10 arsye përse Georgia Meloni e Italisë nuk ngjason me asgjë në Shqipëri

10 arsye përse Georgia Meloni e Italisë nuk ngjason me asgjë në Shqipëri

Giorgia Meloni

Mes 33 kryeministrave që ka Shqipëria në historinë 110-vjeçare si shtet, asnjë prej tyre nuk është grua. Tashmë që në Itali fituesja e zgjedhjeve parlamentare është “Fratelli d’Italia” dhe Georgia Meloni do jetë e para grua në krye te qeverisë atje, në Shqipëri po stiset teoria se 45-vjeçarja nga Roma mund të sjellë ndryshime dhe shumë shpejt në pushtet do vijë e djathta. Është nga ato krahasimet e çuditshme a thua se raporti ynë politik me Italinë i ngjan motit që nëse bie sot shi në Romë, është e sigurt që e shumta pas tre ditësh do bjerë shi në Tiranë. Këto teori pa lidhje më kujtojnë gjithashtu edhe një histori reale të vitit 2001 kur isha Drejtor i Informaiconit në TV Koha.

Gazetari Gentian Dervishi realizoi në atë kohë një kronikat që nuk besoj se e teproj më të mirat në historinë e medias shqiptare kur në orën 02.00. të natës intervistoi mbështetës të Partisë Demokratike që flinin në lulishten pas monumentit të Skënderbeut në pritje të zbardhjes së ditës për të protestuar kundër qeverisjes socialiste. Gazetari i zgjonte nga gjumi një e nga një, u drejtonte mikrofonin dhe i pyeste ashtu vrik përse e donin PD-në. Fjalët e një prej atyre militantëve ishin proverbiale: “Tre B ka bota, Bush, Berlusconi dhe Berisha. Në SHBA Bushi u zgjodh president. Në Itali Berlusconi u zgjodh kryeministër dhe në Shqipëri Sali Berisha do zgjidhet kryeministër”. Sigurisht që vetëm militanti dinte ta lidhte SHBA-në dhe Italinë me Shqipërinë por edhe Bushin dhe Berlusconi-n me Berishën. Kushedi sa i zhgënjyer do ketë mbetur pak muaj më vonë ai kur PD humbi zgjedhjet dhe Berisha nuk u zgjodh kryeministër.

Vimë tani pas më shumë se 20 vjetësh. Ka një ngazëllim në Partinë Demokratike se fitorja e Melonit është një sinjal që edhe në Shqipëri do vinë në pushtet të djathtët. Këtij parashikimi pa lidhje i është shtuar edhe ai tjetri që ka të bëjë që në krye të qeverisë shqiptare për herë të parë të bëhet një grua. Spekulimet arritën deri aty sa në ekrane dhe nëpër analiza të renditeshin edhe emra grash që mund të bëhen Georgia Meloni shqiptare. Por a ka vend në Shqipëri për një revolucion politik si i Meloni-t me idetë dhe konceptet e saj qeverisëse të së djathtës? A ka vend në Shqipëri që rasti italian i përmbysjes së forcave të majta në këtë mënyrë të përsëritet edhe këtu? A ka vend që për herë të parë në një shekull e një dekadë shtet shqiptar të drejtojë qeverinë një grua?

Së pari, fakti që Italia është vendi përballë nesh 70 kilometra me të cilin marrim dhe japim shumë nuk do të thotë domosdoshmërisht që çdo gjë që ndodh atje do përsëritet këtu. Italia ka jo vetëm panorama të ndryshme politike nga Shqipëria, por mund të themi se nuk ka asnjë ngjasim, asnjë lidhje dhe asnjë tendencë politike me ne që t’i ngjajmë vendit fqinj. Si e tillë, fitoja e të djathtës atje për shumë rrethana dhe arsye nuk mund t’i ngrejë veshët e të djathtëve këtu vetëm e vetëm se fitoi “Frateli d’Italia”, rrjedhimisht këtu do fitojë patjetër Partia Demokratike sikur të vësh në punë llampën e Aladinit.

Së dyti, kryeministrja e re Georgia Meloni fitoi betejën e saj elektorale që në momentin kur nisi të hidhte tezat e saj që i konvertoi në sfida të hapura publike. Çështja e familjes, identiteti familjar, identitetit gjinor, identiteti kombëtar italian ishin ato që i mbushën italianët me frymë optimiste dhe këtë frymë ua dha një grua që ka një familje, që është nënë dhe premtimet e mëdha të politikanëve konkurrentë i zëvendësoi me premtime të thjeshta për masën e njerëzve. Deri më sot në Shqipëri nuk ka asnjë burrë dhe asnjë grua politikane që të ngrejë teza të tilla të thjeshta dhe t’i ketë premtime kryesore elektorale. Në Partinë Demokratike fjalori politik dhe premtimet rrotullohen rreth të njëjtave probleme. Askush nuk flet për familjen shqiptare që ka pësuar trauma të pariparueshme me shifra të frikshme divorcesh apo me dhunën ndaj grave dhe fëmijëve. Askush nuk flet për identitetin gjinor që edhe në Shqipëri për vihet jo pak në rrezik dhe askush nuk bën diçka për identitetin kombëtar që rrezikohet nga ikjet masive dhe shpopullimin e vendit.

Së treti, Georgia Meloni ka qenë shumë e qartë edhe në raport me Bashkimin Evropian. Politikania italiane ka qenë e prerë në kërcënimet e Brukselit ndaj Italisë, ekonomisë së tretë më e fuqishme në unionin evropian. Dhe pavarësisht kësaj ajo kurrë nuk ka deklaruar se Itali do dalë nga BE dhe të tjera ekstremitet si këto. Shqipëria jo vetëm nuk ka lidhje me këtë raport, por fakti që nuk është anëtare e BE, e shikon me dylbi këtë skenë politike.

Së katërti, Georgia Meloni fitoi edhe për mënyrën se si ajo ka reklamuar konceptet e të djathtës. Edhe pse ka mbi shpinë etiketime si ekstremiste duke ia veshur krahasimeve si Marine Le Pen që për pak bë presidente në Francë, Meloni nuk ka asnjë lidhje me ekstremizmin e saj por me shkundjen që i bëri në Itali të djathtës nëpërmjet koncepteve që e ndajnë me të majtën. Në Shqipëri nuk ka ndonjë dallim të madh mes partive të djathta dhe të majta. Nuk ka dallim as në politika sociale të PS-së me PD-së dhe si të tilla nuk ka asnjë ngjashmëri me Georgia Meloni-n e as me “Fratelli d’Italia”.

Së pesti, Georgia Meloni fitoi në Itali edhe për shkak të paqëndrueshmërisë së të majtës atje. Në vitete e qeverisjes së tyre treguan paqëndrueshmëri. Ndërrimet e kryeministrave dhe qeverive ishte e tillë saqë Italia politike cilësohej vendi më e paqëndrueshëm në radhët e BE. Dhe pas fitores së Melonit, humbja e Partisë Demokratike dhe dorëheqja e Enrico Letta-s vërtetë është një goditje e madhe e të majtës. Në Shqipëri kjo paqëndrueshmëri ndodhi deri në vitin 2005 kur socialistët ndërruan disa qeveri dhe në 8 vjet kishin tre kryeministra. Pas viti 2005 vendi ynë ka krjijuar një stabilitet politik si me të djathtët por sidomos me të majtët. Edi Rama është shumë i sigurtë në PS dhe vetë PS është po aq e sigurtë në mandatin saj të tretë dhe këtë e pranoi në një farë mënyre edhe kryetari i PD Sali Berisha gjatë fjalës në Këshillin Kombëtar të mbledhur të shtunën.

Së gjashti, Georgia Meloni është një grua që solli dhe bëri revolucion në politikën italiane. Vetëm disa vite më parë atë nuk ne llogarisnin si fituese. Parashikimet më entuziaste për të ishin se do merrte një pakicë votash dhe kaq. Por jo, kjo grua ndryshoi politikën italiane, arriti të kapërcejë çdo lloj paragjykimi, çdo lloj llogarie dhe sot është mbi të gjithë ata burra që e shpërfillën dhe e përçmuan. A ka në Shqipëri një të ngjashme si Meloni? Mjafton të bësh këtë pyetje dhe përgjigja vjen vetvetiu. Këtu gratë në politikë pothuajse bëjnë si burrat. Janë po aq të ashpra si burrat sepse mendojnë se vetëm kështu do dominojnë. Këtu disa gra politikane sulmojnë më shumë gratë kundërshtare se sa burrat kundërshtarë.

Madje më keq akoma, sulmojnë gratë aleate se sa gratë kundërshtare. Ka jo pak hilaritet kur kuptojmë se ndonjë grua politikane në opozitë vërtetë i ka mbushur mendjen vetes se mund të bëhet kryeministre e Shqipërisë dhe këtë synon ta rrijë nëpërmjet bukurisë, shkeljes së syrit, rrobave të shtrenjta firmato, qendrimit non-stop në ekrane përballë gazetarëve që nuk i bëjnë pyetje dhe akademive private që disponon në të cilat flet shatra-patra. Epo, Georgia Meloni nuk ka asnjë lidhje me këtë lloj politikaneje si në Shqipëri.

