Vetëm pak ditë pas prezantimit të partisë së tij të re politike, Alexis Tsipras është vënë në qendër të debatit për ekonominë dhe taksat në Greqi.
Shkak është bërë propozimi i ELAS, formacionit të ri politik të ish-kryeministrit grek, për vendosjen e një “kontributi patriotik” ndaj kompanive me fitime të larta. Sipas partisë, bëhet fjalë për një masë të përkohshme që synon të sigurojë më shumë të ardhura për financimin e politikave sociale dhe mbështetjen e shtresave më të prekura.
Qeveria greke e ka kundërshtuar menjëherë idenë.
Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, deklaroi se rritja e taksave nuk mund të konsiderohet as “e mirë” dhe as “patriotike”, duke theksuar se politika ekonomike e qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka qenë e bazuar te ulja e barrës fiskale.
Sipas tij, gjatë viteve të fundit janë ulur ose hequr 83 taksa direkte dhe indirekte
Marinakis kujtoi gjithashtu periudhën kur Alexis Tsipras drejtonte qeverinë greke, nga viti 2015 deri në vitin 2019, duke argumentuar se gjatë atyre viteve u vendosën ose u rritën rreth 30 taksa të ndryshme, të cilat sipas qeverisë prekën kryesisht shtresën e mesme dhe familjet me të ardhura më të ulëta.
“Qytetarët duhet t’i gjykojnë politikanët nga ajo që kanë bërë kur kanë qeverisur dhe jo nga premtimet që bëjnë”, tha ai.
Çfarë propozon ELAS?
Përballë kritikave, partia e re e Tsipras ka dalë në mbrojtje të planit të saj ekonomik.
Zëdhënësja e ELAS, Theoni Koufounikolakou, sqaroi se “kontributi patriotik” nuk është menduar si një taksë e përgjithshme për qytetarët apo bizneset.
Sipas saj, masa do të zbatohet vetëm për kompanitë që regjistrojnë fitime shumë të larta dhe nuk do të ketë karakter të përhershëm.
Ajo argumentoi se qëllimi është krijimi i hapësirës fiskale për të financuar shërbimet sociale, për të mbështetur grupet më të dobëta dhe për të forcuar shtetin social.
Në të njëjtën kohë, ELAS premton ulje taksash për punonjësit me pagë dhe për shtresën e mesme.
Koufounikolakou tha se çdo rritje e mundshme e taksave do të prekë vetëm të ardhurat shumë të larta, ndërsa propozimet e plota ekonomike të partisë do të paraqiten në muajt e ardhshëm.
Mbrojtja e bilancit të qeverisjes së Tsipras
Zëdhënësja e ELAS komentoi edhe kritikat që vazhdojnë të shoqërojnë periudhën kur Tsipras ishte kryeministër.
Ajo e përshkroi vitin 2015 si një periudhë të vështirë dhe dramatike për Greqinë, por argumentoi se negociatat e asaj kohe krijuan bazat për fazën e mëvonshme të rimëkëmbjes ekonomike.
Sipas saj, gjatë viteve 2015-2019 u siguruan angazhime për lehtësimin e barrës së borxhit dhe u regjistrua ulje e rrezikut të varfërisë.
Megjithatë, ajo pranoi se disa nga masat e ndërmarra gjatë asaj periudhe, veçanërisht ato që prekën shtresën e mesme, krijuan pakënaqësi dhe dobësuan besimin e një pjese të qytetarëve.
Pavarësisht kësaj, Koufounikolakou tha se Tsipras vazhdon të ruajë një lidhje të fortë me një pjesë të madhe të shoqërisë greke.
“Unë i besoj sepse e konsideroj të ndershëm dhe të guximshëm”, tha ajo, duke shtuar se e vlerëson për ndjeshmërinë që tregon ndaj problemeve sociale.
Partia e re e Tsipras
ELAS u prezantua zyrtarisht javën e kaluar, duke shënuar rikthimin e Alexis Tsipras në politikën aktive pas largimit nga drejtimi i forcës së majtë që e çoi në pushtet një dekadë më parë.
Partia e re synon të mbledhë figura nga politika, akademia, biznesi dhe shoqëria civile, duke u paraqitur si një alternativë e re për qendrën e majtë greke.
Sipas drejtuesve të saj, një nga objektivat kryesorë është krijimi i një komunikimi më të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes konsultimeve të vazhdueshme dhe platformave digjitale.
Sondazhet e para të publikuara pas krijimit të ELAS tregojnë se partia po fiton mbështetje dhe në disa matje ka kaluar edhe PASOK-un, partinë tradicionale socialiste të Greqisë.
Komente










