Qyteti në orët e para të mëngjesit të datës 27 nëntor kishte një pamje të ndriçuar. Edhe moti ishte në favor, shkëlqimi vinte sa nga qielli, aq dhe nga sheshi në qendër të qytetit e bulevardi Skelë-Shesh i flamurit. Shqiptarë nga Struga, Tetova, Mitrovica, Presheva, Ohri, Prishtina, Prizreni, Ulqini e shumë të tjerë që nuk arrita t’i dalloja e t’i shihja, kishin mbushur si asnjëherë bulevardin kryesor të qytetit, me postera të mëdhenj gati tre metra, mes bulevardit, me mesazhe pavarësie në gjithë gjatësinë e vet.
Organizimi? I jashtëzakonshëm. Shpëtim Gjika do t’u jepte titullin “Qytetar Nderi” në sallën Petro Marko dy personaliteteve, Rexhep Qoses e Xhon Uidhers, të cilët së bashku me kreun e opozitës Rama, ecën përgjatë sheshit në këmbë.
Gjëmonte daullja dhe gajdja, çiftelia e violina. Vajza e djem të veshur me kostume karakteristike të trevave të ndryshme shqiptare, që e linin dhe e merrnin këngën e vallen duke e kthyer Vlorën në datën 27 në një atmosferë ndryshe feste, i jepnin gjallëri dhe shumë ndalesa vargut të madh të njerëzve që ndiqnin parinë.
Rruga për te teatri “Petro Marko” që nga Skela ishte e gjatë. Akademiku i nderuar Rexhep Qosja u lodh pak. Xhon Uidhers shihte me admirim njerëzit që e përshendesnin dhe donin ta takonin. Edi Rama ngrinte në krah e përqafonte fëmijët e vegjël që nxitonin ta përqafonin, nga ata me dhe pa qeleshe...shkurt, festa kishte filluar. E mandej një drekë për nder të personaliteteve pasi ata morën titullin Qytetar Nderi, në një ceremoni të mirëorganizuar dhe me shumë mesazhe. Të gjithë e kuptuan se Rexhep Qosja kishte “thyer” betimin se nuk do të vinte në Shqipëri pa ikur nga pushteti Sali Berisha, dhe Uidhers, kthehej për herë të parë në Shqipëri pasi kishte lënë mandatin si ambasador.
Vlora atë natë priti dhe kryeministrin. I cili mbërriti me vonesë, për shkak të trafikut tejet të ngarkuar për të shtruar darkën zyrtare në hotel Internacional. E kishte paragjykuar prezencën e njerëzve në Vlorë kryeministri, por fakti që mbeti në trafik për shkak të lumit të madh të makinave që i drejtoheshin Vlorës, bëri që të ndryshonte idenë.
Në hotele, nuk gjeje vende. Vlonjatët, kishin hapur dyert dhe prisnin e përcillnin njerëz që kishin ardhur me familjet e tyre. Si të prisnin me padurim se çdo të ndodhte mëngjesin e 28 nëntorit, me qindra e qindra të ardhur në qytet, i kanë kaluar orët e natës në makinat, autobuzat e furgonët nga kishin ardhur.
Mëngjesi i datës 28, ishte magjik. Deti i njerëzve kishte ardhur deri në Sheshin e Flamurit. Me sy të lirë, nuk mund ta përcaktosh sesa ishin.
(Foto nga festimet në Vlorë)
KTHIMI NË TIRANË
Më leverdiste të udhëtoja herët, sapo përfundoi ceremonia e ngritjes së Flamurit, për të kapur në kohë ceremonitë e mbrëmjes në kryeqytet, sidomos në pritjen zyrtare të Presidentit të Republikës.
