TIRANË- Gati 15 vite nga krimi shtetëror i 21 janarit, ende asnjë përgjegjës nuk është ndëshkuar për 4 vrasjet në bulevard me plumbat e shtetit dhe plagosjen e qindra protestuesve të tjerë gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Ky i fundit është thirrur në SPAK për herë të parë për të dhënë llogari, njëjtë edhe si ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti edhe vetë i plagosur 21 janarin e 2011-ës, thotë për Report Tv se prova të reja ka në duart e SPAK pasi autoritetet amerikane kanë rikuperuar pamjet që u fshinë nga hard disku i kryeministrisë. Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, Mahmutaj thotë se hard disku është rikuperuar thuajse i gjithi. Ai thekson se në hard disk ndodhen tashmë të gjitha pamjet, bashkë me audio, që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë më 21 janar në territorin brenda dhe jashtë kryeministrisë.
“Ka gati 3 vite që provat e reja janë bashkëngjitur dosjes pas kallëzimit që familjarët e Nikës depozituan në SPAK dhe më pas ishte gjykata e lartë që vendosi që çështja të rihapet. Prova e re që konsiderohet në këtë lloj çështje, rikuperimi i hard diskut të kryeministrisë, që u bë nga autoritete amerikane. Hard disku është rikuperuar thuajse i gjithë për faktin se nga ato pjesë të hard diskut vetëm njëra është zëvendësuar në natën mes 21 dhe 22 janarit, të tjerat u fshinë që të ishin të parikuperushme. Ato arritën rikuperonin përveç njerëz prej pjesë që është zëvendësuar. Ishin fshirë me djegie, ishin ruajtur si depozita por ishin fshirë në formë të tillë që mos të rikuperoheshin, por këtij pjese të hard disqeve janë rikuperuar. Hard disqet kanë pasur regjistrimet audio të asaj dite ne kryeministri dhe kamerat audio dhe video që vëzhgonin gjithë territorin e jashtëm dhe të brendshëm të kryeministrisë. Vetëm njëra prej pjesëve ishte shkatërrua, ndërsa pjesët e tjera janë rikuperuar të gjitha. Kemi një lloj përgjimi që u shfaq për publikun, kur shefi i gardës iu komunikon të qëllojnë mbi protestuesit. Kjo u bë si një lloj testi për të testuar opinionin publik dhe drejtësinë, për të thënë që provat ekzistojnë”, tha Mahmutaj në Report Tv.
Por, gazetari thekson se hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit janë të vonuara, pasi sipas tij jemi ende në fazën e hetimeve paraprake. Mahmutaj pyet se çfarë i mungonte Prokurorisë deri më tani, në një kohë kur vrasjet në bulevard janë bërë “ditën për diell”.
“Jemi 15 vite të plota, ne nuk jemi as në fazën e hetimeve paraprake, në raste të tilla kodi i procedurës penale, parashikon gjykimin e drejtpërdrejtë. Kemi një ngjarje që s’ka pasur diçka të paramenduar më parë. Nuk ka gjë për të fshehur, s’ka nevojë të presim 15 vite për gjëra që bëheshin që 2 ditët e para. Çfarë i mungonte prokurorisë deri më tani? Është krim që ka ndodhur ditën për diell, në mes të bulevardit, ka ndodhur para institucioneve të kryeministrisë. Ka qenë transmetim live, pra jemi në fazën që kjo nuk ka më nevojë për zbardhje te tilla. Është topi në ana e SPAK që nuk po vepron, Berisha prej kohësh duhej të ishte në burg”, thekson Mahmutaj.
Gazetari Mahmutaj thotë në Report Tv se përgjegjësinë direkte për vrasjet e 21 janarit e ka ish-kryeministri Sali Berisha, të cilin e cilëson si urdhëruesin e vrasjeve dhe shton se prej kohësh duhej të ishte në burg.
“Përgjegjësinë direkt e ka Berisha, që ishte urdhëruesi dhe organizatori i krimit qeveritar që ndodhi më 21 janar në bulevard. Kush mund të qëllonte aty pa urdhrin e Berishës? Berisha ka treguar që në të gjitha protestat që ka organizuar, ka pasur të vrarë, nuk do shumë mend kjo punë për të shkuar në idenë që Berisha është urdhërues i vrasjeve”, vijon Mahmutaj.
Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.
Ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, e më pas ish Kryeministri Sali Berisha janë dy figurat kryesore, edhe në atë ngjarje, që janë thirrur deri më tani për t’u marrë në pyetje.
Komente










