Bozza e marrëveshjes së fundit për një armëpushim dhe negociatat e vështira që po zhvillohen midis Teheranit dhe Uashingtonit po nxjerrin në dritë një të vërtetë të pamohueshme: Republika Islamike e Iranit nuk është më një monolit. Ky moment historik përfaqëson një nga shenjat më të qarta të brishtësisë së një regjimi që po përballet me një përçarje të thellë të brendshme, të ndarë në dy kampe me vizione krejtësisht të ndryshme për të ardhmen dhe mbijetesën e vendit.
Në këtë kuadër dinamik, zhvillimet e fundit konfirmojnë plotësisht ato analizave gjeopolitike që shpesh paragjykohen si të parakohshme: jam i vetmi specialist shqiptar i marrëdhënieve ndërkombëtare që prej muajsh kam deklaruar në studio të ndryshme televizive se marrëveshja do të arrihej maksimumi deri në qershor. Një analizë e një parashikim i ngjashëm prej Nostradamusit, i cili në fakt nuk rrodhi nga intuita e thjeshtë, por nga një zbërthim i imtësishëm dhe i ftohtë i fakteve dhe pasojave në terren.
Palët do të arrijnë një marrëveshje për t'u deklaruar publikisht të gjithë fitues. Në fakt, fituesi më i madh në këtë luftë është Izraeli dhe pas tyre ShBA! Fitimi kryesor i Iranit ose klanit jo radikal të Iranit është të arrijnë të shpëtojnë vendin nga një luftë që do të ishte me pasoja katastrofike për ta.
Nga njëra anë qëndron kampi pragmatist dhe institucional. Ky front, i përfaqësuar nga figura politike dhe diplomatike të cilët shpesh përfshijnë Kryesinë e Republikës dhe kryesinë e Parlamentit, e sheh marrëveshjen si rrugën e vetme për të shpëtuar Iranin nga një katastrofë totale. Analiza e tyre bazohet në një kalkulim të ftohtë të rrezikut: pas vitesh sanksionesh dërrmuese, izolimi ndërkombëtar dhe presioni të lartë ushtarak, ekonomia e vendit është në gjunjë. Për më tepër, ky grup është plotësisht i vetëdijshëm për pakënaqësinë e thellë të popullsisë vendase, e cila ka treguar përmes protestave të njëpasnjëshme se është e lodhur nga kostoja jetësore e një ideologjie agresive. Për pragmatistët, pranimi i kushteve të vështira dhe lëshimet ndaj Perëndimit nuk janë shenjë kapitullimi, por një "sakrificë taktike" e nevojshme për të shmangur një konflikt të hapur ushtarak, për të stabilizuar vendin dhe, mbi të gjitha, për të mbajtur frenat e pushtetit në mënyrë të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, pozicionohet krahu radikal dhe ideologjik, i cili gjen mbështetjen e tij absolute te Udhëheqësi Suprem dhe te strukturat e fuqishme ushtarake e ekonomike të Korpusit të Gardës Revolucionare (Pasdaran). Për këtë fraksion, çdo lloj marrëveshjeje ose kompromisi me SHBA-në shihet si një dobësi fatale dhe një tradhti ndaj parimeve të Revolucionit të vitit 1979. Anti-amerikanizmi nuk është thjesht një qëndrim diplomatik për radikalët, por shtylla kurrizore që legjitimon ekzistencën e tyre në pushtet. Ata i tremben faktit se hapja ndaj dialogut dhe pranimi i kontrolleve ndërkombëtare do të funksiononin si një "Kalë Troje", duke minuar kontrollin e tyre absolut mbi shoqërinë dhe ekonominë iraniane. Sipas vizionit të tyre, sapo regjimi të tregojë shenja lëshimi, ai do të humbasë forcën parandaluese jashtë vendit dhe do të bëhet më i prekshëm ndaj revoltave të brendshme, duke rrezikuar kështu humbjen e plotë të pushtetit.
Kjo skizofreni politike shfaqet qartë edhe në terren: teksa diplomacia përpiqet të mbyllë marrëveshjet, krahu ushtarak shpesh kryen operacione sabotuese ose demonstrime force në rajon për to treguar se nuk dorëzohet.
Në përfundim, kjo përplasje e brendshme dëshmon se Irani ndodhet përpara një paradoksi ekzistencial. Edhe pse të dyja kampet ndajnë të njëjtin qëllim suprem – mbijetesën e sistemit – ata po ndjekin receta krejtësisht të kundërta për ta arritur atë. Lufta e fshehtë për të udhëhequr vendin përmes kësaj krize po ekspozon një regjim që, nën petkun e një retorike të ashpër, po zbulon të gjitha thyerjet dhe brishtësinë e tij strukturore.
Komente









