Ambasadori Alastair King-Smith zbulon surprizat e javës kulturore britanike në Report Tv: Nga kriketi në sheshin 'Skenderbej' tek koncerti i Rita Orës

Ambasadori britanik Alastair King-Smith në Tiranë zbardh surprizat e javës kulturore britanike që starton në 1 shtator. Që nga loja e kriketit në Sheshin Skënderbej dhe deri tek koncerti i kengetares me fame boterore Rita Ora në 6 shtator po në Tiranë, ambasadori britanik nenvizoi se ky është momenti i persosur për te forcuar lidhjet ndërsa foli edhe për 100 vjetorin e marrëdhenieve mes dy vendeve. Gjatë intervistës së tij për Report Tv ambasadori britanik ka folur dhe për listën e zeze si dhe për qëndrimin që do të mbajë qeveria e Londres ndaj politikaneve te korruptuar shqiptarë që janë ne këtë liste.

Pjesë nga intervista e ambasadorit britanik Alastair King-Smith dhënë gazetarit Denis Minga 

Denis Minga: Të nderuar teleshikues të Report TV,jemi spostuar këtu në rezidencën e ambasadës britanike në Tiranë, me ambasadorin e këtij shteti të madh dhe mik të Shqipërisë, ambasadorin z.Alastair King-Smith pë të folur për javën kulturore të Britanisë së Madhe që starton në 1 shtator ku do të ketë shumë aktivitete, por edhe përtej javës kulturore për të pyetur ambasadorin për disa nga temat e rëndësishme që janë edhe në fokusin e opinionit publik shqiptar. Z.Ambasador përshëndetje, kënaqësi që ju kam në këtë intervistë.

Amb. britanik Alastair King-Smith: Përshëndetje dhe është kënaqësia ime të jem me ju gjithashtu.

Denis Minga: Britania është një nga shtetet mike të Shqipërisë dhe po organizon javës e saj kulturore sic bënë dhe disa shtete të tjera të mëdha , aleate të Shqipërërisë. Java kulturore starton në 1 shtator, cilat janë programet më interesante që keni menduar?

Amb. britanik Alastair King-Smith: Së pari, është kënaqësi e madhe që të fillojmë javën e kulturës britanike dhe mendoj se kjo është një nismë shumë e mirë për forcimin e lidhjeve kulturore dhe të “pushtetit të butë” ndërmjet vendeve dhe popujve tanë. Do të jetë një festë kulturore. Shqipëria ka një kulturë dhe histori me të vërtetë të pasur dhe pa dyshim e njëjta gjë është vlen edhe për Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë kësaj jave, sporti do të ketë radhën i pari. Do të organizojmë një lojë kriketi në Sheshin Skënderbej. E di që kriketi mund të mos jetë shumë i njohur në Shqipëri, por në Britani e luajmë shumë, ashtu si edhe në botë. Shqipëria luan shumë futboll dhe e njeh mirë, kështu që menduam të prezantojmë edhe kriketin.

Më pas do të kalojmë tek muzika. Siç mund ta dini, Rita Ora do të vijë për një koncert madhështor në datën 6 shtator. Ajo është një yll në Britani dhe në botë, dhe këngëtare pop, por në zemër e shpirt është padyshim kosovare dhe shqiptare, kështu është e mrekullueshme që këto lidhje të shpalosen përmes muzikës.

Dhe më tej do të kalojmë në gjëra të tjera. Do të festojmë për letërsinë dhe rolin e autorëve britanikë në kulturën shqiptare, si dhe lidhjet kulturore.

Denis Minga: Ndalemi pak tek kriketi, një lojë që ka shumë kuriozitet për Shqipërinë, ju do të luani vetë z. Ambasador?

Amb. britanik Alastair King-Smith: Besoj dhe shpresoj se do të kemi një ekip britanik dhe një shqiptar që të konkurrojnë me njëri-tjetrin, por nuk kam përshtypjen që do të përzien ekipet. Nuk do t’i bëjmë gjërat shumë të vështira. Duam që të ketë argëtim. Duam që njerëzit të na bashkohen, të vijnë, të shohin, e përse jo edhe të qeshin sadopak së bashku me ne. Gjuajta dhe kapja e topit nuk do të jenë perfektë, sepse herën e fundit që kam luajtur kam qenë 16 vjeç dhe në shkollë, por presim me padurim t’ua tregojmë të gjithëve.

Denis Minga: Vë bast se do të luani përballë kryebashkiakut të Tiranës?

Amb. britanik Alastair King-Smith: Po,kështu që shpresojmë që kryetari i bashkisë Tiranë dhe personalitete të tjera të Tiranës të vijnë dhe pse jo, të luajnë me ne. Disa prej tyre e kanë marrë lojën disi me dyshim, dhe thonë se nuk janë shumë të mirë në sporte dhe se duan vetëm të jenë spektatorë. Rëndësi ka të kënaqemi.

Gjithmonë kam besuar se sporti ka të bëjë jo vetëm me konkurrencën sportive të ndeshjes, por edhe me dhënien e një shfaqjeje dhe unë gjithmonë ndjej kënaqësi teksa ndjek sportin qoftë, kriket, futboll, rregbi, apo sporte të tjera. Faktikisht, jo më larg se javën që shkoi, kishte një ndeshje boksi me Florian Markun në Shqipëri. Ai është boksier shqiptar që jeton në Britani.

