Nikolla: 30 qershori si fundi i mendësisë antishtet dhe i angështisë opozitare!

Nikolla: 30 qershori si fundi i mendësisë antishtet dhe i angështisë opozitare!

Solzhenicini thoshte se partitë që në historinë e tyre nuk janë të afta të përballin procesin e pendesës shndërrohen në grupime çnjerëzore! Por këto parti, – vazhdon ai reflektimin, – nuk mund të ndalojnë që disa persona brenda tyre që t’i nënshtrohen pendesës!

Besoj se ky është rasti i Partisë Demokratike, e cila është shndërruar në një grup hermetik ku bërthama e qendrës së pushtetit të saj është përcaktuar që në vitin 1991 dhe askush nuk ka mundur deri më sot të thyejë perden e hekurt që e mbështjell atë!

Kjo parti po dëshmon se e ka të pamundur pendesën për mjerimet politike e shoqërore që i ka sjellë Shqipërisë, por disa anëtarë të saj, siç ishte rasti i fundit i J. Topallit, e cila mjerisht mbetet ende arrakate në këtë dëshmi, vërtetojnë se fryma diktatoriale e drejtuesve jolegjitimë të PD-së nuk mund të ndalojë fenomenin e një analize të ndërgjegjes të politikanëve që kanë milituar në radhët e saj prej kohësh.

Kjo shenjë pendese është edhe shenja se fryma antishtet e kësaj partie po mbërrin në stacionin e fundit që është 30 qershori!

Natyrisht që procesi i pendesës është i dhimbshëm, por i domosdoshëm në mënyrë që një parti të shpëtojë nga e keqja e vetvetes dhe nga e keqja që i shkakton vendit ku ajo ushtron veprimtarinë e saj e që ka si veçori dalluese angështinë e pasosur.

Me kalimin e kohës, te qytetarët shqiptarë ka zënë fill një kompleks droje se sa herë vjen një krizë politike duhet të presim gjëmën e radhës nga PD-ja! Në vend të shpresës ky grupim gati parapolitik ngjall trembje.

Forcat antishtet të kësaj partie janë futur në një vorbull dhune nga e cila tashmë as vetë nuk dinë se si të dalin.

Me gjithë daciobao-t e një gazetari me mendësi komunisto-lindore që përgjimet e paçertifikuara i boton në mënyrë të përpiktë sipas kërkesave të opozitës, madje edhe me orare të mirëpërcaktuara brenda ditës, duket se frymëzuesit e mendësisë antishtet nuk po krijojnë efektin e shumëpritur të opozitës antishtet që kërkon dhunë!

Publikimi i pjesshëm, i pacertifikuar dhe i përzgjedhur është i padenjë për një gazetar me edukim perëndimor!

Për më tepër kur kjo bëhet në sintoni me një parti politike të një vendi tjetër e cila kërkon kaos politik në dëm të demokracisë!

Për nga natyra nuk jam fort dyshues dhe kam prirjen t’u besoj njerëzve, por, në rastin e punës së gazetarit të Bild, më vjen ndërmend thënia e Aristotelit: “Dyshimi është paradhoma e së vërtetës”! Dhe dyshimi se ky gazetar mund të këtë interesa në këtë rast është shumë grishës!

Çdo debat mbi këto publikime është shterpë përderisa nuk është publikim i plotë i dosjes! Kush është ky gazetar që abuzon me profesionin duke i dhënë prerogativë vetvetes se cila pjesë duhet botuar e cila jo?! Ky publikim duhet përbuzur në qëllimin e mjetin mjeran që ka përdorur, duke na kujtuar diktaturën!

Megjithatë, përpjekjet e dëshpëruara për përdorimin e forcës, të nxitura edhe nga këto publikime, janë përherë e më të vobekta, sepse nuk prekin dot shpirtin e shqiptarëve. Madje po krijojnë efektin e kundërt, pasi ka një refuzim masiv të qytetarëve vullnetmirë shqiptarë ndaj disa bashibozukëve që sulmojnë qendrat e votimeve! E përpëlitur në thatësirën dramatike ideologjike, opozita nuk e di çfarë kërkon! Në çdo vend të botës opozita kërkon përafrimin e zgjedhjeve, ndërkohë që rrugëhumburit tanë kërkojnë shtyrjen e tyre! Çlirimi i Shqipërisë nga ky zell antishtet do të jetë edhe fat i mirë për PD-në që të fillojë procesin e reformimit të saj, për t’u larguar nga amështia e vet 28-vjeçare.