Mesditën e 28 nëntorit, pa u mbyllur mirë moria e aktiviteteve dhe koncerteve në sheshin e Flamurit, mora makinën për të dalë nga rruga Transballkanike, por udhëtimi ishte i pamundur. Një orë për të bërë 1 kilometër rrugë. Mijëra makina dhe autobuzë që linin Vlorën për të qenë në Tiranë dhe mijëra të tjerë që ishin stacionuar përgjatë rrugës për të vazhduar festimet në Vlorë.
Policët, mund të ishin heronjtë e Pavarësisë. Kanë qëndruar me orë e orë të tëra në mes të rrugës, herë duke bërtitur e ulëritur, herë të tjera duke hequr kapelet e kruar kokën se nuk u jepnin dot zgjidhje vargut të makinave që hynin e dilnin, e të tjerave që ishin parkuar deri në mesin e autostradës Vlorë-Levan që mban emrin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Pa dashur të tregoj peripecitë e rrugës, gjithçka ndodhte me shqiptarët që kërkonin të vraponin me makinat e tyre drejt Tiranës duke bllokuar trafikun, më duhet të them se pas plot pesë orësh mund të mbërrije në Tiranë.
FESTA E PRESIDENTIT
Festa e Presidentit për nder të Pavarësisë e Çlirimit është e përvitshme, dhe mbahet në 28 nëntor në Pallatin e Brigadave sipas rregullit të parashkruar në Protokoll. Shkëlqimi i datës 28, sigurisht ishte në Vlorë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit. Te presidenti, më së shumti, shkohet për qokë. Duhet të ishin me sy të lirë mbi 400 të ftuar. Në orën 20.30 presidenti i priste të gjithë, diplomatë, biznesmenë, njerëz të medias, të politikës, të shoqërisë civile, artistë, ushtarakë, miq e shumë të ftuar. Të gjithë ishin mbledhur me shumë siklet në Pallatin e Brigadave, nën një shi të dendur, mes çadrave që hapeshin e mbylleshin, vajzave e grave që zbrisin nga makinat me taka të larta e që zhyteshin në pellgaçe të vogla uji, policëve që orientonin makinat të iknin me shpejtësi pa zbritur ende personat apo personalitetet nga makinat, sepse pritej të vinte presidenti e kryeministri... pra shkurt një katrahurë që nuk ta merr mendja. Mandej, gratë e vajzat që në shumicën e tyre nga zbritja e makinës te dera e Pallatit të Brigadave ishin bërë si “pula të lagura”, kontaktin e parë duhet t’a kishin me tualetet, për të bërë ndonjë grim të fundit e për t’u dukur sa më mirë në këtë festë mondane.
Nuk preferova ta kryeja këtë rit të pazakontë. Unë si gjithë të tjerat, dukesha si mos më keq. Tej lodhjes së rrugës, e nxitimit për të qenë në formë në Presidencë, ia kurseva vetes të bëja gjoja kur mendoja se nuk ndryshon dot gjë.
Aty në sallë, filluan orët e pritjes. Kërkonim për presidentin po ai nuk kishte mbërritur akoma. Duhet të përfundonte koncerti festiv, e mandej mundej që personalitet të shkelnin në sallën e Pallatit të Brigadave. Veçse kjo pritje, i kaloi limitet normale ndërsa ora shkonte 22.30. Deri në këtë kohë, të ftuarit nën shoqërinë e njëri tjetrit filluan pijet, shampanjë, konjak, ndonjë gotë verë apo lëng, ndërsa në pjesën ku serviret katering, kur erdhi Presidenti, nuk kishte mbetur gjë më për të ngrënë. Ndoshta drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ishte treguar e kursyer, por nuk e di nëse në fund mbeti ndonjë gotë verë. Para se të vinte presidenti, nëse shkoje te pjatat e kateringut, do të shikoje se pjatat ishin boshatisur, nuk kishte mbetur gjë: qofte, sallamra, djath, ndonjë frut, ëmbëlsira, asgjë fare. Ç’na duhej torta, ne VIP-at ishim aty, dhe tavolinat ishin boshatisur sikur nuk kishim ngrënë tërë ditën.
