Tiranë- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mobilizuar përsëri strukturat e partisë që nesër të grumbullohen para Prokurorisë së Posaçme, ku ai do paraqitet sipas masës që ka vendosur Apeli i GJKKO për aferën në dosjen "Partizani".

Teksa prej kohësh po sillet me standard të dyfishtë politik, ku kundërshtarët i akuzon për protesta të dhunshme te SPAK, vetë i thërret militantët dhe i organizon nëpërmjet mesazheve në protesta, duke i cilësuar si “paqësore”.

E njëjta gjë ndodh edhe me akuzat ndaj SPAK, ku prej kohësh kërcënon kreun e Prokurorisë Altin Dumani dhe pretendon se ka fakte dhe prova në akuzat e tij, por në krahun tjetër drejton gishtin nga kryeministri Edi Rama për kritikat e fundit që i ka bërë SPAK-ut për arrestimin pa gjyq të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajn.

Madje protestën paqësore që u bë para SPAK për Veliajn gjatë masës së sigurisë në GJKKO e cilësoi të dhunshme, kërcënuese dhe të paligjshme, teksa nesër (3 Mars) ka mobilizuar strukturat e tij për tubim para godinës, meqë ka edhe ditën e zbatimit të masës “detyrim paraqitjeje”.

“Nesër ditën e Hënë, në ora 09:30, sërish Kryetari i PD, Sali Berisha, do jetë në dyert e SKAP it. Ju lutem pjesëmarrja është me rëndësi. Në ora 09:30 përpara selisë së SKAP-it”, thuhet në tekstin e shkurtër të mesazhit drejtuar strukturave. 

Ky standard i dyfishtë i kreut të selisë blu, të kujton shprehjen "bëni siç them unë dhe mos bëni siç bëj unë!".