TIRANË- Protesta në Zvërnec ka qenë kryefjalë e mediave greke. Alarmi i çuditshëm i ngritur nga mediat e vendit fqinj erdhi menjëherë pas një deklarate të ministrisë së Jashtme greke, e cila pretendoi se një minoritar grek mbeti i plagosur në protestën e së shtunës ku rojet private përdorën jo vetëm dhunë, por edhe spray në drejtim të protestuesve dhe forcave të policisë së shtetit.
Në fokus të raportimeve nuk ka qenë vetëm plagosja e një pjesëtari të minoritetit grek, por shumë media të greke, me miliona ndjekës, e kanë vendosur fokusin edhe tek një konflikt i pretenduar për pronën, që sërish e lidhin me minoritetin grek. Por habia më e madhe është shqetësimi i mediave greke për mjedisin, që ky projekt sipas tyre e vë në rrezik. Pothusje të gjitha pa përjashtim vënë në dukej faktin se pas këtij projekti qëndrojnë dy emra të njohur, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner.
“Protestuesit pretendojnë se zhvillimi i këtij resorti gjigant rrezikon zonat e mbrojtura ekologjike pranë Lagunës së Nartës dhe cenon të drejtat e tyre të pronësisë. Një shtetas grek raportohet se u dhunua dhe u plagos rëndë gjatë përplasjeve me forcat private të sigurisë, duke shkaktuar reagime të forta dhe duke nxitur një reagim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Projekti i profilit të lartë lidhet ngushtë me Jared Kushner, miliarderin hebreo-amerikan dhe ish-këshilltarin e Donald Trump, përmes kompanive të tij investuese dhe partnerëve të lidhur me të”, shkruan Greece High Definition.
“Një anëtar i minoritetit etnik grek në Shqipëri u plagos të shtunën gjatë protestave në zonën ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz, i lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza dhe dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump”, shkruan Greek Reporter.
Media greke Neos Kosmos shkruan se projekti mund të dëmtojë mjedisin natyror dhe të cenojë pronat që u përkasin familjeve të Minoritetit Kombëtar Grek, duke e lidhur investimin po ashtu me dhëndrin e Trump.
“Përplasjet e dhunshme kanë shpërthyer në jug të Shqipërisë, pasi pjesëtarë të minoritetit grek u përballën me forcat e sigurisë gjatë protestave kundër një projekti kontrovers turistik luksoz, që raportohet se lidhet me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Incidentet ndodhën në Zvërnec, një zonë bregdetare në jug të Shqipërisë, ku banorët kanë protestuar kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz në një nga rajonet më të ndjeshme mjedisore të vendit. Anëtarët e komunitetit shprehen se projekti mund të dëmtojë mjedisin natyror dhe të cenojë pronat që u përkasin familjeve të Minoritetit Kombëtar Grek.
Sipas raportimeve, të paktën një banor me përkatësi etnike greke mbeti i plagosur gjatë përplasjeve, çka nxiti një reagim të menjëhershëm nga Greqia, e cila kërkoi një hetim të plotë të ngjarjes dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve”, shkruan Neos Kosmos.
Gazeta Kathimerini shkon edhe më tej, duke i kushtuar një reportazh të gjatë organizimit të protestës dhe përfshirjes së minoritarëve grekë. Sipas saj, nga Athina ishin nisur dy autobusë me protestues për në Zvërnec. Madje, Kathimerini shkruan se kryebashkiakia e Vlorës, Brunilda Mersini ka zhvilluar një takim në Ilion të Atikës me disa banorë, ku të pranishëm kanë qenë edhe dy avokatë nga ana e investitorëve.
"Më shumë se 300 persona morën pjesë në protestën e së shtunës. Nga Athina u nisën të premten në mbrëmje dy autobusë, ndërsa pjesëmarrës të tjerë udhëtuan nga qytete të ndryshme të Greqisë me automjetet e tyre. Vonë pasdite të mërkurën e kaluar, rreth dhjetë emigrantë nga Zvërneci pritën në Ilion të Atikës kryetaren e Bashkisë së Vlorës, një ndihmës të saj dhe dy avokatë nga pala e investitorëve. Sipas banorëve, biseda zgjati rreth dy orë, por nuk solli ndonjë rezultat", shkruan Kathimerini.