Qytetarët shqiptarë do të votojnë masivisht në 30 qershor, pasi ata i kanë kuptuar thellësisht qëllimet e opozitës, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të mirën e shtetit shqiptar. Nuk ka sens ekzistenca e një grupimi politik kur atij i mungon respekti për shtetin. Baza e një reflektimi etik politik fillon me edukimin e respektit për shtetin (koncepti sokratik për shtetin si prind!) dhe një parti që cyt militantët e saj për sulm ndaj institucioneve e ka humbur motivin moral të ekzistencës së vet! Drejtuesit e opozitës nuk arrijnë të kuptojnë shenjat e kohës, se nuk është më klima e ‘97-s famëkeqe dhe se 30 qershori do të jetë fundi i palavdishëm i politikës së vjetër!

Pa përgjegjësi nuk ka politikë! Në këtë kontekst do të doja të sillja qasjen etike të filozofit gjerman H. Jonas, i cili shtjellon parimin e përgjegjësisë në politikë. Element i pazëvendësueshëm etik për një politikan të mirë është përmbushja e parimit të përgjegjësisë, parim që parakupton faktin se nuk mund të ketë “larje duarsh” dhe për çdo të pabërë në politikë duhet patjetër të përgjigjesh sipas natyrës dhe masës së gabimit. Dhe dënimin e parë ky soj politikanësh do ta marrë më 30 qershor nga shqiptarët vullnetmirë! Kjo datë është edhe një shans për disa prej politikanëve të opozitës që të përballin një lloj pendese e vetëdënimi moral, i cili sjell një shëndoshje morale të personit që ka kryer një gabim. Por kjo pendesë vjen kur me të vërtetë politikani e ndjen dhe e kupton se çfarë është e mira në politikë. Nëse ky politikan nuk e kupton këtë gjë, do të thotë se nuk ka inteligjencën e mjaftueshme për t’u përfshirë në politikë; nga ana tjetër, nëse nuk e ndien diçka të tillë dhe nuk ka sens pendese, atëherë kemi një politikan të pandershëm.

Në doktrinën e virtyteve ose më saktë në atë të rrafshit të sjelljes morale individuale, drejtësia është, sipas përkufizimit tradicional, disponueshmëria e qëndrueshme dhe e vazhdueshme e vullnetit për t’i dhënë secilit atë që i takon: “Suum cuique”. Në qoftë se kjo gjë nuk zbatohet, as që mund të flitet për liri e për njerëz të lirë. Pasojë e mungesës së lirisë është shkërmoqja e shoqërisë, ndjesia e mosbesimit, urrejtja e fshikullimi psikologjik, veti këto që janë tipike në opozitën shqiptare sot.

Do të ishte e udhës që ata që kanë në dorë fatin e opozitës të mos bien në rolin e personazhit Nikita (roja i spitalit psikiatrik te “Pavioni 6” i Çehovit, i cili me kamxhik në dorë vendoste se kush është i çmendur e kush është normal!) duke ruajtur qendrat e votimit nga “armiqtë e klasës”. Shqiptarët tashmë e ndjejnë se janë të lirë dhe asnjë “rojë” nuk i ndal dot rrugën drejt kutisë së votimit!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nekrofili Berishovic: 25/06/2019 12:36

    Respekt per ju zoti Nikolla! Por katershja e shquar e me demek "opozites" sone te rruges e ka zgjedhur rrugen e vet.Ajo nen ndikimin dhe urdherat e kryebanditit Berishovic Karaxhicit dhe mafjozit Like sheiku ka nje mision dhe deri ne grahmen e fundit te tyre do bejne te pamunduren qe ky vend te mos ece perpara e te kete gjakderdhje.Koha do na tregoje se si do behet me ta.Vetem veprimi me dore te hekurt i SPAKUT dhe BKH-se,me ndihmen e pakursyer te amerikaneve dhe europianeve,por ne radhe te pare te amerikaneve,qe para disa diteve i paralajmeruan ne futjen e ketyre dy bandave ne listat e tyre te zeza mund te jape zgjidhje ne kete nyje gordiane ala Albania.Dhe zbatimi i skenarit kroat e slloven dhe sa me pare...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje