TIRANË- Që të kemi përsëritje të zgjedhjeve të 25 prillit, fillimisht KAS duhet të shpallë pavlefshmërinë në një ose disa qendra votimi, dhe për të marrë këtë vendim duhen 4 vota pro. Kujtojmë që nga 5 anëtarë, 3 janë propopzuar nga PS dhe 2 nga PD. Anëtari i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), Ledio Braho në një intervistë për Report Tv ka shpjeguar procedurialisht se si arrihet deri në përsëritje të zgjedhjeve.
"Së pari duhet të arrihet në pavlefshmëri të një apo më shumë QV, kërkesa e PD dhe LSI, janë për pavlefshmëri të zonave zgjedhore, pra të qarqeve, dhe neni 160 i Kodit Zgjedhor parashikon që pavlefshmëria, pra a jemi në kushtet e pavlefshmërisë, atëherë kur konstatohen shkelje të rënda të ligjit, jo vetëm të Kodit Zgjedhor dhe specifika e pavlefshmërisë është se duhet së paku 4 vota që të pranohet një kërkesë e tillë. Pra duhen 4 anëtarë të KAS që të mbështesin një kërkesë të tillë. Kjo është për t'u parë. Deri më tani ne nuk kemi marrë asnjë vendimmarrje as për rastin e Gjirokastrës dhe as të Beratit. Besoj se do të duket standarti i KAS në rastin e parë. Kërkesat që ngre PD janë pothuajse të njëjta, që kanë të bëjnë me cenim të vullnetit të votuesit para ditës së zgjedhjeve. Nëse do bëhen 4 anëtarë të KAS që jemi në kushtet e shkeljeve të rënda të ligjit, patjetër që mund të jemi në kushtet e marrjes së një vendimi për pavlefshmëri dhe patjetër që ajo sjell rastin që duhet të përsëriten zgjedhjet në këto zona zgjedhore", tha Braho.
Në studion e Report Tv, Braho është ndalur edhe në kërkesën e partive opozitës për rinumërimin të votave, më specifikisht në dy qarqe, Berat dhe Durrës nga LSI-ja. Ai shpjegoi me se në rast se pas hapjes të kutive me materialeve zgjedhore siç ka ndodhur ne Berat do të konstatohet se në një nga qendrat e votimit ka pasur parregullsi, atëherë mund të kalohet në rinumërim. Për këtë mjaftohen 2 vota nga 5 anëtarë të KAS.
"Patjetër që mund të shkohet në rinumërim, por duhet të kemi parasysh që deri më tani vetëm për 2 qarqe është kërkuar rinumërimi në Berat dhe Durrës. Pra në qarkun e Beratit, pas hapjes së kutive të votimit të materialeve zgjedhore, pas vendimmarrjes së KAS, nëse do konsiderojmë se në ndonjë nga qendrat e votimit si të pavlefshme apo jo, atëherë do të bëhet edhe rinumërimi i votave në bazë të kërkesës së LSI, apo kërkesës që 2 anëtarë të KAS, pra mundet që 2 anëtarë të KAS të kërkojnë rinumërimit. Pra nga provat e LSI, ka pretendime për vlerësim të gabuar të fletëve të votimit dhe kjo do i shërbejë një procesi zgjedhor të drejtë, aq më tepër kur në qarqe si Berati apo Durrësi numri i votave, diferenca mes LSI dhe PS është e vogël dhe mund të sjellë ndryshim mandatesh", shtoi ai.
Ai shtoi se rezultati i Zgjedhjeve të 25 prillit do të vuloset përfundimisht nga mesi i muajit qershor, pas përfundimit të shqyrtimit të ankimimeve të partive politike, specifikisht të PD-LSI.
" Parashikoj që së bashku me Kolegjin Zgjedhor, rezultati i 25 prillit mund të shkojë deri nga mesi i qershorit, që mund të certifikohet përfundimisht", tha Braho.
Akuzave të ardhura nga kryedemokrati Lulzim Basha, Braho iu përgjigj shkurt dhe qartë.
"Unë nuk kam pasur asnjë presion apo shtysë, dhe pse jam propozuar nga PD. Kodi Zgjedhor, pas Reformës Zgjedhore të fundit ka parashikuar që të gjithë anëtarët e KQZ janë të depolitizuar, por kryetari i opozitës, nisur edhe nga vendimmarrjet e fundit që refuzojnë marrjen e provave shtesë, apo për fletën e votimit, apo shfrytëzimit të votave, patjetër që e konsideron si vendimmarrje politike,që kanë marrë shumicën e votave", tha Braho.
Intervista e plotë
Fillimisht e nisim me vendimin më të fundit të KAS që ishte hapja e 24 kutive jo të fletëve, por të materialeve zgjedhore...
