"Ja ku e keni batalionin e zhvatjes së qytetarëve , ja ku e keni dokumentin mbi të cilin punon bleta e tatimeve. Në krye, keni Taulant Ballën, konen e çdo të enjteje në Parlament. Ja pse leh: 80 të punësuar Taulant Balla. Kjo është skedina më fitimprurëse, basti më i mirë i jetës, që ka vënë langoi, zagari i Edi Ramës në Parlament.
Në vend të dytë kemi LSI, 62 inspektorë, pastaj kemi Kokëdhimën. Qenka treguar i kursyer sepse ka vetëm 8. Ke Dakon kryetarin e rizgjedhur me votat e bandave të Durrësit, me 13 ushtarë në ushtrinë e tij të tatimeve. Dhe pas kësaj, ke 372 tatimorë pas të cilëve qëndron ose një deputet, ose një ministër apo kryetar bashkie i qeverisë", tha Basha.
Por kjo deklaratë e Bashës është mohuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Nëpërmjet një njoftimi për media, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka quajtur shpifje akuzat e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha se në administratën tatimore janë emëruar njerës me kërkesë të partive të koalicionit.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpreh keqardhjen më të thellë për lumin e shpifjeve që lëshoi sot në adresën e Administratës Tatimore, kryetari i Partisë Demokratike. Zoti Basha doli me një listë të sajuar emrash, të cilët sipas tij janë emëruar në Administratën Tatimore në bazë të kërkesave të partive të koalicionit. Me siguri kryetari i PD nuk e ka marr vesh akoma se ne, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nuk kryen emerime punonjësish prej fillimit të vitit 2014. Çdokush që punësohet në këtë drejtori, kalon përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, të cilat monitorohen nga Bashkimi Europian”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Tatimeve.
Më tej në njoftimin e DPT-së thuhet se koha e politizimit të administratës tatimore ka marrë fund dhe se shumë nga emrat e përfolur nga Basha nuk kanë lidhje me tatimet.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmon me përgjegjësi të plotë se shumë nga emrat e përgojuar prej zotit Basha nuk kanë asnjë lidhje me punën tonë, ndërkohë që plot nga tatimorët që sipas tij janë punësuar nga partitë, në fakt janë larguar nga puna në këtë drejtori për shkelje ligjore e administrative të llojeve të ndryshme”, sqaron DPT-ja.
Tahiri: Basha i shpëtoi drejtësisë me raporte mjekësore
Pjesë e akuzave të liderit të opozitës për shkelje ligji ishin edhe disa nga ministrat e qeverisë.
"Me vepra, ky vend , me taksa të ulëta ia ka dalë të mbledhë më shumë të ardhura në raport me prodhimin e brendshëm bruto, ndërkohë që me taksa më të larta mbledh më pak. Pse? Sepse nga njëra anë vidhet - informaliteti është fjalë e lehtë – VIDHET. Dhe nga ana tjetër shtyhen bizneset drejt falimentimit. Cila është gjeografia e kësaj vjedhje. Cili është problemi me shkeljen e ligjit? Problemi i parë i evidentuar janë vetë ministrat hajdutë të Edi Ramës. Kush e shkel ligjin? Berberi që nuk shtyp kuponin apo Ilir Beqja që ka marrë 28 tendera, 11 milion euro në konflikt të hapur interesi ndërkohë që ka dhënë 338 milion euro koncesione vetëm këtë vit. Kush e shkel ligjin, i pamunduri që nuk shet dot qepët pa kuponin, apo Arben Ahmetaj kumbari pas aferës së mbetjeve në Elbasan për të cilin shqiptarët paguajnë çdo muaj 300 mijë euro, me vendim të Edi Ramës. Cili e shkel ligjin, fermeri që duhet të lërë arën e të marri niptin e të bëjë transaksion bankar për 20 mijë lek të reja shitblerje domatesh, apo Damian Gjiknuri kryenegociuesi i vjedhjes së 600 milion eurove nga CEZ dhe Edi Rama. Kush e shkel ligjin, kryefamiljari që e kapën prej leckash bashkë me fëmijën 4 vjeç sepse guxoi të lidhte poçin e dritës apo Sajmir Tahiri që deklaron se e paska shitur makinën por e mban akoma pa paguar taksa, pa kupon," tha kreu i demokratëve Lulzim Basha.
Pas këtyre akuzave ka reaguar Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ai i ekonomisë Arben Ahmetaj.
Tahiri thotë se Basha i ka shpëtuar drejtësisë me raport mjekësor, ndërkohë që tani nuk lë njeri pa përmendur dhe akuzuar.
“Është pandëshkueshmëria! Ka simbol kryeshqupistin që sot ngërdheshet si llapaqen pa lënë shpifje dhe emra pa zënë në gojë. Atë kohë fshihej si pulë për t’i ikur drejtësisë, me raport mjekësor e udhëtime jashtë shtetit. Ende sot nuk ka dhënë llogari para drejtësisë. Është drejtësia e Gjin Gjonave që sot është në podiumin e Shqupit në vend që të ishte në bankën e të akuzuarve. Dekriminalizimi? Po! Dënojmë për herë të dytë ata që janë dënuar një herë. Por pandëshkueshmëria akoma më shumë. Të dënohen ata që nuk janë dënuar kurrë, e sot shesin dengla morali. Është drejtësia! Është pandëshkueshmëria”, shkruan Tahiri në postimin e tij në Facebook.
Ahmetaj-Bashës: Ministria e Ekonomisë nuk merret me landfillet
Edhe ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, ka reaguar pas akuzave të Bashës, për dhënien me një koncesion të një landfilli në Elbasan, me vlerë 10 milionë euro, duke i kërkuar kreut të opozitës që të bëjë publike dokumentin e firmosur nga Ahmetaj për koncesion në fjalë.
“Në përgjigje të akuzave të bëra sot nga Kryetari formal i Partisë Demokratike për dhënien me koncesion të një landfilli në qytetin e Elbasanit, me vlerë 10 milionë euro, një personi të favorizuar nga une si Minister i Ekonomise, e sfidoj pseudo Kryetarin e opozitës të bëjë publik qoftë dhe një dokument të vetëm të firmosur nga unë për dhënie koncesionesh për landfille”, thotë Ahmetaj në facebbok.
Sipas tij Ministria e Ekonomisë nuk ka në përgjegjësi as monitorimin, as standardet e ambientit apo asgjësimin e mbetjeve dhe për rrjedhojë landfilldet.
“E sqaroj Kryetarin e opozitës se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nuk ka qenë në asnjë rast autoritet kontraktues për ndërtimin, tenderimin apo koncesionimin e ndonjë landfilli. Ndërkohë për info të mëtejshme të Kryetarit formal të opozitës, që të mos bëjë gafa të njëpasnjëshme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nuk e ka përgjegjësi as monitorimin, as standardet e ambientit apo asgjësimin e mbetjeve dhe për rrjedhojë landfilldet. Lufta kundër kancerit ambiental do të vazhdojë. Padituria nuk justifikon shpifjet,” sqaron ministri i Ekonomisë.
Ja reagimi i plotë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpreh keqardhjen më të thellë për lumin e shpifjeve që lëshoi sot në adresën e Administratës Tatimore, kryetari i Partisë Demokratike.
Zoti Basha doli me një listë të sajuar emrash, të cilët sipas tij janë emëruar në Administratën Tatimore në bazë të kërkesave të partive të koalicionit. Me siguri kryetari i PD nuk e ka marr vesh akoma se ne, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nuk kryen emerime punonjësish prej fillimit të vitit 2014. Çdokush që punësohet në këtë drejtori, kalon përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, të cilat monitorohen nga Bashkimi Europian.
Komisioni Europian nga ana e tij e vlerëson me nota shumë pozitive këtë proces dhe ndryshe nga kryetari i PD që përgojon e denigron gjithëkënd, ka shprehur vazhdimisht konsiderata të veçanta për rekrutimet në Administratën tonë, ashtu sikundër edhe FMN e Banka Botërore. Koha e politizimit të Administratës Tatimore ka marrë fund dhe përpjekja jonë drejt rritjes së profesionalizmit të kësaj administrate është e përditshme, edhe falë mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmon me përgjegjësi të plotë se shumë nga emrat e përgojuar prej zotit Basha nuk kanë asnjë lidhje me punën tonë, ndërkohë që plot nga tatimorët që sipas tij janë punësuar nga partitë, në fakt janë larguar nga puna në këtë drejtori për shkelje ligjore e administrative të llojeve të ndryshme.
Prandaj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e sheh me vend t'i bëjë apel kryetarit të opozitës që të heqë dorë nga fjalori i rrugës dhe nga sharjet e shpifjet vulgare të cilat nuk janë në kodin etik të asnjë familjeje e qytetari normal të Republikës së Shqipërisë. Ne mirëpresim çdo kritikë nga kushdo dhe zoti Basha duhet ta bëjë detyrën e tij duke na kritikuar në emër të qytetarëve, jo duke na hedhur baltë si të ishte përfaqësues i kundërshtarëve të betuar të ligjit, të moralit qytetar dhe të normave më elementare të komunikimit njerëzor.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)