Pasqyrimi i gjerë i mediave greke për këtë çështje, u vu në dukje me skepticizëm nga kryeministri Edi Rama, duke evidentuar se mund të jetë një ndërhyrje e qëllimtë nga konkurrenca që i sjellë Greqisë një strukturë e tillë turistike.

Gazeta Kathimerini i kushtuar një reportazh të gjatë organizimit të protestës në Zvërnec dhe përfshirjes së minoritarëve grekë. Sipas saj, nga Athina ishin nisur dy autobusë me protestues për në Zvërnec. Madje, Kathimerini shkruan se kryebashkiakia e Vlorës, Brunilda Mersini ka zhvilluar një takim në Ilion të Atikës me disa banorë për këtë çështje, ku të pranishëm kanë qenë edhe dy avokatë nga ana e investitorëve.
Artikulli i plotë i Gazetës Kathimerini
Takimi me përfaqësuesit e shoqatës së Zvërnecit në Athinë ishte organizuar rreth një javë më herët, me nismën e palës shqiptare, me qëllim që të “zgjidhej keqkuptimi” rreth investimit turistik prej 4 miliardë dollarësh që planifikohet në veri të fshatit të tyre. Përpjekja për afrimin e palëve u bë pasi ishte vendosur një gardh me tela me gjemba në vijën bregdetare shqiptare. Të shtunën, gjatë një tubimi të banorëve në atë zonë, ndodhën incidente të rënda, ku një protestues u dhunua.
Rrethimi me gardh bllokoi hyrjen në plazhe dhe në tokat që dikur kultivoheshin nga banorët vendas – toka për pronësinë e së cilës ata zhvillojnë prej vitesh beteja gjyqësore. Për komunitetin lokal, gardhi ishte një “shfaqje force” nga interesat e biznesit. Ata nuk kishin pritshmëri të mëdha nga takimi që ishte planifikuar në Athinë.
Pasditen e vonë të së mërkurës së kaluar, rreth dhjetë emigrantë nga Zvërneci pritën në Ilion të Atikës kryetaren e Bashkisë së Vlorës, një ndihmës të saj dhe dy avokatë nga pala e investitorëve. Sipas banorëve, diskutimi zgjati rreth dy orë, por nuk çoi askund.
Ishte tashmë e njohur se ata planifikonin të protestonin të shtunën, më 30 maj, përpara gardhit dhe pala tjetër kërkonte të zbusë reagimet e tyre. “Qëllimi i tyre ishte që protesta të mos zhvillohej. Na thoshin se donin të na mbronin, që të mos ndodhte ndonjë incident”, deklaroi për gazetën “Kathimerini” Aleksandros Pulas, i cili mori pjesë në atë takim.
Më shumë se 300 persona u mblodhën në protestën e së shtunës. Nga Athina ishin nisur të premten në mbrëmje dy autobusë, ndërsa shumë pjesëmarrës të tjerë kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Greqisë me automjetet e tyre private.
“Kur iu afruam gardhit, i lamë protestuesit rreth dhjetë metra pas dhe së bashku me kryetarin e fshatit, Kostas Konomi, folëm me drejtuesin e policisë”, thotë Pulas. Sipas tij, ata kërkuan të kalonin gardhin, të protestonin për rreth 15 minuta brenda zonës së bllokuar dhe më pas të largoheshin. Do të ishte një veprim simbolik.
“Nuk do të hynim për të shkatërruar. Ende nuk është ndërtuar asgjë në zonë dhe nuk kishte makineri aty”, thekson ai.
