në filmin “Suru” dhe pastaj në serialet e shumta televizive.

Në Shqipëri u bë i njohur me rolin e Ramiz Karaeskit në serialin “Ezel”, i cili ka qenë njëherësh roli i tij më i rëndësishëm në vitet e fundit. Sipas mediave turke, Kurtiz ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimit të kokës pas rrëzimit në shtëpinë e tij në Stamboll.

Shkrimi u publikua sot (28.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)