-LSI ka bërë 2 kërkesa ankimore që qarkun e Beratit, një kërkesë që ka lidhje me pavlefshmërinë me 24 qendra votimi dhe një që ka lidhje me rinumërimin e një pjese të ËC ku sipas filmimeve të LSI tabela e rezultateve nuk përputhet me numrin e fletëve që janë në favor të saj, por për shkak se Kodi Zgjedhor parashikon si fillim që KAS duhet të marrë fillimisht një vendim të ndërmjetëm në lidhje me pavlefshmërinë dhe më tej të vijojë me pjesët e tjera jemi të detyruar që të marrim një vendim, dhe më tej të vijojmë me pjesën tjetër. Vendimmarrja e sotme kishte të bënte me provat që KAS kërkon kryesisht nga KQZ lidhur me materialet zgjedhore në këto qendra votimi. Janë pothuajse gjithë materiale që ndodhet në materialet zgjedhore, procesverbalet me mbylljen e qendrave të votimit, procesverbalet që mbahen nga GNV për këto qendra votimi, lista që prodhohen nga sistemi Pay nga sistemi i votuesve, pra janë një sërë elementësh proceducial që do shqyrtohet. Pretendimet janë se në disa qendra votimi ka më pak votues se fletë votimi ose e kundërta, në disa QZ nuk rezultojnë se sa janë votuesit se nuk është prodhuar kuponi nga pajisja Pay, se nuk ka listë zgjedhësish në hard copy, duhen shihet elementët ligjor, procedurat e ndjekura nga qendrat e votimit si edhe nga grupet e numërimit.
Ka pasur një rrëzim të kërkesës të PD ku konsiston kjo kërkesë dhe përse është marrë ky vendim?
Duhet pasur parasysh që trupa e KAS ka mundësinë që materialet që janë në administrimin e KQZ, mund t'i kërkojë dy anëtarë të KAS, pa debat. Ndërkohë që provat që kërkon PD, janë prova që merren nga organet e tjera shtetërore dhe për këtë arsye kërkesa duhet të miratohet me shumicë votash nga KAS. Duke qenë se kërkesa si në rastin e Gjirokastrës dhe Beratit u rrëzua me shumicë votash 3-2 nga KAS, nuk pranohet marrja e këtyre provave, janë rreth 19 prova, prova që kanë të bëjnë me procesin para ditës së zgjedhjeve, pra periudhës zgjedhore 4 muaj para ditës së zgjedhjeve, ku KAS vendosi rrëzimin e kërkesës. Unë dhe një anëtar tjetër, kërkuam edhe këtu që të përdorim si provë kryqëzimin e pajisjeve Pay, që është një procedurë që po bëhet nga KQZ, sepse PD ngre pretendimin se ka votim të dyfishtë apo të shumfishtë edhe në Berat.
Po ka pasur ditën e sotme edhe një reagim nga ana e përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso, i cili e ka quajtur ilegjitim vendimin që ka marrë KAS sot dhe do të vijojë me gjykimin edhe në shkallët e tjera...
-Patjetër që PD ka të drejtën dhe mundësinë që ta ankimojë bashkë me vendimin përfundimtar, nëse do jetë një rrëzim i kërkesës së tyre në Kolegjin Zgjedhor. Ajo ç'ka PD pretendon dhe ajo që ne si pakicë ishim pro ka të bëjë me transparencën e procesit Zgjedhor. Duke qenë se procesi zgjedhor nuk është vetëm dita e zgjedhjeve, por dhe procesi i numërimit, për mendimin tonë duhet të jetë në shërbim të transparencën zgjedhore dhe çdo provë tjetër që ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Pra nuk e shikoni të arsyeshme që të merrni prova shtesë siç kërkon PD nga institucione zyrtare?
-Shumica e KAS këtë ka vendosur, unë dhe një anëtar tjetër ishim pro pranimit të kërkesës së PD me qëllim zbardhjen e procesit zgjedhor dhe të periudhës para ditës së zgjedhjeve që ka të bëjë me vullnetin e votuesit. Pse kemi këtë mendim? Mendimi ka të bëjë me faktin që Kodi Zgjedhor me marrëveshje në Këshillin Politik ka pësuar disa ndryshime, ku pjesa kryesore e ndryshimeve përveç riformatimit të KQZ-së, kishte të bënte dhe me mënyrën e administrimit të aseteve publike dhe të administratës publike 4 muaj para zgjedhjeve dhe shumica e kërkesave që shumica e PD ngre, përveç atyre që kanë të bëjnë me natyrë penale që janë kallëzime penale që ajo ka depozituar për shitblerje të votës, ka të bëjë me përdorimin e aseteve publike, dhënien e lejeve të legalizimit, përdorimit të fondeve të tërmetit, pra janë një sërë elementësh gjatë fushatës zgjedhore që duam apo nuk duam hedhin dritë në procesin zgjedhor dhe në vullnetin e votuesve ditën e zgjedhjeve, Kjo është arsyeja pse PD ngre këto kërkesa dhe ne ishim dakord që të pranoheshim, por për shkak të shumicës kërkesa u rrëzuar.
Nëse gjenden parregullsi, sikurse janë edhe pretendimet e subjekteve politike, a mund të shkohet në rinumërim të votave?
-Patjetër që mund të shkohet në rinumërim, por duhet të kemi parasysh që deri më tani vetëm për 2 qarqe është kërkuar rinumërimi në Berat dhe Durrës. Pra në qarkun e Beratit, pas hapjes së kutive të votimit të materialeve zgjedhore, pas vendimmarrjes së KAS, nëse do konsiderojmë se në ndonjë nga qendrat e votimit si të pavlefshme apo jo, atëherë do të bëhet edhe rinumërimi i votave në bazë të kërkesës së LSI, apo kërkesës që 2 anëtarë të KAS, pra mundet që 2 anëtarë të KAS të kërkojnë rinumërimit. Pra nga provat e LSI, ka pretendime për vlerësim të gabuar të fletëve të votimit dhe kjo do i shërbejë një procesi zgjedhor të drejtë, aq më tepër kur në qarqe si Berati apo Durrësi numri i votave, diferenca mes LSI dhe PS është e vogël dhe mund të sjellë ndryshim mandatesh.
Ka edhe një kërkesë për rivotim, në cilat kushte KAS mund të vendosë të shkojë drejt këtij riprocesi?
-Së pari duhet të arrihet në pavlefshmëri të një apo më shumë QV, kërkesa e PD dhe LSI, janë për pavlefshmëri të zonave zgjedhore, pra të qarqeve, dhe neni 160 i Kodit Zgjedhor parashikon -që pavlefshmëria, pra a jemi në kushtet e pavlefshmërisë, atëherë kur konstatohen shkelje të rënda të ligjit, jo vetëm të Kodit Zgjedhor dhe specifika e pavlefshmërisë është se duhet së paku 4 vota që të pranohet një kërkesë e tillë. Pra duhen 4 anëtarë të KAS që të mbështesin një kërkesë të tillë. Kjo është për t'u parë. Deri më tani ne nuk kemi marrë asnjë vendimmarrje as për rastin e Gjirokastrës dhe as të Beratit. Besoj se do të duket standarti i KAS në rastin e parë. kërkesat që ngre PD janë pothuajse të njëjta, që kanë të bëjnë me cenim të vullnetit të votuesit para ditës së zgjedhjeve. Nëse do bëhen 4 anëtarë të KAS që jemi në kushtet e shkeljeve të rënda të ligjit, patjetër që mund të jemi në kushtet e marrjes së një vendimi për pavlefshmëri dhe patjetër që ajo sjell rastin që duhet të përsëriten zgjedhjet në këto zona zgjedhore.
Ka tagër ligjor KQZ të shkojë përtej të gjitha sanksioneve që i parashikon edhe ligji vetë?
-Patjetër, është Kodi Zgjedhor që i saktëson se kur përsëriten zgjedhjet. Pra duke qenë se do shihet se kush është rasti që ne do marrim një vendim për shkelje të rëndë të ligjit, nëse do arrihet në atë vendim patjetër pastaj është detyrim përsëritja e zgjedhjeve.
Mund të kemi ndryshim rezultati zoti Braho me marrjen në shqyrtim të këtyre materialeve zgjedhore?
-Për qarqet e Beratit dhe Durrësit mund të ketë patjetër ndryshim sa i përket rezultatit, në varësi të votave. Në qarkun e Beratit, diferenca që e humbet PS mandatin dhe e fiton LSI është 77 votave, kurse në Durrës është 150 vota. Pra nëse do rivlerësohen votat dhe tabela e rezultatit do të sjellë një numër më të madh votash për LSI në një qark apo në të dyja, atëherë numri i mandateve do merret nga LSI.
Kemi një qëndrim nga ana e kryedemokratit Lulzim basha për KAS. Ka kërkuar që të jetë i pavarur dhe të mos udhëhiqet nga ndikimet që mund të ketë nga kreu i qeverisë, Edi Rama. A është në fakt KAS i kapur politikisht?