Megjithatë, pas gardhit ishin mbledhur burra të veshur me të zeza, pa shenja identifikuese, të cilët ngjanin me pjesëtarë të një kompanie private sigurie. Sipas dëshmive të banorëve, disa prej tyre i kërcënonin, i filmonin me telefonat e tyre dhe mbanin shkopinj gome.
“Ishin aty vetëm për të na frikësuar”, thotë Pulas.
Dhunimi
Siç shihet në videot që qarkulluan më vonë në internet, një nga protestuesit qëndroi në pjesën ku nuk kishte gardh, por vetëm tela me gjemba. Ai shkeli mbi to dhe foli me policët. Në video shihet se si ai tërhiqet me forcë nga personat pa shenja identifikuese, goditet dhe zvarritet në tokë për dhjetëra metra, nën tolerimin e policisë. Vetëm pas reagimeve të protestuesve, dy oficerë të policisë shqiptare ndërhynë dhe e afruan të plagosurin pranë tyre.
Pasi fillimisht u dërgua në spitalin e Vlorës, ai u largua nga Shqipëria dhe u transferua në spitalin e Janinës, nga ku mori daljen të dielën. Ministria e Jashtme e Greqisë paraqiti një protestë zyrtare ndaj qeverisë shqiptare për plagosjen e shtetasit grek.
Në një postim në rrjetin X, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se investimi është “një projekt i shkëlqyer për Shqipërinë, i cili po zhvillohet prej disa vitesh dhe nuk ka asnjë lidhje me gënjeshtrat e mëdha që po qarkullojnë ditët e fundit”.
Njëkohësisht, ai përgëzoi drejtuesit e policisë “për reagimin e shpejtë dhe të saktë, si ndaj kësaj bande të pamend muskujsh me statusin e rojeve private të sigurisë, ashtu edhe ndaj drejtuesve vendorë të Policisë së Vlorës”.
Për këtë zonë ka shprehur prej vitesh interes investimi Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump. Janarin e kaluar ai vizitoi plazhet pranë Zvërnecit dhe Lagunën e Nartës së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump, i shoqëruar nga arkitektë dhe biznesmenë.
Rrethimi me gardh dhe punimet e para të infrastrukturës rrugore në zonë po kryhen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. Në dokumentacionin e saj nuk figuron emri i Kushnerit dhe, sipas raportimit, ajo duket se lidhet me një kompani offshore në Holandë. Një rrjet i gjerë kompanish duket se lidhet me këtë investim, me përfshirjen edhe të biznesmenëve shqiptarë.
Përpara se të ndodhnin incidentet, një avokat që përfaqësonte investitorët dhe kishte marrë pjesë në takimin e Athinës foli për “Kathimerini”. Ai e cilësoi takimin me emigrantët nga Zvërneci si “miqësor” dhe argumentoi se vendosja e gardhit kishte si qëllim kryesor garantimin e sigurisë publike, pasi kantieret aktive përmbajnë rreziqe për persona që nuk janë të trajnuar dhe të pajisur siç duhet.
Në një deklaratë të re, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njoftoi se po ndërpret bashkëpunimin me kompaninë private të sigurisë pas incidenteve të së shtunës. Për dhunimin e protestuesit është kryer të paktën një arrestim.
Një protestë kundër investimit u zhvillua dje në Tiranë. Nga ana e tyre, banorët e Zvërnecit theksojnë se nuk janë kundër investimeve apo zhvillimit ekonomik, por kërkojnë respekt për mjedisin dhe zgjidhjen paraprake ligjore të çështjes së pronësisë së tokave të tyre.
Pulas thotë se pas incidenteve pati reagim dhe interes të menjëhershëm nga autoritetet konsullore greke, si edhe nga eurodeputeti Fredi Beleri.
Për të njëjtën çështje, javët e fundit janë zhvilluar protesta në Tiranë dhe Vlorë edhe nga anëtarë të organizatave mjedisore, të cilët shprehin shqetësim për dëmtimin e zonës së mbrojtur pranë Lagunës së Nartës.
Komente








