Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, nënkomisari Andi Duro, nënkomisari Ajdin Ismailaj dhe inspektori Robert Çullaj janë ndaluar ditën e sotme, në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në zonat më të lakmuara bregdetare të jugut, Sarandë dhe Ksamil.

Ndalimi i tyre erdhi ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisi të premten një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zonat e tjera përreth, duke hetuar disa raste të ditëve të fundit që lidhen me ndërtime të paligjshme.

Sipas informacioneve paraprake, hetimet janë fokusuar te dyshimet se punonjës policie, duke shpërdoruar detyrën, kanë pasur rol ose kanë toleruar ndërtimet pa leje në vijën bregdetare.

AMP njofton se sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.

Ndërkohë Policia njofton se ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.

Aksioni vjen pas dy rasteve të fundit në Sarandë dhe Ksamil, ku janë konstatuar ndërtime pa leje. Tre ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë u sekuestrua kati i gjashtë i Hotel Oasis në Sarandë, pas dyshimeve se ishte ndërtuar pa leje. Ndërkohë ditën e djeshme u arrestuan tetë persona që po kryenin ndërtime të paligjshme në bregdetin e Sarandës, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e tokës ku po kryheshin punimet.

Të arrestuarit gjatë aksionit ditën e djeshme janë identifikuar si: 'Ylli Daci, 33 vjeç, Emiljano Sotiri, 41 vjeç, Kleanth Rakipi, 25 vjeç, Bilbil Rexho, 48 vjeç, Enkeiled Rrëza, 41 vjeç, Oriant Cako, 32 vjeç, Oltion Bushaj, 47 vjeç, Erjon Kovaçi 42 vjeç dhe në kërkim u shpall pronarja Arjola Dhrami (Bajo), 42 vjeçe.'

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/Vijojnë denoncimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për paligjshmëritë e konstatuara në terren.

Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.

Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.

Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë:

Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;

Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;

Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;

Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.

Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.

Pas ndalimit të këtyre punonjësve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjësit e policisë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit, për shkeljet e konstatuara, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në  Komisariatin e  Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

Policia e Shtetit falënderon, inkurajon dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të policisë, si dhe çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj cilindo që shpërdoron detyrën, besimin e qytetarëve dhe ligjin.

--------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë