Saimir Tahiri u rikthye në Kuvend sot pas një mungese të gjatë, duke tërhequr një vëmendje të madhe mediatike por edhe politike.

Ai u ndoq fillimisht nga gazetarët në hyrje të Kuvendit, ku u shfaq rreth orës 10 të mëngjesit. Tahiri u mundua t’u shmangej pyetjeve. Brenda në sallë ai u prit me mall nga disa kolegë, ndër të cilëve spikaste ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro që e përqafoi.

Tahiri pati një përplasje me Sali Berishën, i cili teksa dilte nga salla pas vendimit të opozitës për ta braktisur parlamentin, iu afrua deputetit të pavarur dhe nisi ta filmonte.

Pasi doli jashtë, ish-deputeti socialist u ndal përpara gazetarëve.

Gazetari: A do të vazhdoni të vini rregullisht nga ky moment e tutje në Kuvend?

Tahiri: Kur të kem diçka për të thënë, sigurisht, do vij

Ish-ministri i Brendshëm kujtoi një episod të ndodhur sot në sallë, ku ish-kryeministri Sali Berisha që kërkoi largimin e tij, nisi ta filmonte.

Për mua është një ditë e lumtur që më filmoi Saliu, kam motiv ta mirëkuptoj, njeriun që fshiu filmimet në 21 janar, fshiu filmimet e kryeministrisë, sot të më filmojë mua.

Saimir Tahiri

Report TV: Thuhet se po ju mbron Edi Rama, a është e vërtetë?

Tahiri: As më mbron njeri dhe as dua njëri t’më mbrojë. Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë kush mund t’më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi.

Tahiri: Nuk besoj se do të ketë bir nëne dhe bir ku*ve që do të më pengojë që të bëj drejtësi.

Rreth 1 orë pas këtij qëndrimi Saimir Tahiri bëri një sqarim në Facebook, ku akuzoi Sali Berishën dhe mohoi që të ketë përdorur sot ndonjë mesazh të koduar:

Kur gjyqin moral ta ben djalli...keshtu quhet ajo qe degjoj cdo dite nga goja e kujt ka qeverisur 25 vjet duke vrare e duke vjedhur per pushtet.
Pas thuajse 6 muajsh, shkova ne Parlament. 
Kush e ka marre heshtjen time per dorezim, eshte gabuar. Eshte vetem respekt per drejtesine.
Kete rruge do ndjek me durim.
Ndersa me kete historine e mesazheve te koduara qe leshokam une, bjerini shkurt. As me duhet ti coj mesazh njeriu. Dhe po te kem, jam nga ata qe i ben drejteperdrejte.
Me intereson vetem e verteta dhe drejtesia, askush e asgje tjeter.
E nuk do ndalem!

Saimir Tahiri në Facebook

Ish-deputeti socialist, i cili tashmë është i pavarur, pasi PS-ja e hoqi nga grupi i saj, për shkak të hetimit që ka nisur Prokuroria ndaj tij, për përfshirjen e mundshme në trafikun e drogës me bandën e Habilajve, kishte një kohë të gjatë që nuk fliste në publik.

Tahiri rrezikonte të humbiste mandatin e deputetit, në rast se vijonte të mungonte në punimet e seancave të Kuvendit, duke iu afruar afatit maksimal të lejueshëm prej gjashtë muajsh mungesë.

Një ditë më parë, Edi Rama, në praninë e Federica Mogherinit, deklaroi se qeveria është e gatshme të japë autorizimin për arrestimin e tij, në rast se prokuroria do të jepte qoftë një provë të vetme ndaj Tahirit.