Pavarësisht përjashtimit nga ndalimi për të hyrë në SHBA (për arsye në interes të SHBA-ve), vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen e kryedemokratit Sali Berisha dhe familjes së tij ‘non grata’ mbetet ende në fuqi.
Këtë fakt e konfirmon jo vetëm statusi i tij në faqen zyrtare të DASH, por edhe mungesa e kryedemokratit në festën e zhvilluar sot në Pallatin e Kongresëve në Tiranë, për 250 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.
Pra Berisha vazhdon të mos marrë më ftesa nga zyrtarë të lartë amerikanë apo nga Ambasada Amerikane dhe me shumë gjasa do të vijojë edhe në të ardhmen, por vetëm i është ‘liruar’ viza për të shkuar në SHBA.
Mes qindra të ftuarve në festën në Pallatin e Kongreseve, ishin edhe përfaqësues të partive politike nga PS, PD, PR, Partia Mundësia, kabineti qeveritar dhe zyrtarë të tjerë.
Në festën e zhvilluar munguan gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj, të cilët ndodhen jashtë vendit për takime zyrtare.

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, deklaroi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë sot më të forta se kurrë, ndërsa vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë nga izolimi drejt demokracisë dhe integrimit në aleancën perëndimore.
Gjatë pritjes zyrtare me rastin 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, VanHorn kujtoi se më 4 korrik 1776 themeluesit e Amerikës shpallën parimet e barazisë, lirisë dhe të drejtës për ndjekjen e lumturisë, vlera që sipas saj vazhdojnë të udhëheqin vendin edhe sot.
“Për gati dy shekuj e gjysmë, nuk ka pasur pengesë më të madhe ndaj tiranisë dhe shtypjes sesa këto fjalë të fuqishme. Për 250 vjet, Amerika ka qenë një fener shprese për njerëzit në mbarë botën që dëshirojnë të marrin frymë të lirë”, tha ajo, duke cituar edhe Presidentin Donald Trump.
VanHorn vlerësoi veçanërisht transformimin e Shqipërisë pas rënies së komunizmit.
“Shqiptarët e njohin mirë dëshirën për liri. Udhëtimi i kombit tuaj nga shtypja dhe izolimi drejt demokracisë dhe aleancës perëndimore është një nga historitë e mëdha të suksesit të kohës sonë. Ju po ndërtoni një shoqëri dhe institucione që nxisin lirinë dhe drejtësinë për të gjithë, përmes guximit dhe sakrificës”, u shpreh ajo.
Diplomatja amerikane ndau edhe historinë e Loni Adamit dhe Kol Kuqalit, dy ish-punonjës të Ambasadës Amerikane në Tiranë, të cilët, sipas saj, u vranë nga regjimi komunist pasi refuzuan të dëshmonin në mënyrë të rreme kundër Shteteve të Bashkuara.
“Besimi i tyre në lirinë dhe në lidhjen e pathyeshme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet një frymëzim për ne të gjithë”, tha VanHorn.
Ajo theksoi se partneriteti mes dy vendeve është forcuar në fusha të ndryshme, duke përfshirë bashkëpunimin ushtarak, lidhjet tregtare dhe mbështetjen e vlerave demokratike.
“Lidhja jonë është sot më e fortë se kurrë më parë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur një botë ku mbretëron liria, të udhëhequr nga parimet e paqes nëpërmjet forcës dhe partneriteteve të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta”, deklaroi ajo.
Komente










Urime per aleatin me te mire demokratik SHBA , aleati me I madh I te gjithe kohrave qe kemi patur ! Urime 250 vjetorin! Krenari shteti shqiptar i pas 1912-tes kishte nje aleat si USA ! Vend demokratik dhe gjuha jone e dyte pas italishtes! Urime Gézuar USA
PërgjigjuCfare lidhje kemi ne me Ameriken ? Thjesht jemi koloni e tyre por mos e permendni fjalen partner se eshte turp
PërgjigjuTuri ke creegullime mendore.RROFTE Amerika poshte neeofashistet dhe anarkiste marksiste