-Unë mund të flas personalisht për veten, nuk mund të flas për anëtarët e tjerë. Unë personalisht nuk kam pasur ndonjë presion apo ndonjë shtysë për ndonjë vendimmarrje të caktuar dhe pse jam një nda anëtarët që jam propozuar nga PD. Por, Kodi Zgjedhor pas reformës Zgjedhore të fundit që u arrit me konsensusin e palëve, asaj të Këshillit politik, ka parashikuar që të gjithë anëtarët e KQZ, si ata të KAS, si ata të rregullatorit, si ata të Komisonerit Shtetëror të Zgjedhjeve, tashmë janë të depolizituar. Pra, supozohet që janë të pavarur dhe të paanshëm në vendimmarrjen e tyre, Por, kreu i opozitës, Lulzim Basha duke u nisur dhe nga vendimmarrjet e fundit të KAS, sidomos ato që refuzojnë kërkesat e PD për marrjen e provave apo duke iu referuar vendimmarrjes së KAS për fletën e votave, apo shfuqizimet e gjobave që janë vendosur ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës katër muaj para zgjedhjeve, patjetër që e konisderon si vendimmarrje politike sepse pothuajse në të gjitha këto vendimmarrje është shfrytëzuar shumica e votave. Pra, nuk kanë qenë vendimmarrje në unanimitet. Ndoshta, kjo është ajo ç’ka i krijon bindjen opozitës që KAS është i kapur politikisht.
Ndërkohë, të hënën kemi edhe mbledhjen e radhës në orën 10:00. Çfarë pritet të ndodhë aty? Cili Qark do të merret në shqyrtim nga ana juaj ?
-Ditën e hënë në orën 10:00 nga vendimmarrje e sotme u la që të vijohet me Qarkun e Beratit. Pra, me hapjen e materialeve zgjedhore për 24 qendrat e votimit në Qarkun e Beratit. Nëse KQZ-ja do t’i këtë bërë gati do të vijojmë me to, në rast të kundërt do të vijohet me Qarkun e Vlorës që është i radhës, ku do të dëgjojmë pretendimet e palëve dhe kërkesat për prova. Ndërkohë që po presim edhe provat nga KQZ për Qarkun e Gjirokastrës, në mënyrë që të mbyllim edhe Qarkun e Gjirokastrës. Pra, varet nga kërkesat e palëve, varte dhe nga mënyra sesi do eci hapja e materialeve zgjedhore. Pra, janë një sërë fazash që duhet të kalojnë sepse janë të parashikuara të tilla në Kodin Zgjedhor.
Mund të nënkuptojmë një ndryshim në vendimmarrje për provat që mund të kërkojnë qarqet e tjera apo do të vijohet në këtë linjë?
-Të paktën nga pretendimet që ka ngritur PD janë pothuajse të njëjtat pretendime por në Qarqe të ndryshme ka prova të ndryshme. Këtu varet qasja që do të kenë shumica e anëtarëve të KAS sepse thash që të merren provat që kërkohen nga PD duhet të bëhen së paku 3 anëtarë pro kërkesës. Nuk e di, mbase ndonjë nga anëtarët mund të ndryshojë mendim dhe kjo vetëm në favor të transparencës së zgjedhjeve. Pra, ai qëndrimi ynë edhe kur kemi debatuar në lidhje me këto kërkesa, ka qenë gjithmonë që të bëjmë transparencë të gjithë procesit zgjedhor. Është shumë e rëndësishme që në zgjedhje demokratike të ketë transparencë. Në qoftë se do të arrihet të bindet ndonjë nga anëtarët e tjerë në varësi të Qarqeve të tjera dhe të asaj ç’ka PD dhe LSI do të kërkojnë, ndoshta mund të ketë një moment të caktuar në marrjen e provave që mund të jetë risi për procesin.
Sa kohë i duhet KAS të marrë në shqyrtim kërkesat e partive politike dhe kur pritet vulosja përfundimtare e rezultatit?
-Janë 10 qarqe që janë ankimuar, dhe pavarësisht numrit të animimeve ato bashkohen në nivel qarku dhe janë një vendimmarrje. Sipas Kodit Zgjedhor duhet të mbyllen brenda 10 ditëve, pra Kodi Zgjedhor e parashikon jo më shumë se 10 ditë, për shkak të provave, kryqëzimit të të dhënave të pajisja Pay që është një proces i pavarur nga KAS, por nga KQZ dhe kompania e që bën kryqëzimin e të dhënave, psh për qarkun e Gjirokastrës atë presim dhe në qarqet e tjera do jetë besoj një kërkesë e ngjashme dhe nëse ajo plotësohet në kohë nga KQZ, patjetër që do shkojmë në një vendimmarrje në kohën e duhur, megjithatë në varësi është dhe se sa kuti votimi do të hapen në qarkun e Beratit, sa në Durrës nëse do vendoset për hapjen e kutive.
A mund ta bëjmë një parashikim,sa shkon në kohë?
-Unë parashikoj që së bashku me Kolegjin Zgjedhor mund të shkojë maksimumi nga mesi i qershorit.