Të ftuarit po thoshin se pritja i kaloi limitet; se duhet të largoheshin; se kjo ishte një gjë që s’kishte ndodhur më parë; se kur hymë brenda Pallatit të Brigadave askujt nuk iu bë ndonjë lloj kontrolli...sa shumë “se” e “sepse” u thanë derisa erdhi çasti i shumëpritur: ai i mbërritjes së Presidentit.
Anoncohet nga protokolli fillimi i Hymit Kombëtar. Dy plazma të mëdha kishin fokusuar personalitetet që qëndronin krah presidentit. Hymni nuk po fillonte. Duhet të priteshin disa çaste sa të puthej kryeministri me Rita Orën, këngëtaren me famë botërore që po ashtu ishte e ftuar në Pallatin e Brigadave. Pasi u puth kryeministri, filloi Hymni...E nderuam të gjithë. Tani përshëndetjen e kishte Presidenti. Por jo. Anoncuesi thotë që të ftuarit do t’i përshëndesë presidenti i Partive Popullore Evropiane, Martens. “Çfarë?” Një psherëtimë thuajse në grup u dëgjua nga gjithë të ftuarit. Një shkelje e rëndë e protokollit. Martens, megjithë respektin që mund të kemi për të, filloi të fliste me letër përpara. Me aq sa mund të dëgjohej mes zhurmës që po bëhej, foli për meritat e Shqipërisë, për punën e mirë që kishte bërë qeveria për këtë 100 vjetor, e plot të tjera nga këto, sikur të fliste në Kuvendin e Partisë Demokratike. Të ftuarit shkëmbenin romuze me njëri tjetrin, trokisnin gotat për pavarësinë, hanin ç’të kishte mbetur, dhe u përfshinë në një muhabet për “7 palë qefe” siç thonë shqiptarët. Askush nuk e dëgjoi. Madje, edhe ata që ishin në krye të vendit, duket se nuk po e dëgjonin. I kishin bërë një nder të madh kreut të PPE. Edi Rama, kryetari i PS, i ktheu kurrizin; Ilir Meta, aleat i PD, preferoi të largohej përfundimisht nga pallati i Brigadave (sa mirë e zgjodhi se e shmangu katrahurën e daljes nga godina) duke mos e dëgjuar fjalimin e presidentit. Martens foli plot 20 e kusur minuta. Si të ishte te kuvendi i PD. Ai përfundoi dhe anoncohet...Atifete Jahjaga, presidentja e Kosovës. Me një fjalim më të gjatë, për dy shtetet, për një komb, për lumturinë që ndjente ndërsa ishte në festën e gjithë shqiptarëve. Fjalimi zgjati shumë. Në banak tani nuk shërbeheshin as pije, sepse duhet të përfundonin fjalimet.
Dhe ja më në fund del Presidenti Nishani që përshëndet shqiptarët që e ndiqnin nga ekrani, dhe të pranishmit në Pallatin e Brigadave. Çuditërisht, foli për shqiptarët e çuditshëm, në një fjalim, që s’e kishim dëgjuar nga ndonjë president tjetër më parë për mënyrën e rrëfimit. Pëshpërimat ndërsa fliste Presidenti, filluan të shtoheshin. Fjalimi i tij, u bëri përshtypje të gjithëve. Rreth orës 23.00 mendohej se gjithçka përfundoi, për t’i lënë vendin një tjetër meseleje.
DALJA NGA PALLATI I BRIGADAVE
Kam më shumë se 10 vjet që për shkak të detyrës jam e ftuar në ceremonitë e festimeve të Pavarësisë në Pallatin e Brigadave. Nuk më ka ndodhur ndonjëherë që të mos kem trokitur gotën e shampanjës me Presidentin e Republikës dhe në emër të medias që përfaqësoj të shkëmbejmë urimet me të për Pavarësinë. Dreqi e mori, në këtë 100 vjetor do kisha dashur t’a takoja më shumë sesa ndonjëherë tjetër. Por, ishte e pamundur.
Sikur të ishte ndokush që kishte thënë se “kanë vënë bombë te Pallati i Brigadave”, turma e madhe e të ftuarve u dynd njëherazi në hyrje të derës kryesore të Pallatit të Brigadave për të dalë jashtë.
Çtë thuash! Shiu jashtë me gjyma, të ftuarit VIP që shtynin njëri tjetrin në përpjekje për të ikur nga sytë këmbët; ora që shkonte 23.30. Shiu që binte me sqotë të madhe, i lagu të tërë në frontin e parë të pritjes së makinave. Lufter Xhuveli kishte zënë vend pas rojeve të nderit; i nderuari Janullatos, kishte vënë shaminë e zezë mbi gojë e mbi hundë për të mos ndjerë erën dhe frymën aty; ca ishin të parfumosur, ca të lagur, makina e tij s’po vinte; me ambasadorin britanik dhe të shoqen fillova të shkëmbej përshëndetjet derisa atyre t’u vinte makina dhe shoferi për t’i shoqëruar, madje të dy palët po shprehnim habi se çfarë po ndodhte; botuesi Ylli Ndroqi me bashkëshorten prisnin po ashtu makinën t’u vinte, ndërkohë njerëzit shtynin e shtyheshin. Disa bodigardë na shtynë të gjithëve, na morën përpara si delet, për t’i hapur rrugë daljes së ambasadorit amerikan, që as e ktheu kokën të përshëndeste njeri, por që me vështirësi e me një buzëqeshje siç duket nga sikleti, po përpiqej të dilte nga dera se po e priste makina. Një burrë që nuk arrita ta dalloj se kush ishte, por nuk e kisha hasur ndonjëherë tjetër nëpër pritje, kërkonte makinën se ku e kishte me ulërima në telefon, por dikush nga ana tjetër e telefonit siç dukej i thoshte se ishte te dera. Ky i ziu, në frontin e parë të shiut, si një mburojë për ne të tjerët që ishim më brenda i bërtiste se ai ishte vetë te dera. E ç’vajti, ç’vajti. Kaos total. Brenda, me muzikë popullore, luheshin lodrat e kërceheshin vallet, jashtë ne VIP-at shtyheshim se kush të ikte një orë e më parë.
Unë? U përpoqa t’i hipja dikujt tjetër në makinë që të mos bëhesha prapë ujë. Me sugjerimin e policisë makina ishte parkuar në fillim të portës hyrëse të Pallatit të Brigadave. Kolegët e Top Channel u treguan bujarë të më merrnin deri atje për t’i shpëtuar kaosit.
Dhe po mendoja: çfarë kishim më pak ne që shtyheshim atje, sesa ata njerëzit që merrnin tortën me çanta nga sheshi “Skënderbej”!!!!!
Nuk kishte asnjë mundësi të zgjidhej ky kaos me një mirëorganizim? Sa më shumë kaos përjashta, aq më shumë kaos brenda. Do të doja të mos i shkruaja këto rradhë, por nuk mund të rrija pa e papërshkruar atë skenë qesharake për të cilën të gjithë ata që ishin prezent do kenë folur me miq e shokë gjatë orëve të mbrëmjes apo edhe mëngjesit.
* * *
Megjithëkëtë, ky ishte 100 vjetori i Pavarësisë. Tej këtyre që ndodhën, festa kishte ngjyra kuq e zi të paharrueshme dhe një emocion të papërshkrueshëm. Mund të kishte shkuar edhe më mirë, por e mira s’ka fund thotë populli. Këto duhen thënë e shkruar, ndoshta nuk i përsërisim vitin tjetër. Ndoshta duke parë se çfarë nuk shkoi mirë, e rregullojmë herën tjetër.Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)