Ali Pashë Tepelena/ Si e vlerësonte elita shqiptare e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë

Ali Pashë Tepelena/ Si e vlerësonte elita shqiptare e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë

Portret i Ali Pashë Tepelenës

Pyetje të shumta kanë shoqëruar vlerësimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe rolit të tij në historinë moderne të Shqipërisë. Njerëz të ndryshëm të letrave, historianë, përkthyes, por edhe shpesh herë amatorë të historisë, duke iu referuar folklorit, gojëdhënave dhe leximit të veprave të udhëtarëve të huaj, kanë krijuar tashmë një fabul të një njeriu orientalist, të egër, mizor që kur veçohet fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit, për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij.

Nuk mungojnë këtu edhe penelatat e fuqishme, madje me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historia e Frosinës, që paraqesin një figurë të degjeneruar dhe epshore të Ali Pashës, që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Portreti më i mirë, për këtë perceptim orientalist të figurës së Ali Pashës, nga ana e elitës evropiane të kohës, që vizitoi Pashallëkun e tij, por edhe nga shfrytëzimi me mjeshtëri nga vet Pashai i këtyre motiveve është trajtuar gjerësisht nga studiuesja Katherine Flamming në veprën e vet të mirënjohur “Bonaparti Mysliman”, çka e ka lehtësuar shumë terrenin metodologjik, për trajtimin e kësaj figure kontraverse në historinë e afërt të Epirit, Shqipërisë dhe Greqisë.

Studime dhe vlerësime të ndryshme për Ali Pashë Tepelenën kanë dhënë edhe mendimtarë dhe aktivistë kulturorë të Rilindjes Kombëtare ku spikat Sami Frashëri, Gavril Dara i Riu, Elena Gjika , Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj. Kështu p.sh është interesant fakti se te arbëreshët ai përceptohej si një udhëheqës që e ktheu Janinën në një qendër për ringjalljen politike e shtetformuese të Maqedonisë, Arbërisë dhe Greqisë. Janina qe vatra , ku mblidheshin gjithë burrat e urtë të Arbërisë, të Maqedonisë dhe Elladës e atje, midis studimeve, bënin plane për të çliruar atdheun e tyre. Që andej u ngrit Aliu i Tepelenës, burrë i urtë e i madh, ndonëse i pafat, i cili tregoi i pari kalbësirën, që bren mbretërinë e turqve e u dëfteu helenëve si ta mundnin atë dhe si të çliroheshin.(Gavril Dara i Riu. Kënga e Sprasme e Balës, Parathënie.Vepra:Toena, Tiranë:2010, fq 97). Ky perceptim kaq idilik që Gavrild Dara i vesh figurës së Ali Pashë Tepelenës nën influencën e romantizmit nuk do i shkoj për shtat penës së Sami Frashërit që nuk do ta vlersonte me nota pozitive jetën dhe veprën e Ali Pashë Tepelenës.

Pjesa më e madhe e autorëve të Rilindjes Kombëtare dhe atyre të Pavarësisë u formua në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” ku bëmat dhe aktiviteti i Pashait Tepelenas ishin ende të freskëta në memorien e njerëzve. Në të njëjtën kohë ata ishin përfaqësues edhe të familjeve të pasura feudale, që e kishin ndier në lëkurë pushtetin centralizues të Ali Pashës. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e Janinës, por gjithandej nëpër Europë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore të fuqishme. Sami Frashëri në veprën e vet  KÂMÛS AL-A’LÂM, zëri Ali Pasha Tepelena do të shprehej se : Ndonëse Ali Pasha ishet një njeri i pashkolluar, ishte shumë i aftë dhe i zgjuar.

Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo, ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi. Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër i shtoheshin edhe hilet. Duke burgosur njerëz në mënyrë djallëzore, e duke përdorur intrigat, shumë prej tyre i zhdukte e shumë herë i shtinte të vrasë vëllai vëllanë me dorën e vet që pastaj edhe këtë ta dënojë me vdekje sipas rregullës “krye për krye”. Ngjarja e Kardhiqit, që u përmend më lart, është një shembull tipik i intrigave dhe tiranisë së Ali Pashës. Kudo që në Shqipëri do të kishte ndonjë familje me autoritet dhe me ndonjë ndikim, po qe se nuk i shkonte për shtati Ali Pashës, ai, një numër të anëtarëve të saj haptas ose msheftas i zhdukte ose i largonte prej aty.

