Pak minuta pas dënimit të ish-ministrit Saimir Tahiri, ka ardhur edhe reagimi nga kryetarja e LSI. E ndodhur në emisionin ‘Kontrast’ në Report TV, Monika Kryemadhi tha se dënimi i ish-ministrit të Brendshëm është i vonuar pasi sipas saj denoncimet e para për të kanë ndodhur së paku që në 2016.

Kryemadhi solli në vëmendje Konventën e LSI-së së Tiranës ku ajo vetë, edhe pse në bashkëqeverisje me Partinë Socialiste, paralajmëroi se ‘kur pikturave të bukura t’u dalë boja, do të shohim fushat e kanabisit’.

“Sot kemi një drejtësi të vonuar, por më tepër sesa dënimi Saimir Tahirir, ajo që ka rëndësi për publikun është urdhëruesi i Saimir Tahirit, shefi i tij Edi Rama. Që të jem e sinqertë s’më vjen mirë që të shoh asnjë shqiptar në burg. Ne nuk duhet të ndjejmë kënaqësi kur qeveritarët futen në burg, por kur të shohim sesi sistemi nuk i lejon politikanët të jenë arrogantë. Të mos harrojmë se zoti Tahiri ka qenë ministri më jetëgjatë në tranzicion” – tha Kryemadhi në ‘Kontrast’ në Report Tv.