Kombëtarja do të mbyllë të hënën fushatën kualifikuese të Botërorit kundër Andorës në ‘Air Albania’ në orën 20:45 ku pretendon të marrë fitoren, pasi çdo rezultat tjetër i rrezikon vendin e tretë. Përballë do ketë një kundërshtarë të lehtë në letër, por humbja 5-0 kundër Anglisë ka lënë pasoja te kuqezinjtë.

“Kuptohet që pas humbjes 5-0 morali nuk është i mirë, pork jo ndodhi ndaj Anglisë që ndoshta ka kombëtaren më të mirë në histori. Kundër Andorës duhet të mos hedhim në erë atë që kemi arritur deri më tani,”-deklaroi Reja, trajner i Kombëtares.

Nga ndeshja me Anglinë e deri te kjo me Andorën kombëtarja shqiptare ka pësuar 7 ndryshime në përbërje, por Reja u ndal të shpjegonte edhe situatën me Brojën që të premten u dërgua në tribunë, ndërsa tani nuk ka udhëtuar në Shqipëri me Kombëtaren.

“E lamë në shtëpi, pasi kishte një problem me kaviljen. Mjekët e secilës palë kanë komikuar dhe ne tentuam ta rikuperojmë me Andorën, por vetë Broja si dhe Southampton kërkuan që të rikthehej në klub, pasi dëmtimi nuk kishte kaluar,”-tha italiani.

Ndërkohë sipas mbrojtësit Hysaj kundër Anglisë nuk shkoi vetëm sasia e golave të pësuar.

“Anglia ka lojtarë shumë të mëdhenj, me nivel të lartë, normale që të na vendosin në vështirësi. Gjëja më e keqe që ndodhi ishin golat që pësuam, se ishin 5. U munduam të krijojmë mbrojtje të fortë, por edhe u dëmtuan 2-3 lojtarë direkt,”-tha Hysaj.

Për shkak dëmtimi kundër Andorës mungojnë Kumbulla, Veseli, Bare dhe Broja, ndërsa Gjasula, Cikalleshi dhe Ismajli janë me kartona.