 Por jo të gjithë pjesëtarët e elitës shqiptare do të ishin në një mendje. Faik Konica, në shkrimin e tij të titulluar "Ali Pasha i Tepelenës", në muajin Shkurt 1902 në gazetën "Albania", duke qortuar shqiptarët që shanin Ali Pashën, thekson: "E pse të zemërohemi me zaptijet e mjerë që nuk e kanë kuptuar Ali Pashën? Për të njohur mirë jetën dhe punët e Ali Pashës duhen studjuar nja dhjetë libra inglisht, nja pesë a gjashtë greqisht dhe nja tre a katër frëngjisht, të cilat flasin për të... Vetëm një gjë duam t'u themi këtyre poturakëve: - Nuk themi se ju jeni shqiptarë të liq, por për emër të Perëndisë pse doni të gjykoni punëra që s'i dini?!" Me shpalljen e Pavarësisë dhe konsilidimin e shtetit shqiptar mendimet dhe gjykimet rreth Ali Pashë Tepelenës ndryshojnë duke i njohur edhe aftësi shtetformuese dhe meritat për mbajtjen gjallë të ndërgjegjes kombëtare. Kështu p.sh  Mithat Frashëri do të shkruante në faqet e Diturisë një artikull për Ali Pashë Tepelenën ku nuk mënon ti njoh meritat në qeverisje.

Në studim të jetës së Aliut nuk do mbajtur larg sysh gjendja e ahershme e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për të cilët gjithë shkronjësit e vjetër janë të njëzëshëm të na i rrëfejnë si njerëz të rreptë, të pabindur dhe fort pak të qytetëruar. Aliu, kishte të bëjë me adversarë (kundërshtarë – red), këmbëngulës, që s’e dëgjonin dhe s’donin ta dëgjojnë. Thonë se një ditë i rrëfenin pashait të Janinës punët që kishte bërë një tjatër shqiptar anë Nilit, Mehmet Aliu. Tepelenasi si dëgjoi historinë e veprave të çudiçme të Misirit, paska thënë: :”Hajde o Mehmet Ali, si lum ti që ke gjetur fellahët dhe i bën si i do vetë, unë këtu vras nëntëdhjetë e nëntë shqiptarë dhe nuk i mbush dot kokën të njëqindit!” Është një gjë e treguar se në vendet që sundonte Aliu mbretëronte një siguri dhe qetësi e plotë. Vallë, zbutjen e vetijave dhe përparimin relativ që vërejmë sot në anët jugore të vendit tonë, a  nuk ja kemi hua rreptësisë dhe keqësisë që ekzersoi (ushtrojë-  red) veziri nga Tepelena? (Mithat Frashëri, alias Lumo Skëndo. Dituria, 1926, nr.1.f.19-22).

Këtë kontekst politik të elitës shqiptare përcjellin dhe  vargjet e Ali Asllanit, një figure tjetër të rëndësishme të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë në poezinë e tij “Ali Pasha Tepelena”. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është trajtimi i deri më sotëm si një pasha oriental, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Po kështu ai është vështruar nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historisë së Frosinës që paraqesin si një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Mirëpo realitet historike flasin ndryshe.

Ali Pasha ishte përfaqësues i një prej familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën. Gjithësesi në vargjet e Ali Asllanit ndihet simpatia e tij për këtë hero të historisë së shqiptarëve pasi ai shkruan Në e ultë historia,/di ta ngrerë Shqipëria,duke vendosur një balancë midis arsyetimeve të influencuara nga reagimi i parisë feudale shqiptare ndaj regjimit centralizues të tij dhe efekteve të mëvonshme pozitive të qeverisjes dhe rebelimit të Ali pashë Tepelenës në mendimin shqiptar.

 

Ali Pashë Tepelena

Nga satrapët më satrap

nga dervishët më dervish,

ky zabit, ky dreqo-lab,

pa kalem e pa qitap,

paskish lindur me këmish!

Po satrapin, unë ju lus,

mos ta marrim për qortim,

ai ish një kryetrim,

një rrufe, një vetëtim,

që i tha sulltanit: sus!

Një rrufe...

Po rrufeja, vini re,

i ka rrënjët në një re!

si dhe truri, tungjatjeta,

me gjith’ dritëzat e veta,

i ka rrënjët në kaptinë!

po sa larg dhe sa lart

shkon e ndrin dhe vetëtin!

Dhe Ali Pasha kajmeni

nip stërnipi i një dere,

soj dervishi, soj sejmeni,

i ushqyer me mëna ferre!

me guzimin mrekulli

u bë kryefermanlli

dhe nga truali i tij i ngusht’

i lëshoi një goxha grusht

perandorve osmanlli!

Dhe arriti sa pothuaj,

në tryezë të çezarve

ku vlon hymni ngadhnjimtarve,

hymn’ i tija s’mbet i huaj!

Le t’i ngrem’, pra një dolli!

fam’ e tija është e madhe,

vler’ e tija më e madhe!

Në e ultë historia,

di ta ngrerë Shqipëria,

sepse trimin, nuk e nuk,

trimi trimin nuk e zhduk!

Në vitet 30’ në publicistikën shqiptare do të mbisundonin mendime të ndryshme për rolin e Ali pashë Tepelenës në jetën politike të Shqipërisë. Për shkak të zhvillimeve të atëhershme të shtet ndërtimit të shqiptarëve ku ideja e kombformimit më tepër u pa si një aksion i grupeve dhe elitave të lidhura me Europën duke përjashtuar evolumimin e cilësive shtetformuese të elitës shqiptare të Pashallaqëve dhe influencës së ligjërimit orientalist të dëshmive të udhëtarëve të huaj, Pashallëqet Shqiptare u panë si pushtete politike që ushqyen despotizmin oriental dhe mbartës vesesh e prapambetje mes shqiptarëve.

Një rast tipik në mendimin politik e historiografik shqiptar që nis në vitet 30’ dhe evolon deri në fund të viteve 60’, është vepra publicistike, historike e teorike e Tajar Zavalanit. Në fillim të viteve 30’ Zavalani shkruante se Ali Pashë Tepelena u bë eksponent i satrapizmës feudale dhe u rebelua kundër Sulltanit. Bushatllinjtë në Shkodër kundërshtuan po për ato shkaqe. Le të mos vij dikush e të na thotë se këta udhëhiqeshin nga një ide shqiptare. Prova është se kur grekërit i propozuan satrapit të Janinës t’u printe luftën kundër Sulltanit, ai u përgjigj se nuk kish ndërmend të ndahej prej “babe”, por vetëm nuk i pëlqenin reformat...sepse e dëmtonin finaciarisht.( Tajar Zavalani. Misioni i shekullittë XX. Plejad:2003, fq 88). Më tej ai sqaron se rebelimi i krerëve feudalë shqiptarë me në krye Ali Pashë Tepelenën, ishte rezultat i kundërshtimit të reformave që po ndërmerrte Perandoria otomane sesa një revoltë me sfond nacionalist. Qendralizmi adminstrativ dhe fiskal, mbledhja e taksave nga ana e nëpunësve direkt të Bab Alisë, zhdukja e spahillëkut, vendosja e garancive juridike, me një fjalë të gjitha reformat e dekretuara me Tanzimatin nuk u pëlqenin feudualëve shqiptarë të mësuar të ushtrojnë mbi krahinat e veta një pushtet të pakufizuar.

Gjithësesi në fund të viteve 60’ të shekullit të XX ai do të ndryshonte mendim kur do të shkruante në artikullin e tij “Albanian Nationalism,” të botuar në përmbledhje artikujsh “Nationalism in Eastern Europe” dhe të përmbledhur dhe edituar nga Peter Sugar dhe Ivo John Lederer në 1969 se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në vetadministrimin e Pashallëkëve shqiptare dhe  në kundërvënien e tyre me pushtetin otoman qendror. Sipas Zavalanit, ata( Ali Pasha Tepelena dhe Bushatlliu) bënë të mundur të bashkojnë për dekada me radhë pjesë të konsiderueshme të vendit nën një administratë të përbashkët, të nënshtronin partikularizmin e një numri të shumtë të feudalëve lokalë,  të organizonin klane nga besime të ndryshme fetare për të bashkëpunuar në kohë paqeje dhe lufte mes tyre.

Edhe pse përdornin metoda të ndryshme, të dy, Aliu dhe Bushatlliu i mësuan bashkëpatriotet e tyre avantazhet e një qeverie të centralizuar, dhe duke udhëhequr myslimanët në beteja kundër Sulltanit Kalif ata shkatërruan me sukses besimin se çdo mysliman ishte një turk me interesat e përfaqësuara më mirë nga Porta e Lartë. Solidariteti lokal përtej niveleve klanore u shfaq në Shqipëri nën udhëheqjen e tyre. Ky precedent, ndonse ishte i një rëndësie të përkohshme për kohën, u bë e rëndësishme një gjysëm shekulli më vonë kur Ali Pasha dhe Bushatllinjtë u bënë heronj në sytë e nacionalistëve shqiptarë të cilët i panë përpjekjet e tyre si manifestime të hershme të nacionalizmit. (Tajar Zavalani. Albanian Nationalism. Në Nationalism in Eastern Europe edited by Peter Sugar and Ivo John Lederer. Ëashington: Ëashington University Press, fq 59).

Figura e Ali Pashë Tepelenës nuk mund të studiohet jashtë kontekstit të kohës, gjeopolitikës dhe balancës së pushteteve të trashëguara, që ai gjeti të ngritura si strukturë më vete. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e Janinës, por gjithandej nëpër Evropë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore të fuqishme.

Respektimi i pushtetit të Kishës Ortodokse dhe përfshirja e saj në pushtetin e kohës, ishte një traditë shtetformuese otomane, të cilën Ali Pasha Tepelena e gjeti të trashëgueshme që nga rënia e Konstandinopojës dhe nuk e shpiku vet, ndaj akuzat për mbështetje të veçantë dhe të paramenduar ndaj elementit grek nuk qendrojnë, por shpesh herë ngjajnë dilentante. Në lojën e vet, të brendshme për pushtet, Ali Pashës i duheshin aleatë dhe te peshkopët e Kishës Ortodokse, ai gjeti njerëz, që qeverisnin dhe drejtonin si udhëheqës shpirtërorë një pjesë të madhe të nënshtesve të vet. Është afërmendsh, që këtë ekuilibër pushteti, që ndiqte Sulltani për të qeverisur në Perandorinë Otomane, nuk mund të injorohej nga Ali Pasha.

Koha, në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij, Pashai Tepelenas, ishte koha kur Ballkani dhe territoret e perëndimore të tij nën kontaktin e drejtpërsëdrejtë me ushtrinë franceze, që pushtuan Ishujt Jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Evropën, kaluan nga procesi i mesjetës së vonë në Iluminizëm dhe Nacionalizëm.  Merita e Ali Pashë Tepelenës si një drejtues i një etniteti shtetëror që përfshinte rreth 1.500.000 banorë të përbërë nga grupe të ndryshme etnike, është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës, megjithatë evoloi qendrimet e veta politike, nga një shkollë administrative e politike, që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman, në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet.

Krahasimi i figurës së tij duhet të shtrihet në një rrafsh me prijësit e tjerë të lëvizjeve ballkanike, që tronditën pushtetin e Perandorisë Otomane në fillim të shekullit XIX. Pyetje të shumta duhen të ngrihen për të zbuluar më mirë figurën e tij në një rrafsh metodologjik që të përfshijë gjithë rajonin duke lënë mënjanë ditominë fetare të vlerësimit të figurave që ngjarjeve historike që jo radhë herë ka qenë mbizotërues në diskursin historik të studiuesve të huaj të kësaj epoke.

A ishte më shumë i shkolluar, më shumë humanist apo më pak gjaksor se Ali Pasha Tepelena, Millosh Obrenoviçi, tregtari i thjeshtë i derrave i shndërruar në princ pas revoltës së serbëve në 1815? A ishin prijësit e Revolucionit Grek me një mentalitet tjetër dhe të ndryshëm nga Ali Pasha Tepelena? Për çdo studiues serioz të historisë së Ballkanit është mëse e qartë se metodat, mënyrat dhe etika e kohës ishin të njëjta për të gjithë ballkanasit dhe vetëm rezultati pozitiv ose jo i tyre ka bërë diferencën në njohjen e vlerësimin e këtyre lëvizjeve dhe prijësve të tyre.

Figura e Ali Pashë Tepelenës duhet të çlirohet nga paragjykimet kulturore, krahinore, fetare dhe politike dhe për t’ia rikthyer atë vlerësimit të drejtë të histories. Këndvështrimi i ftohtë dhe jo pasionant por sidomos studimi i jetës dhe veprës së Ali Pasha Tepelenës në kontekstin historik të epokës së tij mund të hedhin dritë mbi një nga etapat kalimtare të historisë së afërme tonë, pasi duke vepruar kështu, në fakt arrijmë që të vlerësojmë drejt një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së afërme të shqiptarëve, periudhës kur pas tre shekujsh harese, nën sundimin otoman, Shqipëria filloi të përmendej sërish në Evropë.

Bibliografi:

1-  Gavril Dara i Riu. Kënga e Sprasme e Balës, Parathënie.Vepra:Toena, Tiranë:2010

2-  Sami Frashëri KÂMÛS AL-A’LÂM, zëri Ali Pasha Tepelena sipas Menduh Polisit “Personalitete shqiptare në KÂMÛS AL-A’LÂM TË SAMI FRASHËRIT”.Rilindja: Prishtinë

3-  Faik Konica. Ali Pashë Tepeleni. Shkurt 1902 Gazeta "Albania”

4-  Mithat Frashëri, alias Lumo Skëndo. Dituria, 1926, nr.1.f.19-22.

5-  Tajar Zavalani. Misioni i shekullittë XX. Plejad:2003, fq 88.

6-  Tajar Zavalani. Albanian Nationalism. Në Nationalism in Eastern Europe edited by Peter Sugar and Ivo John Lederer. Washington: Ëashington University Press.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?