'Aleancë qelbësirash', opozita ka humbur rrugën!

'Aleancë qelbësirash', opozita ka humbur rrugën!

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ai i PDIU, Shpëtim Idrizi

Reagimet e ftohta ndaj lajmit të një marrëveshje mes PDIU dhe frontit opozitar janë shenja më e qartë e padobishmërisë së një veprimi të tillë. Opozita ka humbur rrugën për të ardhur në pushtet. Dy janë motivacionet që shtyjnë njeriun në jetë. Ai moral dhe ai material. Po e nisim nga materiali. Opozita është në disavantazh.

Partia në pushtet ka në dorë gjithë arsenalin e mundshëm të parave, vendeve të punës, lejeve të ndërtimit, koncesioneve, licensave, asfaltit të rrugëve, depove me miell, bidonëve me vaj apo pakove të makaronave. Këtyre mund t’u shtosh dhe një polici të politizuar dhe bandave dhe kriminelëve që edhe nëse janë pak (sa mirë do ishte!) është bërë traditë të amnistohen në prag fushatë nga partia në pushtet (kuptohet pse).

Opozita në Shqipëri nuk ka asnjë shanc ta balancojë këtë fuqi materiale. Sado që të mundohet ajo, pushteti do ketë tre, katër, njëzet, njëqind, njëmijë herë më shumë mundësi korruptimi dhe intimidimi sesa opozita, kush mendon ndryshe jeton në botën e përrallave.

Atëherë e vetmja armë që i ngel në dorë opozitës është ajo morale. Për elektoratin duhet që motivacioni moral për të votuar opozitën të jetë më i fortë se motivacioni moral për të mos marrë pjesë në votime, motivacioni material për të votuar pushtetin apo dhe më shumë akoma, motivacioni moral për të ndryshuar votën. Rrugë tjetër nuk ka.

Po shprehem për PD meqë është partia kryesore e frontit opozitar. Ta themi troç, nga gjithë partitë e frontit opozitar vetëm PD ka një bazë ideologjikë dhe arrin t’i mobilizojë njerëzit në bazë të saj. Partitë e tjera kush më e madhe kush më e vogël deri më sot e kanë dëshmuar veten si parti interesash të cilave u mungon ideologjia bazë. Atyre thjesht u intereson një copë pushteti.

Sa më shumë u afrohet PD partive të tilla, ndodh që jo vetëm që nuk merr elektorat shtesë, por humbet gjithmonë e më shumë bazën e saj, ata njerëz për të cilët morali (apo ideologjia si e tillë) vlen akoma. Rezultati i zgjedhjeve të 2017 është shumë i qartë në këtë prizëm. Kjo humbje e kartës morale (dhe ideologjike) i kushtoi PD-së 200,000 vota dhe rrjedhimisht humbjen në zgjedhje.

Sepse elektorati nuk të beson që ti mund të ndryshosh diçka duke punuar me po ata njerëz që deri para ca orësh ishin në pushtet dhe që ti personalisht i ke sulmuar. Me po ata njerëz që janë akuzuar për tendera, vjedhje dhe blerje votash, punësime politike në administratë etj. Nuk mund të marrësh vota shtesë me po ata njerëz. Bile dhe vetë elektorati yt nuk të kupton pse brezi i vjetër i yti nuk vlen, ndërkohë që brezi i vjetër i partive karrocë vlen. Sepse janë po aq të vjetër në politikë sa brezi i vjetër i PD, por janë më keq akoma, sepse u mungon ajo ideologji, që të paktën ekziston akoma tek anëtarët e PD.

Lëvizja më e fundit e nënshkrimit të një marrëveshje me një parti që deri para dy ditësh ishte në pushtet (bile është akoma me njerëzit e saj) është tregues se opozita akoma nuk e ka kuptuar këtë gjë.

Shqiptarët nuk kanë më nevojë për një “Aleancë qelbësirash”. E panë dhe e kuptuan që ishte një gabim katastrofik. Duke imituar Ramën e 2013, opozita ka humbur rrugën./Facebook/

Autori është kryetari i partisë LIBRA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Rezultati në Shkodër nëse do votohej sot, garë e fortë PD-PS, socialistët më të preferuar në Shqipëri, demokratët në emigracion

Sondazhi/ Rezultati në Shkodër nëse do votohej sot, garë e fortë PD-PS, socialistët më të preferuar në Shqipëri, demokratët në emigracion