Së shtati, Georgia Meloni tregoi përulje të sinqertë ndaj atyre qe e mbështesin. Ata që e kanë ndjekur sado pak jo vetëm në fushatë por edhe më parë, gruaja nga kryeqyteti italian është treguar aq e afërt me njerëzit që e mbështesnin por edhe ndaj atyre që i kishte të sigurt që nuk do e votonin. Nuk tregoi asnjëherë fodullëk dhe arrogancë në mënyrën se si po bënte politikë. Këtu në Shqipëri, si të majtët që janë në pushtet por edhe të djathtët në opozitë i kap delirimi se pa ata shqiptarët nuk mund të ekzistojnë. Unë e kuptoj që një pushtetar mund të mos jetë i përulur, por se si një deputet i opozitës të krekoset si gjeli në majë të plehut, nuk arrij ta konceptoj. Përulja e një opozitari këtu po bëhet një sport i rrallë sepse politika këtu nuk vlerësohet si në shërbim ndaj njerëzve po si zotësi e disave që fryhen më shumë, gënjejnë më shumë dhe mburren më shumë. Epo Meloni as këtu nuk ka ngjasim.

Së teti, Georgia Meloni tregoi se një politikan i suksesshëm është një orator i sukesshëm. Cili i djathtë në Shqipëri është një orator i mirë? PD ka mbetur ende te oratoria e Sali Berishës. Për tetë vjet në krye të PD Lulzim Basha nuk arriti të mbajë një falim për të qenë. Ai asnjëherë nuk ngriti peshë zemrat e atyre që e dëgjonin. Por çudia është se asnjë nga PD nuk ka një oratori për të qenë dhe të nxjerrë nga goja fraza që ndikojnë të publiku. Të gjithë lëshojnë fraza pa kuptim dhe që nuk i mbeten askujt në memorie. Këtu nuk përjashtohet asnjë profesor që sforcohet shumë nëpër analiza të frymëzojë të djathtët, por nuk shkon më shumë se ajo fjalia që tha në një takim në Laç përpara mbështetësve të PD: “Më besoni mua. Lulzim Basha është trim”. Do ishte për të qeshur që edhe në këtë pikë të bësh krahasime me Melonin, videot me fjalime të së cilës nëpër takime gjatë fushatës u bënë bërë virale për mendimet e saj dhe ndikimin që ka patur në publik.

Së nënti, Georgia Meloni tregoi si diti të mbledhë dhe grumbullojë më të mirën brenda partive të tjera të djathta. Silvio Berlusconi i “Forza Italia” dhe Matteo Salvini i “Lega Nord” arritën të merrnin ato vota që i dhanë vërtetë fiton e madhe të djathtës italiane. Kimia mes tyre është e reale dhe e tillë që krijuan frymë të përbashkët dhe një aleancë që solli në pushtet pas kaq vitesh të djathtë. Në Shqipëri partitë e quajtura të vogla janë vetëm parti kryetarësh dhe asgjë më tepër. Kur një forcë politike këtu humbet si në rastin e fundit të zgjedhjeve parlamentare, ata shfaqen vetëm në parlament. Ndërsa kur një forcë politike këtu fiton zgjedhjet, partitë e vogla pothuajse nuk ekzistojnë. Shikoni aleatët e Partisë Socialiste. A ka ndonjë parti e të vogël të majtë? Nuk ka.

Së dhjeti, Goergia Meloni ishte një leksion i hapur edhe për gjithë kontinentin plak. Mes disa krizave, mes luftës në Ukrainë dhe mes krizës ekonomike globale, gruaja italiane tregoi se Evropa ka mundësinë për ta kthyer kontinentin në normalitetin që i nevojitet. Riciklimi i krizave ekonomike si pasojë e poltikave të gabuara në disa shtete është një rrezik që nuk po dëmton vetëm Italinë, por edhe shtete të tjera të fuqishme. Po Shqipëria çfarë roli ka këtu? Asnjë rol. Asnjë lidhje dhe asnjë ngjasim. Shqipëria thjesht e vështron Italinë e Georgia Melonit të saj. Jemi 70 kilometra në distancë ajrore, por mijëra në distancë politike.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës