Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERT NGA ORKESTRA E RTSH ME MUZIKË NGA MOZART E PAGANINI

Më 12 qershor, në orën 20:00, në Hollin “Gjon Simoni” të RTSH-së, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një koncert të veçantë nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Programi përfshin uverturën e operës “Così fan tutte” dhe Simfoninë nr. 40 të Mozartit, si dhe veprën “Variazioni di Bravura” të Paganinit me solist kontrabasistin Arben Basha. Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe premiera absolute e poemës simfonike të kompozitorit Endrit Shani, nën dirigjimin e Olsi Qinamit.

2. FESTA E TRASHËGIMISË, MOZAIK KULTUROR NË ZEMËR TË DIMALIT

Në Dimal, sot dhe nesër, Pedonalja e qytetit do të mirëpresë aktivitetin “Festa e Trashëgimisë: Një Mozaik Kulturor në Zemër të Dimalit”. Duke nisur nga ora 19:00, eventi do të bashkojë traditën, kulturën dhe energjinë e të rinjve përmes performancave muzikore live, DJ Set-eve, ekspozitave artistike dhe promovimit të trashëgimisë kulturore lokale.

3. KONCERT RECITAL NGA DULIEM PUKA TE HOLLI I TEATRIT “MIGJENI”

Sot në orën 19:00, në Hollin e Teatrit Migjeni në Shkodër, violinisti Duliem Puka do të mbajë një koncert recital nën drejtimin artistik të Ramazan Pekut dhe me pjesëmarrjen e Synjona Paplekajt dhe Ingrid Havaljas.

4.“DETEKTORI I GËNJESHTRAVE” NGJITET NË SKENËN E ART TURBINËS

Më 12, 13 dhe 14 qershor në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës në Tiranë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë komedinë satirike “Detektori i Gënjeshtrave”, me regji të Valdrin Hasanit dhe bazuar në veprën e autorit rus Vasilij Sigarev.

5. “OSO KUKA NË KUJTESËN KOMBËTARE” NË MUZEUN E SHKODRËS

Muzeu Historik Shkodër organizon aktivitetin përkujtimor “Oso Kuka në kujtesën kombëtare”, kushtuar figurës së heroit Oso Kuka dhe aktit të tij heroik të vitit 1862. Aktiviteti do të zhvillohet nesër, më 12 qershor, në orën 10:30, në ambientet e muzeut.

6. “GJON MILI: RETROSPEKTIVË” NË MUZEUN E FOTOGRAFISË “MARUBI”

Nesër në orën 20:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër hapet ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë”, kuruar nga Hoëard Greenberg. Për herë të parë në Shqipëri prezantohet një koleksion origjinal i veprave të Gjon Milit, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX. Ekspozita sjell për publikun shqiptar një përmbledhje të krijimtarisë së artistit me origjinë nga Korça, i cili ndërtoi karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe u bë një emër i njohur në historinë e fotografisë botërore.

7.  “ZËRI IM KA VEND”, NDËRGJEGJËSIM TE TEATRI I METROPOLIT

Sonte, nesër dhe më 13 qershor në orën 19:00, në Teatrin e Metropolit në Tiranë do të vijë për publikun shfaqja “Zëri im ka vend”. Shfaqja trajton tema të rëndësishme si bullizimi, heshtja dhe guximi për të folur, duke përcjellë një mesazh të fortë ndërgjegjësues për fëmijët dhe familjet.