Në çdo protestë popullore, mënyra se si kapitalizohet energjia e ditëve të para është shpesh po aq vendimtare sa vetë kërkesat që ngrihen. Zemërimi qytetar mund të shndërrohet në proces politik, por mund edhe të shpërndahet pa u kthyer në forcë reale negociuese. Protestat disajavore në Tiranë, të lindura nga kundërshtimi ndaj projektit të investimit në aksin Zvërnec-Sazan, duket se u afruan më shumë me këtë të dytën.
Ngjarjet rrodhën shpejt pas pamjeve dramatike që qarkulluan në media ku një individ tërhiqej zvarrë, duke prodhuar një mobilizim të menjëhershëm në Tiranë. Ky ritëm i fortë reagimi krijoi përshtypjen e një lëvizjeje politike në embrion që priste vetëm një shkak për t'u ndezur. Por ajo që ndodhi më pas ishte më pak lineare. Vrulli fillestar nuk u shoqërua me ndërtimin e mekanizmave të nevojshëm për ta kthyer protestën në një faktor politik me të ardhme.
Kërkesat për dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë, si edhe për krijimin e një qeverie teknike, nuk duhej të ishin pikënisje e një procesi kërkesash. Ato mund të ekzistonin si objektiva maksimalë, por jo si Plani A. Në momentin që vendosen si kushte të para, hapësira për dialog mbyllet që në fillim.
Nga këndvështrimi i një mazhorance që mbështetet në legjitimitet parlamentar, hapësira për lëshime në atë nivel është natyrshëm e pamundur. Kjo nuk e bën kërkesën të drejtë apo të padrejtë në vetvete, por përcakton shkallën e negociueshmërisë së saj në kushtet konkrete.
Në këtë pikë, protesta nisi të humbiste ngadalë koherencën e saj politike. Pjesëmarrja u tkurr me kalimin e ditëve, ndërsa mungesa e një strukture të qartë përfaqësimi e bëri të vështirë mbajtjen e një linje të unifikuar veprimi. Në raste të tilla, boshllëku organizativ shoqërohet me tensione dhe akte dhune, të cilat shpesh shfaqen kur një lëvizje rruge nuk arrin të prodhojë rezultatet e pritshme, gjë që rëndon perceptimin publik për të.
Nëse drejtimi i protestës do të kishte zgjedhur një qasje më të hapur institucionale, me kërkesa të matshme, hapësira e tij për ndikim politik do të ishte më e madhe, edhe pa pasur një status formal. Jo përmes përplasjes direkte apo shfaqjes së arkivoleve mortore, por përmes aftësisë për t'u shndërruar në një aktor të artikuluar me kredibilitet publik dhe aftësi për të ushtruar presion politik të vazhdueshëm mbi institucionet.
Po ashtu, mënyra e përfaqësimit ka peshën e saj. Një grup negociator i përbërë nga figura publike të konsoliduara do të ndikonte jo vetëm në perceptimin e jashtëm, por edhe në stabilitetin e brendshëm të lëvizjes, duke e bërë më të vështirë fragmentimin e saj në rrugë.
Ajo që mbetet është përshtypja e një momenti historik që u konsumua shpejt, pa arritur të marrë formën e një procesi të qëndrueshëm. Sepse në politikë, energjia e ditëve të para ka vlerë vetëm kur përkthehet në organizim, përfaqësim dhe strategji politike. Një protestë nuk shndërrohet në faktor politik vetëm nga numri i pjesëmarrësve, por nga aftësia për ta strukturuar, artikuluar dhe mbajtur të hapur si proces negocimi. Pikërisht aty kjo protestë duket se e humbi momentin e saj.
Komente









