Pas shqetësimeve të ngritura nëpër media për abuzime me çmimet e gazit të lëngshëm, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur urgjentisht monitorimin në terren të këtij tregu.

Përmes një njoftimi zyrtar, ky institucion bëri me dije se Pas monitorimit dhe vlerësimit të situatës nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës Autoriteti do të procedojë menjëherë me marrjen e masave konkrete, ndaj subjekteve të tregtimit me shumicë ose pakicë për kthimin e tregut në kushtet e konkurrencës.
 
Gjatë ditëve të para të vitit, u raportua nga disa media, se operatorët e këtij tregu rritën në mënyrë abuzive çmimen e gazit të lëngshëm për përdorim të përditshëm.

Në fund të vitit 2016, Qeveria vendosi përfshirjen e gazit të lëngshëm për automjetet në produktet e akcizës, por duke përjashtuar nga kjo rritje gazin për përdorim të përgjithshëm. Por disa kontrolle të kryera nga tatimet ditët e fundit arritën në përfundimit se nuk ka pasur abuzime nga operatorët.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com