TIRANE-Para 2 vitesh, në vigjilje të ndërrimit të viteve ajo përplasi me makinën e saj një familje, ku humbi jetën një vogëlush.

Bëhet fjalë për djalin e ish-zëvëndësministrit të Punëve të Brendshme, Avenir Peka. Pas dy vitesh burg, Uarda Çota sot përfitoi nga amnistia, ndërsa u shpreh se kjo e sotmja është dita më e lumtur e jetës së saj.

Falenderime të përzemërta zotit ministër, ishte ai iniciatori për gjithçka. Ju uroj lirim sa më të shpejtë të gjithë atyre personave që janë gjendur në këtë situatë si unë gjithë këtë kohë”, tha Uarda teksa shijonte minutat e para të lirimit nga burgu i Grave në ‘Ali Dem’, në Tiranë.

Në qershor të vitit 2015, me gjykim të shkurtuar Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burg 26-vjeçaren Uarda Çota e cila u cilësua fajtore për aksidentit me pasojë vdekjen e djalit 11 vjecar të ish zv.Ministrit të Brendshëm Avenir Peka, mbrëmjen e 29 dhjetorit 2014.
 
Për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, Prokuroria e Tiranës kërkoi 8 vite burg dhe në përfundim të 9 seancave të zhvilluar me gjykim të shkurtuar togat e zeza kryesuar nga Shefkije Demiraj vendosën dënimin e të resë me 5 vite burg.
 
Aksidenti me pasojë vdekjen e 11-vjeçarit ndodhi mbrëmjen e 29 dhjetorit në aksin e Unazës së Re pranë Kopshtit Botanik në kryeqytet, ku nga hetimet rezultoi se shoferja aso kohe, 26-vjeçare Uarda Çota drejtonte një mjet Mercedez- Benz në gjendje të dehur dhe me shpejtësi 100 km në orë, nga 40 km që ishte tabela kufizuese.
 
Pas aksidentit u proceduan penalisht dhe drejtuesit e fimave që kryenin punime në këtë aks rrugor, ku aktualisht në këtë zonë janë shtuar sinjalistika rrugore dhe masat mbrojtëse në rrugë.

Familjarët e Uardës: I kemi prenotuar biletën për në Dubai
Familjarët e Uardës kanë pritur me padurim lirimin e saj jashtë burgut ku ajo vuante dënimin.

Në një prononcim për mediat, familjarët u shprehen me shaka se familja i ka prenotuar biletën për në Dubai, Uardës për t’u relaksuar pas 2 vitesh qëndrimi në burg.

Ndërsa Uarda u shpreh shumë e lumtur që ka fitur lirinë dhe më në fund do të bashkohet me familjen e saj. Ajo i ka uruar të gjithëve atyre që  vuajnë dënimin në burg, lirim sa më të shpejtë.
 
Si ndihesh sot që ke fituar lirinë?
Nuk gjej fjalët për të përshkruar gjithë këtë, është një emocion i veçantë. I uroj të gjithëve atyre që ndodhen në një ambient që unë kam qenë më disa orë më parë, një lirim sa më të shpejtë dhe të provojnë të njejtën ndjesi që po provoj edhe unë. Është si të rilindësh edhe një herë.
 
Kush doli të të priste sot?
Sigurisht që njerëzit e mi më të afërt, familja ime. Përshëndes mamin tim që e dua shumë shumë dhe që më ka qëndruar gjithmonë pranë, në momentet më të vështira pa kushte. Familja është parësore.
 
Keni një plan se çfarë do të ndodhë tani pas lirimit?
Një plan ekzakt nuk e kam, por e di që gjëra më të bukura do vijnë, dhe për këtë jam e sigurt. Kjo është e rëndësishme.

Teksa ajo flet, një familjar shprehet me shaka se Uarda e ka prerë biletën për në Dubai. "I kemi prere bilete per ne Dubai", te gjithe qeshin.