Denis Minga: Ju përmendet dhe Rita Orën , këtë këngëtare mjaft të njohur shqiptaro-britanike, cfarë kontributi japin artistët por edhe sportistët në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve?

Amb. britanik Alastair King-Smith: Është pyetje me shumë vend, sepse unë besoj se njerëzit e botës së kulturës kanë një rol shumë të rëndësishëm. Ata janë shpesh modele për të rinjtë. Shpesh ajo çka bëjnë, thonë, këngët e tyre, mesazhet e tyre i prekin njerëzit në mënyra që qeveritë nuk munden, dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Dhe jam me të vërtetë i lumtur që Rita do të vijë këtu dhe do të na tregojë se si mund ta arrish suksesin. Nuk ka rëndësi nëse ke lindur në Kosovë, në Shqipëri, apo në Britani, për të qenë një histori ndërkombëtare suksesi duhet shumë punë dhe sigurisht të përdorësh talentin që ke.

Denis Minga:  Një nga fushat e javës suaj kulturore është edhe letërsia britanike, menjëherë të shkon mendja tek Shekspiri, cfarë duhet të presin lexuesit shqiptarë përtej Shekspirit ?

Amb. britanik Alastair King-Smith: Letërsia është fushë shumë e rëndësishme dhe është interesante fakti se sa të njohur janë për shumë shqiptarë Uilliam Shekspiri dhe Çarls Dikensi e të tjerë, dhe mënyra se si letërsia jepet në shkolla. Por, në të vërtetë ne duam të organizojmë një aktivitet familjar që mund të përfshijë më shumë fëmijët, të cilëve mund t’u vijnë në mendje më shumë Harry Potter-i se sa autorët e vjetër. Të dyja këto lloje letërsie janë shumë të rëndësishme! Ne duam ta festojmë këtë dhe të shohim drejt së ardhmes për të përforcuar shkëmbimet arsimore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Faktikisht, unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse duam të përqendrohemi tek ana pozitive dhe duam që njerëzit të shohin elementet pozitive të kulturës shqiptare, çka do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit për Shqipërinë, e cila ndonjëherë shihet vetëm përmes anës negative. Unë dua të sigurohem që përmasat dhe shumëllojshmëria e kulturës dhe trashëgimisë së Shqipërisë t’i shpaloset botës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Denis Minga: Java kulturore shtrihet përtej Tiranës, edhe në qytete të tjera?

Amb. britanik Alastair King-Smith: Shumë e rëndësishme. Në të gjithë vendin. Do të kemi aktivitete në Korçë dhe Shkodër dhe shpresojmë që edhe të tjerë të organizojnë aktivitetet e tyre. Kjo është hera e parë për ne, dhe shpresojmë të organizojmë më shumë aktivitete në të ardhmen. Besoj se kjo është diçka shumë e rëndësishme. Tashmë kam thuajse një vit këtu dhe ka qenë kënaqësi e madhe të udhëtoj nëpër këtë vend dhe të shoh shumëllojshmërinë e madhe nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Dhe këtu e kam fjalën për njerëzit, për vendet, për plazhet, për malet dhe për bukuritë e tjera. Por, kam parë edhe kulturën dhe besoj se kjo është diçka që mund ta festojmë së bashku dhe ta sjellim vërtetë në vëmendje.

Padyshim kam pasur fat që kam mësuar disi shqip në Shkodër. Kështu që kam pasur mundësi të përjetoj realisht zona të ndryshme të vendit dhe jo vetëm Tiranën, e cila padyshim ka rëndësinë e saj të madhe.  Kështu që, edhe këtu do të organizojmë aktivitete.

Denis Minga: Tirana është e rëndësishme edhe politikisht , dhe ne festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë, cfarë ka ndryshuar z.Ambasador dhe cfarë është sot kjo lidhje mes dy vendeve ?

Amb. britanik Alastair King-Smith: Që prej emërimit tim, ishte e qartë që mund të bënim më shumë në fusha më të gjera. Kemi punuar shumë në fusha si krimi i organizuar, çështjet e demokratizimit dhe zgjedhjet, dhe do të vazhdojmë të punojmë në këto fusha. Por, që në fillim ramë dakord, dhe ministrat tanë gjithashtu janë dakord, se ky është momenti i përsosur për të përforcuar dhe thelluar marrëdhëniet tona. Prandaj shume prej ministrave tanë kanë ardhur dhe do të vijnë këtu.

Kryeministri ishte në Londër, dhe siç e dini mirë, në Londër do të kemi së shpejti një qeveri të re. Por unë jam i sigurt se edhe kjo qeveri do ta konsiderojë Shqipërinë si partnere të ngushtë dhe të rëndësishme, sepse tashmë po bashkëpunojmë edhe në arenën ndërkombëtare në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në NATO për çështje si Ukraina dhe Rusia. Megjithatë, unë besoj se mund të bëjmë më shumë në fusha si tregtia, biznesi dhe investime, si dhe në arsim e kulturë, siç e përmenda më lart.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë