Me një shikim të mprehtë e zhbirues, ballë të gjerë që rrezatonte urtësi, flokë të krehur me kujdes, një nishan karakteristik në faqe dhe një ecje të shtruar, ai mbante me vete një portret të papërsëritshëm, atë të urtësisë, dhimbjes së theilë dhe të rezistencës së heshtur. Në memorien e bashkëvuajtësve të tij — mes të cilëve edhe bashkëpunëtorë e të burgosur që lanë dëshmi prekëse — pamja e Gaqo Pecit brenda ambienteve të burgut 313 mbetet ikonike. Ai ecte duke çaluar, i sakatuar nga torturat e hetuesit, por me një fisnikëri të lindur.
***
Ka përvjetorë që nuk shërbejnë thjesht për të shënuar vitet e mungesës së një njeriu, por për të reflektuar e për të bërë një bilanc të thellë moral të kujtesës sonë kombëtare. Çerekshekulli më parë, më 12 gusht 2001, mbylli sytë përgjithmonë intelektuali i shquar, gjuhëtari dhe viktima e krimeve çnjerëzore të diktaturës komuniste, “Mësuesi i Merituar”, Gaqo Peci.
Gaqo Peci lindi në Korçë më 31 gusht 1920. Studimet e mesme i kreu në Liceun Francez të Korçës, ndërsa studimet e larta në Tiranë, në Institutin Pedagogjik. Për mbi 25 vite, ai ushtroi veprimtarinë pedagogjike, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në mësimdhënien e gjuhës frënge, si dhe të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Veprimtaria e tij profesionale u shqua jo vetëm për përgatitjen dhe përkushtimin pedagogjik, por edhe për formimin e tij të gjerë intelektual dhe për integritetin e lartë moral e qytetar. Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.
Në vitin 1976, për shkak të antikonformizmit ideologjik, edhe pse pensionist, arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet heqje lirie në burgun e Spaçit, për agjitacion dhe propagandë.
Si bir i patriotit të madh të Rilindjes Kombëtare, Sotir Pecit, Gaqo Peci mbarti mbi supe jo vetëm trashëgiminë e rrënjosur me dashuri për atdhenë, por edhe peshën e rëndë të një sistemi që goditi pamëshirshëm elitën e vërtetë intelektuale të asaj periudhe.
Ky 25-vjetor nuk është vetëm një përkujtim për një figure intelektuale të ndritur të qytetit të Korçës por duhet të jetë një apel i fortë për ndërgjegjen tonë kolektive: një thirrje për të mos harruar pafajësinë e goditur dhe për të nderuar dinjitetin e pashkelur njerëzor dhe tentuan të krijojnë “njeriun e ri”, sipas shëmbëlltyrës së tyre.
Figura e Gaqo Pecit, simboli i intelektualit që nuk pranoi ti përulej një regjimi gjakatar. Me jetën e tij si arsimtar, me qëndresën si i burgosur politik dhe me trashëgiminë e tij si autor, Gaqo Peci mbetet një model i paqësuar i dinjitetit njerëzor, i cili vazhdon të na flasë edhe sot nga faqet e historisë. Ai mbetet një udhërrëfyes i heshtur por i fuqishëm se si drita e dijes dhe integriteti moral i rezistojnë furtunave më të egra të historisë.
Testament moral: të mos harrojmë!
"Në panxhat e Sigurimit" është një rrëfim monument i kujtesës, dëshmi e tragjedisë së një intelektuali, i cili rrëfen me një forcë drithëruese përpjekjen njerëzore për mbijetesë dhe luftën për të ruajtur arsyen përballë absurdit të sistemit që ai i quan "lugjet e ferrit". Nga trokitjet në mur, tek ballafaqimet me provokatorë e hetues, e deri te çastet e vogla të lumturisë kur merrte vesh se njerëzit e tij të dashur ishin ende gjallë, çdo rresht i tij është një monument i rezistencës paqësore.
Gaqo Peci nuk kërkoi kurrë hakmarrje ama nuk arriti ti falë dot kurrë. Ai e mbyll rrëfimin e tij me një klithmë sa njerëzore, aq edhe konceptuale:
“T’i falësh këta? Mos, o Zot! “Më ndje o Zot, që po vazhdoj të ec në rrugën e mëkatit, duke të kujtuar qe as Ti nuk fale as As Adamin as Evën…por as unë nuk fal dot dhe nuk dua që t'i falin. Tërë mëkatet e botës le të bien mbi supet e mia, por veç të vihet në vend nderi i një kombi të tërë dhe i njeriut, veç të pastrohet njëherë e mirë Shqipëria nga krisjet, ferrat, hithrat e gjarpinjve.”
Fati absurd: Nga tingujt e radios, në panxhat e diktaturës
Historia e arrestimit të Gaqo Pecit një skenar i shëmtuar që vetëm sistemi i terrorit dinte t'i sajonte. Një ditë vjeshte të vitit 1976, ndërsa gjendej në shtëpinë e tij përdhese në Korçë, tashmë pensionist, duke gatuar dhe duke dëgjuar muzikë italiane në radio, në derë i trokasin me forcë: e kërkonin në Tiranë për të shërbyer si përkthyes i frëngjishtes për delegacionin e huaj francez në Kongresin e 7-të të PPSH-së, për shkak të përgatitjes së tij të lartë gjuhësore dhe kulturore.
Por pas kësaj “ftese zyrtare”, Bajrami, vegël e Sigurimit të Shtetit i vë prangat “në emër të popullit’ dhe e tërheq zvarrë bodrumeve të hetuesisë në Pogradec, Korçë e Tiranë, i përthithur papritur nga ‘mbretëria e britmave, kërcënimeve, ulërimave, gjakut e poshtërimit të njeriut”.
Tradhtia e besimit: Spiunimi për një letër letrare
Tragjedia e Gaqo Pecit ka brenda saj edhe helmin e tradhtisë intelektuale. I brumosur me besim tek njerëzit e letrës, Gaqo Peci kishte mbajtur letërkëmbim me studiuesin Nasho Jorgaqi, i cili i kërkonte vazhdimisht materiale mbi kontaktet historike të Sotir Pecit me Fan Nolin.
Në ato letra private, Peci kishte shprehur me saktësi e përçmim mendimin e tij mbi regresin e letërsisë shqiptare dhe skematizmin e Realizmit Socialist. Ky besim njerëzor e profesional përfundoi si "provë shkresore e fajësisë" mbi tavolinën e hetuesve të Sigurimit. Ai u tradhtua e u spiunua për shijen e tij artistike nga njeriu që i besonte. E megjithatë, përballem me hetuesit e me torturat makabre — që e çuan deri në tentativë vetëvrasjeje në qeli — Gaqo Peci nuk pranoi asnjë akuzë dhe mbrojti me dinjitet të papërkulur ideologjinë e tij për artin e lirë.

Manifest i kujtesës kulturore për Gaqo Pecin
Sot, 25 vite pas ikjes së tij në amshim, figura e Gaqo Pecit na kërkon sërish vëmendje. Ajo na kujton se pa ruajtur kujtesën për viktimat dhe dëshmorët e arsimit e kulturës, historia rrezikon të përsëritet. Kujtesa e një kombi është amaneti i së shkuarës dhe forca e së ardhmes.
Të harrosh një figurë të ndritur si Gaqo Peci, është ta dënosh për së dyti dhe ky është dënim më mizor — jo më me pranga e biruca, por me harresë dhe mohimin e veprës së tij. Dhjetëra studime mbi gjuhën, kumtesa mbi arsimin në Korçë, analiza dhe kritika të letërsisë shqipe e të huaj, dokumente, letërkëmbime dhe materiale të periudhës së Rilindjes Kombëtare të mbledhura e të publikuara prej tij, janë lënë në hije, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Asnjë institut arsimor në qytet, shkollë, rrugicë nuk mban krenar emrin e tij, asnjë titull apo dekorim nga bashkia e qytetit, asnjë… asgjë. Universiteti “Fan Noli” nuk ka asnjë gjurmë të veprimtarisë intelektuale. Ky është një akt i dytë i dënimit: jo më me pranga, por me harresë
Korça i detyrohet shumë Gaqo Pecit, njërit prej intelektualëve të fundit patriotë, një njeriu me dinjitet të patundur. Figura e tij është një nishan fisnikërie në ballin e historisë sonë kombëtare.
Një çerek shekulli pas ikjes së tij, figura e Gaqo Pecit na thërret me zë të fuqishëm: Gaqo Peci i mbijetoi sistemit, për t'i lënë pas brezave dëshminë e atij regjimi e me një amanet për të mos harruar kurrë. Të mos lejojmë që harresa të bëhet ligj i heshtur. Të mos e lëmë të shuhet drita e kujtesës. Sepse aty ku harresa mbretëron, ringjallet ferri i padrejtësisë.
-
Sa shume raste te tilla ka edhe sot por ne menyra te tjera
Përgjigju











Komente
Komento