Ekstradohet Gjepali i tmerrshmi i vitit 1997

(4/25/2001)Ekstradohet nga Italia Astrit Gjepali. I shpallur në listën e publikuar në janar nga Ministria e Rendit si person shumë i kërkuar, ai është arrestuar në Rovigo të Italisë në 23.02.2001. Arrestimi i tij është bërë për shkelje të ligjit mbi armët e zjarrit dhe, në veçanti, për mbajtje të materialeve eksplozive. Pavarësisht nga këto, ai për shqiptarët njihet si një nga vrasësit më të rrezikshëm të qytetit të Durrësit. Të vrarët nga dora e tij janë 7 persona, si edhe dy të plagosur. E shkuara Gjepali, i lindur në Durrës në vitin 1969, është shpallur në kërkim që nga viti 1997. Ka qënë mesnata e 15 dhe 16 qershorit të vitit 1997, kur Gjepali, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë (Mirosh Jaresi, Bashkim Haxhia dhe Naim Qerimi) në rrethinat e qytetit të Durrësit kanë masakruar për motive terroriste dhe përhaje paniku në popull 5 shtetas, ndërmjet të cilëve edhe një polic. Emrat e njerëzve të masakruar me dhjetëra plumba automatikësh, mesnatën e nxehtë të verës, janë: Luan Plaku, Kajmak, Kullolli, Bilal Neza, Gëzim Beqiri dhe polici Nazim Kopshti. Në vendngjarje kanë mbetur të plagosur edhe dy shtetas të tjerë: Ndue Petrushi dhe Isuf Ymeri. Mbi emrin e Astrit Gjepalit rëndojnë dhjetëra vepra penale. Aktiviteti i tij terrorist është shumë më i hershëm sesa viti i trazirave 1997. Ai është skeduar nga Policia e Durrësit që në nëntor të vitit 1996 për grabitje. Gjepali ishte shpallur person në kërkim për grabitje me armë, rrëmbim personi, armëmbajtje pa lejë, trafik droge, tentativë e grabitjes së Bankës së Durresit. Po kështu, që nga marsi i 1997-s deri në qershor të po atij viti, ai ka kryer një numër të madh krimesh të të gjtha llojeve, së bashku me grupin e tij kriminal të kryesuar nga Lulzim Berisha. Pavarsisht nga lista e gjatë e tmerreve të shkaktuara prej Gjepalit, ai ka vazhduar të bredhë i lirë nëpër rrethin e tij edhe për shumë kohë para se të arratisej jashte shtetit. Krimi i tij i fundit në Shqipëri daton në gusht të vitit 1998, kur grabiti me armë dhe më pas vrau shetasin Astrit Çela, tregtar nga qyteti i Kavajës. Arratisja Pavarësisht nga numri i madh i "bëmave" të tmerrit të shkaktuar në qytetin etij të lindjes, Gjepali është arratisur nga Shqipëria në fundvitin e 1998-s. Ka vazhduar të merret me trafik droge në Zvicër, ku edhe është shpallur person në kërkim nga autoritetet gjyqësore zvicerane. Akuzohet si vrasës dhe plagosës i dy zviceranëve, në një larje hesapesh. Për këtë arsye, në bazë të Konventës Europiane për transferimin e çështjes penale, do të gjykohet në Shqipëri. Pasi u shpall në kërkim edhe nga Drejtësia Zvicerane, ai gjeti vendstrehimin e fundit në Itali, i cili u bë edhe gracka për ta kthyer në Shqipëri ku ai do t'i dorëzohet Drejtësisë Shqiptare. Pas 4 vjetësh i shpallur në kërkim ai është kthyer dje në areroportin e Rinasit për të marrë dënimin që i takon. Kur në Shqipëri i numërohej një listë e gjatë masakrash dhe grabitjesh, si edhe gjoba që u vinte tregtarëve në Itali, ai është arrestuar vetëm për shkelje të ligjit mbi armët e zjarrit dhe, në veçanti, për posedim të materialeve eksplozive. Gjykata e Veronës ka miratuar arrestimin e tij me qëllim ekstradimi që në 24 shkurt të vitit 2001. Arrestimi i tij ka qenë frut i një bashkëpunimi të suksesshëm të Interpolit Shqiptar dhe Interpol Romës. Gjepali ka mbërritur dje me një linjë ajrore italiane, për t'iu dorëzuar Drejtësisë Shqiptare. Gjithashtu edhe fotografia e tij do të hiqet nga lista e të shumkërkuarve, çka do të thotë një kriminel më pak.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Basha: Meta kartë e djegur, nuk harxhoj kohë me të dhe mashat e tij