Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtyrë vendimin për gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj. Shkak për shtyrjen e kësaj seance janë bërë dokumentet shtesë të sjella nga gjyqtarja Xhoxhaj për likuiditet.

Gjyqtarja e Kushtetueses ka paraqitur sot dokumente shtesë për të justifikuar paratë. Për këtë arsye, KPK ka kërkuar kohë për t’i shqyrtuar dokumentet, duke shtyrë vendimin për në datën 03 maj 2018.

Nga hetimet e kryera, KPK ka arritur në konkluzionin se Xhoxhaj ka bërë deklarime të pavërteta dhe nuk justifikon burimin e të ardhurave të saj për apartamente e truall në Tiranë dhe te Gjiri i Lalzit, si dhe nuk justifikon shumën prej 4.4 milionë lekë.

Në seancën dëgjimore të ditës së hënë, gjyqtarja Xhoxhaj iu hakërrye trupës relatore të KPK se nuk e njohin ligjin, duke kërkuar që të rikonfirmohet në detyrë. Sot, zyrtarja e sistemit të drejtësisë ka surprizuar KPK, duke sjellë dokumentet e pasurisë.

Me goditjen e anëtares Altina Xhoxhajt nga veprimi i ligjit të Vetingut, Gjykata Kushtetuese mbetet me tre anëtarë, në pamundësi për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime, duke çuar kështu në mbylljen e gjykatës më të rëndësishme në Shqipëri.


Gjyqtarja e Kushtetueses Altina Xhoxhaj

Gjyqtarja Xhoxhaj është anëtarja e tretë e Gjykatës Kushtetuese që kalon në 'sitën' e Vettingut, pas gjyqtarit Fatos Lulo, i cili u shkarkua pasi nuk justifikonte dot pasurinë prej rreth 500 mijë dollarë, si dhe gjyqtarja Vitore Tusha, që rezultoi e pastër. Gjithashtu, në ‘rrjetën’ e Vettingut kanë rënë dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva, dhe prokurorja e Prokurorisë së Shkodrës, Besa Nikëhasani.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
Nga Shkodra në Tiranë, kush është prokurorja e dytë që kalon në 'rrjetën' e Vettingut

Prokurorja Fatjona Memçaj është e dyta në radhët e prokurorëve që do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut. Prokurorja e Prokurorisë së Apelit në Tiranë është subjekti i radhës që do të kalojë në ‘rrjetën’ e Vettingut. Seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit do të zhvillohet më 30 prill.

Memçaj do jetë në seancën publike, në orën 11:00, përballë trupës gjykuese të përbërë nga Alma Faskaj, Roland Ilia dhe Fierdes Shuli. Kjo është prokurorja e dytë që kalonë në ‘sitën’ e Vettingut, pas prokurores së Shkodrës, Besa Nikëhasani, e cila u shkarkua pasi nuk justifikonte pasurinë.

Gjithashtu, Vettingu ka ‘djegur’ edhe disa gjyqtarë, siç janë Fatos Lulo i Kushtetueses dhe Besim Trezhnjeva i Apelit Durrës. Deri më tani, e vetmja që ka kaluar me sukses provën e pasurisë dhe pastërtisë së figurës është gjyqtarja e Kushtetuese, Vitore Tusha, ndërsa pritet vendimi dhe për gjyqtaren e Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, me 3 maj.