Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njoftoi se më datë 18 dhjetor 2019 ka përfunduar procesin e shqyrtimit administrativ të disa aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, të paraqitura nga subjektet e interesuar, të cilët diponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës.
Aktualisht ka përfunduar shqyrtimi administrativ i 13 aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, nga të cilat: për 8 aplikime ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në Kreun IV të VKM nr.223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar. Ndërsa për pesë aplikime ATP ka vendosur përfundimin e procedurës administrative, pasi kanë rezultuar të jenë jo në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të këtyre 8 aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 148.317.933,44 lekë, nga të cilat 30.407.983,49 lekë do të lëvrohen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit për të cilën ka aplikuar subjekti.
Nga përfundimi i trajtimit të këtyre 8 aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, Buxhetit të Shtetit i kursehet në total një fond në vlerën 224.803.140,16 lekë.
Të dhënat në lidhje me vendimet e subjekteve të shpronësuara që përfitojnë dhe atyre për të cilët ATP ka vendosur përfundimin e procedurës administrative, si dhe përfaqësuesit me prokurë të tyre, jepen në listat bashkëlidhur këtij njoftimi.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se kësti përkatës për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.